Haradinaj: Raporti për vizat më 17 ose 18 korrik

Aktuale July 13, 2018 - 12:48
Lexo detajet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së sotme të qeverisë, tha se rekomandimi i Komisionit Evropian për vizat do të publikohet më 17 ose 18 korrik, raporton "Zëri.info".

Në një konferencë për media, Haradinaj i cili është edhe kryetar i AAK-së, tha se e respekton kërkesën e AAK-së për ta ndërprerë dialogun me Serbinë derisa të ndodhë liberalizimi. Por ai tha se nuk pret që puna të shkojë deri aty, pasi që rekomandimi pritet të dalë së shpejti.

“Është vendim i grupit parlamentar të AAK-së, më kanë informuar që do ta bëjnë, e respektoj. Ajo që është me rëndësi është se Kosova është për dialog, edhe AAK-ja është për. Por shqetësimi po rritet për liberalizimin e vizave. Edhe kjo iniciativë e tyre flet për atë presion. Të gjithë në njëfarë mënyre po e ndiejnë këtë presion. Nuk mendoj që do të kemi nevojë të mbërrijmë deri aty, sepse më 17 ose 18 pritet të kemi vlerësimin e komisionit, i cili besoj që do të jetë pozitiv dhe do të kalojë nëpër etapat implementuese pastaj”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkohë, janë bërë më shumë se dy muaj prej se ekipi i ekspertëve të Komisionit Evropian kishte ardhur në Kosovë për të mbledhur fakte rreth përmbushjes së kriterit të fundit për vizat, por ende nuk është publikuar ndonjë rekomandim./Zeri