Referendumi për Kosovën shkakton përçarje në Serbi

Aktuale July 10, 2018 - 22:38
Lexo detajet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka fajësuar opozitën serbe për dështimin e një referendum të mundshëm për zgjidhjen e problemeve me Kosovën.

Para një marrëveshje përfundimtare Prishtinë-Beograd, Vuçiq disa herë ka bërë të ditur se do të organizohet një referendum për Kosovën.

Sipas analistëve dhe njohësve të temave politike në Serbi, Vuçiq po tenton të mbrohet nga një vendim eventual i popullit me votat e tyre në referendum, transmeton lajmi.net.

“Unë mendoj se është pjesë e strategjisë së Vuçiqit. Ai e përdor dezorientimin e opozitës dhe qëndrimin e paqartë mbi Kosovën, që të përfitojë”, thotë Bojan Klaçar për Danas.

Sipas tij opozita serbe po merr qëndrime të gabuara për Kosovën, pasi po kundërshton zgjidhje që ai vlerëson se mund të jenë pozitive për shtetin serb.

“Unë besoj se opozita është mirë të mendojë para se të bëjë thirrje për bojkot, pasi ka pak shanse që ky referendum të dështojë”, deklaroi tutje studiuesi serb.

Kurse Vladimir Pejiq drejtor i një agjencie që ditë më parë bëri disa sondazhe për qëndrimet e serbëve ndaj Kosovës, vlerësoi se referendumi edhe mund të dështojë.

“Tema e zgjidhjes së problemeve Kosovë Serbi është shumë e madhe, dhe kjo mund të varet direkt nga rezultati i referendumit. E në këtë pyetje do të mund të përgjigjemi varësisht nga pjesëmarrja në referendum”, deklaroi Pejiq.

Sipas analistëve serbë, bojkotimi i referendumit nga opozita serbe do të mund të ndikonte negativisht për pozitën e Serbisë.

Pejiq thotë se varet shumë edhe nga mënyra se si do të formuloheshin pyetjet në referendum.

“Nëse ka një pyetje direkte si a jeni për pavarësinë e Kosovës. Atëherë kjo do të ishte mashtrim. Megjithëse është e vështirë të ketë kësi lloj pyetje”, tha Vladimir Pejiq.

Njëjtë si Thaçi në Kosovë, edhe Vuçiqi në Serbi i ka bërë thirrje spektrit politik që të bashkohen para fazës finale të dialogut.

Opozita në Kosovë po vlerëson se presidenti Thaçi nuk është personi ideal për ta udhëhequr dialogun, kurse në Serbi po e akuzojnë Vuçiqin se e ka dorëzuar Kosovën.