Reflekton Qeveria, fillon të merret me zjarrfikësit

Aktuale July 12, 2018 - 14:58
Lexo detajet

Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka angazhuar përfaqësuesit e saj për të u marrë me problemin e zjarrfikësve dhe ka shprehur vullnetin e saj për t’i zgjidhur problemet e tyre, raporton “Zëri.info”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndjekur me vëmendje protestën e zjarrfikësve të Kosovës dhe ka angazhuar përfaqësuesit e saj që të sqarojnë për ta, vullnetin e Qeverisë për ta zgjidhur problemin e tyre. Ju informojmë që për herë të parë në Kosovë, e iniciuar me kërkesën personale të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është ndërmarrë nisma për zgjidhjen e padefinuar të statusit të tyre, përmes krijimit të koncept dokumentit, që më vonë do të bëhet edhe rregullore e punës dhe i cili do të përcaktojë qartë statusin e zjarrfikëseve në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media lëshuar nga zyra e kryeministrit.

Tutje në këtë njoftim sqarohet edhe rregullorja që ka të bëj me definimin e statusit të zjarrfikësve.

“Kjo rregullore do të përfshijë edhe shumicën e kërkesave që zjarrfikësit kanë, përmes komisionit i cili po punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Është e rëndësishme të njoftohet opinioni, por edhe zjarrfikësit, që një pjesë e kërkesave të tyre kanë të bëjnë me Komunat, nga të cilat menaxhohen dhe vetëm përmes nismës tonë, konfuziteti se kujt i takojnë në menaxhim dhe në paga, do të sqarohet, përmes ligjit. Definimi i statusit të zjarrfikësve do të jetë zgjidhja e vetme dhe afatgjate për ta dhe këtë rrugë është duke e ndjekur Qeveria e Kosovës dhe për këtë janë njoftuar edhe drejtuesit e zjarrfikësve të Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.

Sindikata e zjarrfikësve të Kosovës së bashku me një numër të madh të zjarrfikësve nga të gjitha komunat e Kosovës për orë të tëra kanë protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës për të u takuar me kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj për të i paraqitur kërkesat e tyre.

Ky i fundit nuk u ka dal në takim atyre por ka dërguar vetëm zëdhënësen e tij si dhe koordinatorin nacional, Besnik Tahirin.

Ndër kërkesat e zjarrfikësve janë, nivelizimi i pagave, kompensimi i orarit jashtë punës, rregullimi i orarit të tyre në ditë festave për shkak se ata nuk kompensohen, si dhe rregullimi i statusit të tyre. /ZËRI