Zvarritja e rekomandimit për vizat, shqetësuese
Foto: Driton Bublaku

Zvarritja e rekomandimit për vizat, shqetësuese

Aktuale korrik 10, 2018 - 07:44
Mësoni më shumë shumë detaje

Komisioni Evropian ende nuk dihet se kur do ta publikojë rekomandimin për heqjen e vizave ose jo për Kosovën. Zyrtarët qeveritarë shprehen të sigurt se kjo do të ndodhë para pushimeve verore, përderisa njohësit e çështjeve të integrimit thonë se zvarritjet e tilla janë shqetësuese për vendin, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse krerët institucionalë në Kosovë ishin zotuar se rekomandimi i Komisionit Evropian (KE) për vizat do të publikohej gjatë fundit të muajit qershor ose gjatë javës së parë të korrikut, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Përkundrazi, janë bërë tashmë dy muaj prejse ekspertët e KE-së kishin ardhur në Kosovë për të mbledhur fakte rreth përmbushjes së kriterit të fundit për liberalizim, luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Përderisa zyrtarë të KE-së i kanë thënë gazetës Zërise vlerësimi rreth kësaj çështjeje është duke vazhduar akoma, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka deklaruar se raporti i KE-së do të publikohet para pushimeve verore.

Por, të shqetësuar për këtë zvarritje janë shprehur ekspertët e procesit të integrimit, të cilët kanë vlerësuar se mospublikimi i rekomandimit deri më tani paraqet një lajm aspak të mirë për Kosovën.

Sipas tyre, Komisioni Evropian është dashur që këtë raport ta publikonte më së largu deri më 2 ose më 3 korrik.

Hoxha: Vendimi për vizat, para pushimeve verore

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është shprehur e vendosur se rekomandimi i KE-së do të publikohet shumë shpejt ndonëse nuk ka specifikuar ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë. Por sipas saj, ky raport i Komsionit Evropian për vizat do të dalë para pushimeve verore.

“Presim që rekomandimi të dalë shpejt, por edhe siç na është thënë nga zyrtarët në Bruksel do të dalë para pushimeve të verës. Tanimë kjo është një çështje që është në duart e institucioneve të BE-së. Kosova ka punuar në plotësimin e kritereve dhe tani presim që të ketë një vendim para pushimeve të verës”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Hoxha më tej ka thënë se pret që kriteret e përmbushura nga pala kosovare të vlerësohen në mënyrë të drejtë nga institucionet e Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, të pyetur se pse nuk është publikuar ende rekomandimi i KE-së dhe se kur do të ndodhë një gjë e tillë, nga Komisioni Evropian kanë thënë shkurt për “Zërin” se vlerësimi për kriterin e fundit është duke vazhduar.

“Kosova ka plotësuar njërin nga kriteret me ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin me Malin e Zi. Kur bëhet fjalë për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit vlerësimi është duke vazhduar ende”, thuhet në këtë përgjigje.

Për vizat gjatë së hënës është deklaruar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i cili bindshëm ka thënë se liberalizimi do të finalizohet përgjatë këtij viti.

“Heqja e vizave do të ndodhë këtë vit, i kemi plotësuar të gjitha kushtet. I mbetem besnik deklarimit se në fund të vitit do të ndodhë liberalizimi”, ka theksuar Veseli.

Kurti: Jemi vonuar shumë, jemi në rrugë të gabuar

Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka vlerësuar se Kosova është vonuar tejet shumë në procesin e liberalizimit.

“Me këta qeveritarë që kemi nuk mund të kemi asnjë koncept të politikës së jashtme. E vetmja diplomaci që këta bëjnë është të paguajnë firma lobimi e këshillimi me paratë tona dhe të shkojnë të hanë darka e dreka me politikanë të huaj. Kështu nuk ecet përpara, pa plan, pa strategji. Jemi vonuar shumë, tepër shumë. Sepse jemi në rrugë të gabuar, shumë të gabuar me këtë Qeveri”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Duke folur rreth luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kurti ka konsideruar se nuk ka pasur kurrfarë rezultatesh në këtë drejtim. Për ta bërë një gjë të tillë, sipas liderit të LVV-së, nuk ekziston as vullneti e as baza ligjore.

Ndërkaq anëtari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Zenun Pajaziti, është shprehur optimist se rekomandimi i KE-së do të jetë pozitiv, porse ka thënë se liberalizimi tashmë nuk është në duart e palës kosovare.

Teksa ka folur për vendimmarrjen në institucionet e BE-së, që do të ndodhë pas publikimit të rekomandimit, Pajaziti ka pranuar se ekzistojnë disa probleme në këtë drejtim.

“Unë personalisht në takimet që i kam pasur me parlamentarët gjermanë dhe ata që kanë qenë të involvuar në këtë proces e kemi kuptuar që më shumë se gjithçka tjetër që lidhet me ne tash janë problemet që lidhen me politikat e BE-së, konkretisht me refugjatët. Ndoshta këto janë proceset që po i bëjnë më të hezitueshme këto vendimet e tyre sa i përket liberalizimit, por është e sigurt që Kosova do të ecën përpara”, ka deklaruar Pajaziti.  

Rashiti: Mospublikimi i rekomandimit për vizat, lajm i keq për Kosovën

Gjersa ka komentuar mospublikimin e rekomandimit të KE-së, Naim Rashiti nga Grupi për Politika të Ballkanit ka thënë se një gjë e tillë është shqetësuese për Kosovën.

“Sa më shumë që shtyhet është më keq. Nuk është lajm i mirë kur shtyhet. Është dashur të publikohej deri më 2 ose më 3 korrik. Komiteti i Parlamentit Evropian LIBE e ka seancën e paracaktuar më 11 dhe më 12 korrik, ku ishte dashur të jetë pjesë e punës edhe raporti i Komisionit. Është shqetësuese kjo vonesë. Bëhet edhe më shqetësuese nëse vonohet pas mesit të gushtit”, ka theksuar ai.

Arsyeja e vonesës, sipas Rashitit, ka të bëjë me faktin që Komisioni synon ta sigurojë përkrahjen nga Këshilli. “Mendoj që bëhet për shkak se Komisioni kur kryen punën e vet, ka një peshë politike, mundohet që të ketë një masë të miratimit nga Këshilli, domethënë të vendeve anëtare, të përfaqësuesve të vendeve anëtare”, ka shtuar ai.

Por as atëherë kur rekomandimi do të publikohet, sipas Rashitit, vendimmarrja në Këshillin e Ministrave nuk do të jetë aspak e lehtë. Kurse Arben Fetoshi, njohës i procesit të integrimit, ka konsideruar se zvarritja e rekomandimit e vështirëson pa dyshim procesin e liberalizimit për shkak se, siç ai është shprehur, procedura kërkon miratim edhe nga shtetet anëtare dhe kjo do të marrë kohë.

Në rastin më të mirë, sipas Fetoshit, liberalizimi do të mundë të ndodhë nga fundi i vitit në qoftë se raporti publikohet gjatë kësaj jave.

“Por, duke pasur parasysh proceset e rëndësishme me të cilat mendoj se ndërlidhet kjo çështje, si dialogu me Serbinë ose Gjykata Speciale, nuk mund të përjashtohet edhe fillimi i vitit të ardhshëm. Ndonëse jam i bindur që nuk është demonstruar vullnet maksimal në përmbushjen e kriterit të fundit, mendoj që rekomandimi do të jetë pozitiv, por edhe i ndërlidhur me proceset e tjera. Pra, në qoftë se raporti nuk zvarritet edhe më tutje dhe në qoftë se deri në fund të këtij viti, siç është thënë, do të përmbyllet dialogu me marrëveshje, atëherë viti i ri është afat i mundshëm për fillimin e lëvizjes së lirë”, ka theksuar ai.