Vetëvendosje, LDK e PSD ‘bashkohen’ kundër PAN-it

Aktuale July 12, 2018 - 15:17
Lexo detajet

Tri partitë opozitare të vendit janë bashkuar sot në seancën parlamentare kur po diskutohej për propozim rezolutën në lidhje me vendimin e Qeverisë për pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë Bechtel & Enka në Kontratën për ndërtimin e Autostradës R6, raporton “Zeri.info”.

Iniciuesit e kësaj rezolute, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në seancën e sotme bënë të ditur që kanë harmonizuar qëndrimet e tyre për këtë rezolutë së bashku me PSD-në, por pa PDK-në, AAK-në e Nisma-n.

Me këtë rast Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha se partitë nga opozita e vendit janë bashkuar në këtë rezolutë por pa miratimin e koalicionit qeverisës.

“Partitë opozitare nuk ishin krejt të sinqerta kur thanë që është harmonizuar kjo rezolutë, ndoshta është harmonizuar mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, por ne në takimin që kemi pas për harmonizim jemi afruar por nuk kemi arritur pajtueshmëri. Konsiderojmë që një prej kërkesave, kjo për anulim është e re dhe është kontrabandim që e kanë bërë LDK-ja dhe VV-ja, asnjëherë nuk është diskutuar kjo gjë në takimin e grupeve”, tha Konjufca.

Sipas tij PDK-ja nuk e përkrah këtë rezolutë nëse bie në kundërshtim me ligjet në fuqi raporton tutje “Zeri.info”.

“Konsiderojmë që një prej kërkesave të kësaj rezolute mund të jetë në kundërshtim me ligjin në fuqi, dhe kemi kërkuar që të i shtohet një fjali që cilado kërkesë e kësaj rezolute të jetë në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi. Pasi kjo është refuzuar, ne nuk votojmë diçka që do të jetë në kundërshtim me ligjin”, tha ai.

Ndërsa deputeti Dardan Sejdiu nga PSD-ja, tha se para se të ipen 53 milion euro Bechtel-Enkas duhet të bëhet publike kontrata për këtë gjë.

“Propozim rezoluta më është sjellë sot dhe jam plotësisht dakord me të. Mendoj që para se të shpenzohen 53 milion euro është mirë të kuptojmë saktë e drejtë për çka janë atë 53 milion. Nuk ka asnjë lloj kuptimi që të paguhet as edhe një cent pa e pa kontratën e Bechtell-Enkas”, potencoi ai.

Sipas tij kjo rezolutë është mundësi e jashtëzakonshme për Qeverinë e Kosovës që të jetë transparente me paranë publike.

“Çdo mëdyshje rreth kësaj nënkupton që nuk po duam të shpalosim se ku po ipen paratë e këtij shteti”, theksoi ai.

Mirëpo pavarësisht debatit që ngjalli kjo pikë, në fund opozita nuk ia doli që të siguroj votat e mjaftueshme për të kaluar këtë rezolutë/ZERI