Kërkohet përgjegjësi për vdekjet në vendet e punës

Aktuale July 04, 2018 - 14:22
Lexo detajet

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku në një konferencë të mbajtur sot për media, tha se duhet të parandalohet trendi i rritjes së aksidenteve të vendin e punës, e sidomos ato me fatalitet, raporton "Zëri.info". 

“Siç e dini me 30 qershor ndodhi edhe një aksident në vend të punës. Çdo vdekje në vend të punës duhet prek ndërgjegjen e qytetarëve. Jemi shumë të shqetësuar me trendin e rritjes së numrit të aksidenteve vit pas viti. Sot një i ri që kishte të ardhmen përpara ka humbur jetën dhe ne duhet të dimë a do të jep dikush përgjegjësi.

Çështja më urgjentë është të ndryshohet ligji i punës dhe ligji për shëndet dhe siguri në punë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, për vdekjet e qytetarëve në vend të punës janë përgjegjës edhe inspektorati edhe punëdhënësi.

“Kush është përgjegjës për vdekjen në punë, duke filluar nga ministria e deri të punëdhënësi. Ministria t’i nxjerr ligjet siç janë në gjithë botën, dhe inspektorati të shikoj zbatimin e ligjit. Ne ende nuk e kemi të zbatueshëm ligjin për sigurim shëndetësor. Kjo i rrit pasojat që mund të ndodhin pas aksidentit në punë. Punëdhënësi duhet t’i parasheh rreziqet, t’i trajnojë dhe informoj punëtorët, t’i pranoj ato të pakualifikuar”, ka thënë ajo.

Kollçaku më tej ka thënë se shumë nga punëtorët nuk janë të trajnuar për punët që bëjnë në ndërtimtari, andaj siç ka thënë ajo, punëdhënësi duhet t’i trajnojë ata dhe t’i ofrojë kushte më të mira të punës, raporton më tutje "Zëri.info". 

“Muajin e kaluar kemi pasur vdekjen e një juristi i cili ka punuar në ndërtimtari, ai nuk ka qenë i kualifikuar në atë punë. Punëdhënësi duhet t’ia siguroj të gjitha pajisjet dhe kushtet në punë, duke paraparë. Siguria të jetë maksimale. Detyra e inspektoratit është që të monitoroj të gjitha këto nëse po i kryen punëdhënësi, Qeveria duhet të rrit numrin e inspektorëve. Punëdhënësi më i madh është sektori privat ku më së shumti ka edhe shkelje të dispozitave ligjore”, ka thënë ajo.

Sipas saj, anëtarët e Vetëvendosjes do të angazhohen që të ngrisin këtë çështje në Kuvend si dhe Komisione. /Zëri