Lidhja Demokratike e Kosovës ‘ultimatum’ koalicionit qeverisës

Aktuale July 13, 2018 - 11:26
Lexo detajet

Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës me të filluar seanca është larguar nga seanca e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që mazhoranca ta bëjë kuorumin me qëllim që ata të kthehen për të votuar raporton “Zeri.info”

Deputeti Armend Zemaj nga LDK kërkoi nga koalicioni qeverisës që të bëhet kuorumi, përndryshe siç tha ai, nuk do të qëndrojnë në sallë.

“Kemi mbetur tek miratimi i rendit të ditës. Nuk mund të vazhdojmë pa e miratuar atë. Në emër të LDK-së, Nëse nuk arrini ti keni 61 deputetë të koalicionit në kuvend ne do t’i presim 30 minuta bëjeni kuorumin ne do të marrim pjesë në vazhdimin e seancë”, ka thënë Zemaj.

Ndërsa këtë e kritikoi shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili veprimin e LDK-së e ka quajtur inskenim. Ai madje tha se LDK-ja ka vetëm 7 deputet në sallë që kanë ardhur vetëm për mëditje.

“Ky është denigrimi i radhës që këta deputet ja bëjnë Kuvendit të Kosovës. Prej 27 deputet sa i kanë, vetëm 7 i kanë në sallë. I kanë nënshkruar listën e prezencës për me i marrë mëditjet, dhe vijnë këtu bëjnë shaka duke shantazhuar që t’i sjellim 60 deputet. Kjo është më shumë se tallje me Kuvendin, prej 27 kanë qenë vetëm 7 në seancë”, tha Krasniqi.

Sipas tij e tërë kjo situatë është inskenim nga ana e LDK-së.

Ndërkohë, Ahmet Isufi nga AAK e ka quajtur të turpshëm vendimin e partisë më të madhe në opozitë.

“Është e turpshme se pse sot është e premte dhe si duket kanë nevojë me shku në vikend ma herët. Të gjithë deputetët pavarësisht pozicioneve politike jemi të barabartë këtu dhe nuk ka nevojë më bë vlerësime të tilla. Kuorum pat sepse ishin në sallë deputetët. Kjo është bërë qëllimisht për ta bllokuar kuvendin”, tha Isufi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në anën tjetër, tha se bojkoti i Kuvendit është strategji politike dhe veprim me vend nga ana e LDK-së.

Seanca po vazhdon edhe pa Lidhjen Demokratike të Kosovës, përderisa nuk ka kuorum për të votuar projektligjet në rend dite./ZERI