Qytetarët paguajnë çmimin e 'Qeverisë së korruptuar' për vizat

Aktuale July 13, 2018 - 08:03
Lexo detajet

Robert Austin, profesor në Qendrën për Studime Evropiane, Ruse dhe Euro-aziatike, Universiteti i Torontos në një intervistë për Evropën e Lirë ka thënë se imazhi i Qeverisë së Kosovës, në perspektivën globale, nuk është pozitiv.

Ai në këtë intervistë ka thënë është një qeveri e kriminalizuar, një shtet i korruptuar që nuk është në gjendje të trajtojë çështje serioze të sundimit të ligjit.

”Mendoj se imazhi i Qeverisë së Kosovës, në perspektivën globale, nuk është pozitiv. Është një qeveri e kriminalizuar, një shtet i korruptuar që nuk është në gjendje të trajtojë çështje serioze të sundimit të ligjit. Por, kjo nuk vlen vetëm për Kosovën, janë edhe vende të tjera të Ballkanit për të cilat mund të thuhet e njëjta gjë. Por, Kosova paguan çmimin më të lartë, në kuptimin që nuk ka ende liberalizim vizash”, tha ai.

Austin ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe synimin për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Profesori në Qendrën për Studime Evropiane, Ruse dhe Euro-aziatike, Universiteti i Torontos tha se është optimist për atë që pritet të ndodhë në muajt e ardhshëm.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka bërë të qartë se dëshiron të arrijë diçka në këtë drejtim. Sfida më e madhe është kah pala kosovare. Kush në Kosovë është i zoti të bëjë marrëveshje historike? Kosova ka bërë shumë kompromise në dekadën e fundit dhe, në muajt e ardhshëm, mund të ketë kompromise të reja dhe përfitime të tjera për serbët në veri të Kosovës”, tha ai.

“Nuk mendoj se dikush nga komuniteti ndërkombëtar, sidomos Bashkimi Evropian, që po e ndërmjetëson dialogun, dhe Shtetet e Bashkuara që nuk po luajnë shumë rol, do që të shohë ndonjë zgjidhje territoriale të problemeve etnike. Por, qartazi, negociatat e dekadës së fundit mbi fatin e pakicës serbe në Kosovë u kanë dhënë përparësi atyre. Mund të them se njohja do të tregtohet me më shumë avantazhe për ta”, u shpreh më tutje Austin.

Profesori më tej ka folur edhe rreth marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Sipas tij, çdo qeveri në Kosovë duhet ta pranojë se marrëveshjet e kaluara, si ajo e Brukselit për fusnotën e kanë nxjerrë atë si palë humbëse.

“Çdo qeveri në Kosovë duhet të pranojë se marrëveshjet e kaluara, si ajo e Brukselit, ajo për fusnotën, e kanë nxjerrë atë si palë humbëse. Këto marrëveshje nuk kanë qenë të parapara me Planin e Ahtisaarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës. Negociatorët e Kosovës, në fakt Qeveria e Kosovës nuk ka kredibilitet ndërkombëtar. Ata nuk janë njerëzit e duhur për negociata dhe kjo është sfidë për Kosovën. Pra, këshilla ime është: ju duhen negociatorë më të mirë dhe ju duhet të mendoni për sovranitetin e Kosovës në afat më të gjatë dhe të ndaloni të bëni marrëveshje që minojnë sovranitetin e vendit”, tha ai.

Austin duke folur edhe rreth Serbisë, e cila balancon midis Rusisë dhe Perëndimit tha “Mendoj se faktori rus është mbivlerësuar. Kur shihni Rusinë, çfarë ka ajo? Praktikisht asgjë, përveç naftë të lirë dhe gaz të lirë. Mendoj se e ardhmja e Serbisë qëndron në Bashkimin Evropian. Kjo reflekton edhe opinionin publik serb”.

Austin më tej shton se e ardhmja është shumë e mjegulluar tani dhe se Bashkimi Evropian përballet me shumë sfida.

“…Por, unë jam ai optimist që beson se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Nuk ka plan B, ka vetëm të ardhme evropiane brenda Bashkimit Evropian, nuk ka alternativë tjetër për shtetet e Ballkanit. Është ende proces i gjatë, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin. Unë nuk e fajësoj BE-në për këtë. Shoh që vendet e Ballkanit thonë se i takon Evropës të na evropianizojë. Në Ballkan, reforma serioze kanë dështuar. I fajësoj qeveritë në Beograd, Tiranë, Prishtinë, Podgoricë, Sarajevë, Shkup për ngadalësimin e procesit. Është koha që vendet e Ballkanit të tregojnë se janë të përkushtuara”, tha ai.

Austin u shpreh optimist për liberalizimin e vizave për Kosovën, por tha se topi megjithatë është te Qeveria e Kosovës.

“Për befasinë time, jam optimist për liberalizimin e vizave për Kosovën, por, prapëseprapë, topi është te Qeveria e Kosovës. Për fat të keq, qytetarët e rëndomtë të Kosovës paguajnë çmimin që kanë një qeveri, e cila gjerësisht perceptohet si qeveri e kriminalizuar ose e paaftë. Andaj, procesi është zhargitur. Për më tepër, përse procesi i liberalizimit të vizave është lidhur me disa çështje që nuk kanë të bëjnë me të, si për shembull ajo e kufirit me Malin e Zi. Qeveria e Kosovës ka reputacion të keq që u ka bërë dëm të madh qytetarëve të Kosovës dhe procesit të liberalizimit të vizave”, tha ai. /Rel/