Deda: Thaçi po diskuton për ndarje të Kosovës

Aktuale July 13, 2018 - 07:41
Lexo detajet

Deputeti i Alternativës Ilir Deda ka thënë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është duke diskutuar për ndarjen e Kosovës me Serbinë. Në një intervistë dhënë për gazetën “Zëri” Deda ka thënë se partia e tij (Alternativa) nuk e pranon kurrë kufirin te lumi Ibër.

Me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq Thaçi, sipas Dedës, po diskuton edhe për resurset natyrore të Kosovës dhe për amnisti të krimeve të luftës.

Madje deputeti i Alternativës nuk ka përjashtuar mundësinë që edhe çështja e ushtrisë së Kosovës të bëhet temë e bisedimeve në Bruksel në kuadër të fazës finale.

Andaj, sipas tij, partitë opozitare duhen domosdo të dalin me një formulë sa i përket etapës përmbyllëse të negociatave të këtij procesi.

Gjatë bisedës për “Zërin” Deda, i cili është anëtar i Komisionit për Integrime, ka folur edhe për çështjen e liberalizimit, me ç’rast ka thënë se Komisioni Evropian do të dalë me rekomandim për vizat në fund të këtij muaj.

Sipas tij, institucionet e BE-së me qëllim janë duke e zvarritur këtë proces. Por meqë, siç ai është shprehur, liberalizimin tashmë e kanë edhe shtetet si Ukraina, Gjeorgjia e Kolumbia qytetarët e Kosovës nuk mund të jenë të veçuar prej atyre të Kolumbisë.

Nëse Kolumbia e ka liberalizimin, pse nuk e ka Kosova?

Zëri: Është thënë që Komisioni Evropian do ta publikojë rekomandimin për vizat në fund të muajit qershor ose në fillim të muajit korrik të këtij viti, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Si e keni parë ju këtë? Sa mund ta dëmtojë procesin e liberalizimit kjo zvarritje?

Deda: Ata po dalin tash me një premtim tjetër, që do të dalin në fund të korrikut me atë rekomandim dhe unë ju tregoj që ata njëjtë kanë premtuar që do të dalin më 4 maj me vlerësimin e tyre dhe janë duke e zvarritur qëllimshëm këtë proces. Por prapëseprapë në fund të këtij muaji do të dalin me vlerësim, i cili hap rrugë që vlerësimi i tyre të aprovohet edhe në Parlament Evropian në fund të gushtit, në seancën që kanë.

Zëri: Çfarë rekomandimi prisni?

Deda: Janë tri nënkritere, të cilat në vitin 2015 i ka kërkuar Komisioni Evropian të shtohen, i ka shtuar dhe ato i ka plotësuar Kosova. Tash ne presim që Komisioni Evropian të jetë fer ndaj Kosovës, të jetë korrekt dhe ta mbajnë fjalën që e kanë dhënë. Jo vetëm KE-ja, por edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Ata duhet ta përmbushin fjalën e tyre.

Zëri: Dihet se ka edhe disa shtete të BE-së të cilat janë skeptike sa i përket liberalizimit. Sa mund të paraqesë problem skepticizmi i këtyre shteteve në këtë proces?

Deda: Skepticizmi i tyre s’ka të bëjë asgjë me Kosovën. Skepticizmi i tyre ka të bëjë me ekstremin e tyre të djathtë, i cili po rritet, e çka ka Kosova të bëjë me popullizmin në Francë ose në Holandë. Ato janë probleme të atyre shoqërive dhe jo të Kosovës dhe asnjë shtet nuk ka të drejtë morale, as politike e as çfarëdo tjetër që të na mbajë vetëm neve të izoluar. Mos harroni që Kolumbia ka liberalizim të vizave me BE-në. Kështu që duhet ta kapërcejmë këtë diskutim të brendshëm, i cili është pjesë e një lloj verbërie politike dhe të jemi të qartë: ne duhet që pas vlerësimit të KE-së të bëjmë çka të është e mundur që të diskutojmë prapë me këto shtete që kanë skepticizëm, por ai skepticizëm s’ka të bëjë asgjë me Kosovën, ka të bëjë me ta. E qytetarët e Kosovës nuk mund të jenë të veçuar  prej atyre të Kolumbisë. Si është Kolumbia para Kosovës, me çfarë kritere ata janë më përpara? Sa për informim për njerëzit tanë, tek Ukraina dhe Gjeorgjia vlerësimi kundër luftës së korrupsionit ka qenë publikimi i raporteve financiare në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Zëri: Pas momentit që publikohet rekomandimi sa mund të zgjasin procedurat e tjera dhe cilat janë ato procedura nëpër të cilat duhet të kalojë ky proces?

Deda: KE-ja e jep rekomandimin dhe shkojnë në pushim të gjithë në BE, edhe zyrtarët e Komisionit, edhe të Parlamentit. Pastaj shkon në PE, i pari është komisioni LIBE dhe shkojnë në seancë plenare dhe te shtetet anëtare. Tash shtetet anëtare, ministrat e brendshëm e kanë takimin në tetor. Nëse ata duan që t’ua heqin vizat qytetarëve të Kosovës, mund të marrin vendim në tetor. Nëse s’duan, atëherë do ta zvarrisin procesin edhe më tutje. Kështu që kjo kryekëput varet prej tyre: A duan ata që të jenë fer me Kosovën apo duan të jenë jofer?

Zëri: Domethënë që ende ka hapësirë që liberalizimi të ndodhë deri në fund të këtij viti?

Deda: A është fundi i këtij viti ose fillimi i vitit të ardhshëm është më pak me rëndësi për Kosovën. Më me rëndësi është që ky Komision Evropian, ky Parlament Evropian dhe shtetet anëtare këtë vit të marrin vendim për heqjen e vizave.

Zëri: Domethënë e tërë procedura tash e tutje do të jetë në duart e BE-së?

Deda: Mua më vjen keq që Qeveria nuk po e kupton që i duhet ndihma e opozitës në lobim në Francë e në Holandë, sidomos këto dy shtete kanë skepticizëm, por jo për shkak nesh, për shkak të vetes së tyre, të gjendjes së vetes së tyre. Edhe Kosova e ka agjendën e vet të brendshme e BE-së i duhet Kosova për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Ata duhet ta mbajnë premtimin e dhënë, besueshmërinë dhe kredibilitetin te qytetarët e Kosovës.  

Duhet të ketë një formulë tjetër për fazën finale të dialogut

Zëri: Tashmë ka nisur faza finale e dialogut me Serbinë, por pa një konsensus të gjerë mes partive politike. Është bërë thirrje nga ana e presidentit Hashim Thaçi që të formohet një ekip i unitetit. Çfarë prisni nga kjo? Sa është e mundur të arrihet një konsensus nacional?

Deda: Nuk është Thaçi kryenegociator, Kuvendi e ka caktuar Qeverinë në vitin 2011 dhe 2012. Pa e ndërruar vendimin e vet Kuvendi askush s’mundet në emër të Kosovës të marrë asnjë vendim në këtë dialog. Duhet të kalojnë nëpër Kuvendin e Kosovës. Të njëjtën kohë duhet që të ketë konsensus të partive politike. Mua po më vjen keq që kemi mbetur pak të bllokuar, që kolegët e mi nga partitë opozitare nuk po japin një emër tjetër si alternativë të Thaçit, pasi që jemi duke e kundërshtuar drejtimin e dialogut nga ai, por ne nuk mundemi që tre muaj të themi vetëm “jo ky”. Domethënë, përgjegjësinë duhet ta marrim edhe ne, duke dhënë një formulë tjetër se si e shohim ne konsensusin, kush do të jetë udhëheqës, prijës i delegacionit të Kosovës.

Nëse s’ka konsensus Kosova nuk do të anëtarësohet në OKB

Zëri: Domethënë nuk prisni të plasohet një formulë e re?

Deda: Jo, unë nuk po shoh as presion prej mediave e as prej shoqërisë civile që të ketë zgjidhje. Nëse Kosova ka konsensus mund edhe të anëtarësohet në OKB, nëse nuk ka konsensus nuk do të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara. Rrjedhimisht nuk do të ketë Bashkim Evropian, nuk do të ketë NATO, nuk do të ketë asgjë. Sepse konsensusi e forcon edhe kualitativisht delegacionin e Kosovës. Ne çka po mendojmë që do të diskutohet atje? Kornizat e procesit vetëm janë vendosur, të gjitha partitë e dinë se cilat janë kornizat e procesit të vendosura nga shtetet e QUINT-it. Por, duhet si Kosovë ta kuptojmë se çka është një minimum përfund të cilit nuk shkojmë. Cili është parimi i panegociueshëm dhe për Alternativën parimi i panegociueshëm është integriteti territorial i Kosovës. E kur të flasim për integritetin territorial të Kosovës, atëherë e kemi një ndarje tjetër politike, kush është për këta kufij, kush është kundër.

Zëri: Çka doni të thoni me këtë të fundit?

Deda: Po dua t’ju tregoj që kemi pushtetin e ndarë dhe opozitën e ndarë sa u përket kufijve të Kosovës. Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të ruhet integriteti dhe funksionaliteti i brendshëm i Kosovës në këtë proces, që Kosova më në fund të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara jo si shtet vëzhgues, por si shtet anëtar i barabartë me çdo shtet tjetër. E mandej ato shtete që nuk duan të na njohin për neve nuk do të jetë me rëndësi fare, sepse me anëtarësim në OKB ne do të kemi njohje universale.

Thaçi mund ta vendosë në referendum marrëveshjen me Serbinë

Zëri: I përmendët disa prej pasojave të mundshme nëse nuk arrihet një konsensus i gjerë nacional. A ka gjasa që të përsëritet edhe skenari i Demarkacionit nëse nuk arrihet ky konsensus, kur dihet se në fund të këtij procesi do të arrihet një marrëveshje, e cila kërkon 2/3 e deputetëve për t’u ratifikuar?

Deda: Ose ndoshta Thaçi do ta hedhë në referendum, pa Kuvend fare.

Zëri: Ka gjasa mendoni?

Deda: S’di pse nuk po mendojnë të tjerët për këtë opsion. Edhe ai mund të na vendosë para aktit të kryer, duke thënë se ju nuk po doni të vini me mua në Bruksel, atëherë le të vendosë populli. Demarkacioni ka qenë budallallëk i klasës së parë, ne i kemi humbur tre vjet, e kemi humbur liberalizimin e vizave atëherë. Ata që merren me neve njëjtë, nuk lejojnë më që budallallëqet tona të bllokojnë procese të tjera.

Edhe BE-ja ka pozicionin e njëjtë si Serbia sa i takon Asociacionit

Zëri: Njëra prej marrëveshjeve që është nënshkruar në Bruksel është edhe Asociacioni. Qeveria e Kosovës ka thënë se ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit ia ka dërguar një raport të punës, i cili është antikushtetues. Si e shihni këtë dhe çfarë prisni të ndodhë me Asociacionin kur dihet se pala serbe po kërkon që kjo të ndodhë në përputhje të plotë me Marrëveshjen e Brukselit?

Deda: Edhe Bashkimi Evropian e ka pozicionin e njëjtë si Serbia në këtë aspekt. Nuk është më pala serbe, por është Serbia dhe Bashkimi Evropian. Janë konkluzionet e BE-së para dy jave kur thonë në mënyrë të qartë se si duhet të bëhet Asociacioni. Ne e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Qeveria duhet ta marrë atë draft-statut dhe ta çojë në Gjykatën Kushtetuese.

Zëri: Opozita vazhdimisht po kërkon zgjedhje të parakohshme, mirëpo nuk ka ndonjë hap konkret në këtë drejtim. A janë zgjedhjet zgjidhja e kësaj situate dhe sa janë gjasat që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme këtë vit?

Deda: Unë jam në Kuvend dhe e di fort mirë se si rrëzohet një qeveri. Si të bëhen 61 deputetë që janë kundër Qeverisë, Qeveria bie. Është punë matematike, e tash thirrja për zgjedhje është legjitime. Ne në opozitë natyrisht që thërrasim zgjedhje, natyrisht që mendojmë se kjo Qeveri është ndër më të këqijat që Kosova i ka pasur. Por ne si opozitë i kemi 57 deputetë. Qeverinë duhet ta rrëzojmë në Kuvend nëse i bëjmë 61. Unë nuk e kam parë asnjë iniciativë të partive të mëdha opozitare që të tentohet të mbërrihet 61-shi. Për më tepër, nëse faza finale e dialogut me Serbinë hyn në etapa më serioze tash, po mendoni që do ta lërë dikush Kosovën që të shkojë në zgjedhje?

Zëri: Meqë e përmendët çështjen e udhëheqësit të dialogut, a keni ndonjë propozim për ta udhëhequr këtë proces?

Deda: Natyrisht që e kemi, por nuk dua që në mënyrë të njëanshme të gjuaj emra në publik. Ne duhet të ulemi e të diskutojmë në mes vete, nëse jo Thaçi, kush? Alternativa do ta ketë jo një, por disa propozime. Duhet të jetë dikush me kredibilitet, me peshë dhe i arsimuar.

Albin Kurti shumicën e energjisë e shpenzon duke u marrë me opozitën

Zëri: Para pak ditësh lideri i LVV-së Albin Kurti në një intervistë për “Zërin” e quajti pjesën tjetër të opozitës si “pseudoopozitare”. Si e komentoni ju këtë?

Deda: Mua më vjen shumë keq që Albini shumicën e energjisë e shpenzon duke u marrë me opozitën. Ne nuk e sulmojmë Vetëvendosjen. Ne mendojmë që Qeveria është kundërshtar politik, nuk e kuptoj pse Albini e sheh opozitën si kundërshtare politike. Por partitë opozitare duhet të jenë aleate të njëra-tjetrës. E tash nëse ne sulmohemi gjatë gjithë kohës mes vete kjo Qeveri do të mbetet në pushtet, sepse Albini në vend që ta marrë iniciativën për mocion për rrëzimin e Qeverisë, ai na sulmon të gjithë neve pa pasur asnjë arsye. 

Zëri: Ditët e fundit dhjetëra pjesëtarë të FSK-së të komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga FSK-ja. Pse ka ndodhur një gjë e tillë sipas jush?

Deda: Pse e dinë të gjithë, ajo ka të bëjë me këtë proces të dialogut dhe mua më brengos që Qeverisë as nuk i ka shkuar mendja që mund t’i ndodhë kjo punë. Domethënë, është paaftësi qeverisëse. Njerëzit nuk po e kuptojnë peshën e këtij dialogu. Dhe këtë Thaçi duhet të dalë t’ua shpjegojë njerëzve prapë. Cila është korniza e kompromisit që pritet prej Kosovës. E treta, si do të duket kjo Kosovë e ardhshme. Në fund, pse po negocion ai ende me Vuçiqin për ndarje të veriut të Kosovës.   

Thaçi po negocion me Serbinë për amnisti të krimeve të luftës

Zëri: Thoni se po negocion ende për ndarje?

Deda: Po, po, ende po negocion për ndarje. Kur të diskutojë dikush për ndarje të Kosovës, atëherë shoqëria duhet të mobilizohet. Duhet të jetë me rëndësi për njerëzit. Alternativa është kundër ndarjes. Nuk e pranon kufirin në Ibër, kurrë nuk do ta pranojë. Pyetni partitë e tjera për çfarë pozicioni janë. Unë e di si shumë kolegë të tjerë, qe një vit jemi duke ju folur që ai po diskuton për ndarje. Krejt bota po tregon çka po ndodh. Thaçi po diskuton për ndarjen e Kosovës, ne jemi kundër.

Zëri: MFSK-ja kishte dërguar në Qeveri Projektligjin për Ushtrinë, por ky projektligj i është rikthyer sërish MFSK-së. Si e shihni këtë zvarritje që po i bëhet këtij procesi kur në vazhdimësi ka pasur deklarata se ushtria do të bëhet shumë shpejt? 

Deda: Nuk ka përkrahje ndërkombëtare për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Nuk ka përkrahje dhe u kanë treguar edhe të gjitha shtetet evropiane të NATO-s pse nuk e përkrahin krijimin e ushtrisë së Kosovës pa ndryshime kushtetuese. SHBA-ja pa përkrahje të shteteve evropiane të NATO-s nuk e përkrah krijimin e ushtrisë nëpërmjet ndryshimeve ligjore.

Zëri: Edhe sa mund të zvarritet kjo çështje atëherë?

Deda: Mund të zvarritet, unë duke e parë këtë situatë do të na çojnë të diskutojmë për ushtrinë me Serbinë.

Zëri: Në kuadër të fazës finale?

Deda: Po natyrisht, në kuadër të fazës finale. A e dini se çka janë duke diskutuar ata? Ata po diskutojnë për resurse natyrore të Kosovës, për amnisti të krimeve të luftës e le të shkojë Thaçi në Likoshan e në Prekaz dhe le të thotë a guxon ai të negociojë për amnisti të përgjithshme të krimeve të luftës, të dyanshme, për resurse të Kosovës e për territor të Kosovës. Tash a po çuditeni që edhe ushtria do të jetë aty? Vetëm njerëzit që nuk jetojnë në Kosovë mund të mbeten të habitur ku jemi. Situata është shumë e rëndë.