Marrëveshjet “sekrete” të Brukselit

Aktuale July 04, 2018 - 07:43
Lexo detajet

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar 33 marrëveshje në kuadër të dialogut të Brukselit, por në vazhdimësi të dy qeveritë janë kritikuar për mungesë të transparencës për këtë proces. Madje edhe tani kur kanë kaluar vite nga nënshkrimi i marrëveshjeve disa prej tyre mbahen larg syve të qytetarëve, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se informimi i qytetarëve për procesin e dialogut është në dorë të të dy qeverive.

Ndërsa deputetët thonë se ata nuk kanë qenë të informuar mjaftueshëm me marrëveshjet e arritura.

LEXO EDHE: Dyzet deputetë, “adios” izolim!

Kurse monitorues të procesit të dialogut thonë se disa marrëveshje nuk janë publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë dhe se Qeveria ua ka refuzuar kërkesat për qasje në dokumentet zyrtare.

 Zyra për Informim në Qeverinë e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje nëse janë të publikuara të gjitha marrëveshjet në faqen e Qeverisë, por vetëm ka dërguar linkun në të cilin gjenden disa prej këtyre dokumenteve.

BE: Informimi i qytetarëve për marrëveshjet, në dorë të Qeverisë

Zëdhënësja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Dinka ëivalj, ka thënë për gazetën “Zëri” se është në dorën e dy palëve të sigurojnë që publiku i tyre përkatës të jetë i informuar për dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Gjithashtu është në dorën e palëve të vendosin nëse do t’i ndajnë ose jo marrëveshjet e arritura në dialog me publikun. BE-ja vepron vetëm si një lehtësues në procesin e dialogut”, ka deklaruar ëivalj.

Më tej ajo ka thënë se sipas informatave që i kanë të gjitha raportet dhe marrëveshjet duhet të jenë të publikuara.

“Sipas informacioneve tona, ka qenë praktikë e zakonshme që të gjitha raportet dhe marrëveshjet e gjendjes aktuale të jenë të arritshme në faqet përkatëse të autorizuara. Për referenca specifike u referohemi autoriteteve të Beogradit dhe të Prishtinës”, ka shtuar ëivalj.

Haxhiu: Qeveritë e kaluara kanë qenë jotransparente

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë se kritikat kryesore të deputetëve në të kaluarën kanë qenë pikërisht për mungesën e transparencës. Ndërsa tani, sipas saj, ekipi teknik i udhëhequr nga Avni Arifi është duke u marrë me transparencën e këtij procesi.

“Mendoj se qeveritë e kaluara nuk kanë qenë transparente, nuk e them vetëm unë, por e kemi thënë vazhdimisht në Kuvend sepse jemi ballafaquar me probleme që kanë dalë nga mostransparenca. Kjo Qeveri është transparente sa i përket dialogut”, është shprehur Haxhiu.

Ajo më tej ka thënë se Kosova nuk duhet të zhvillojë dialogë pa kritere.

“Në këtë rast po flitet për dialogun, por transparenca e kësaj qeverie matet me përfshirjen e të gjitha subjekteve politike në këtë proces. Partitë nuk duhet të jenë spektatorë, por duhet të kontribuojnë në këtë proces”, ka shtuar Haxhiu.

Deputetja e AAK-së në fund ka thënë se deputetët duhet të jenë të informuar për marrëveshjet para se ato të nënshkruhen.

“Kuvendi duhet të jetë më mirë i informuar. Kërkesë e Kuvendit dhe jona si deputetë ka qenë që si përfaqësues të popullit të jemi mirë të informuar para se të nënshkruhen marrëveshjet, gjë e cila ka munguar deri tani”, ka përfunduar Haxhiu.

Krasniqi: Nuk janë publikuar disa nga marrëveshjet

Monitoruesja e procesit të dialogut me Serbinë, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për gazetën “Zëri” se nuk ka transparencë sa i përket dialogut të Brukselit.

“Nuk ka transparencë. Nuk ka pasur as nga Qeveria e kaluar dhe as nga kjo aktualja. Kujtojmë deklaratën e Avni Arifit, i cili pati thënë se janë pajtuar të mos flasin për medie për rezultatet e takimeve... As presidenti nuk është treguar transparent, edhe pse ka mbajtur konferencë për medie pas takimit të parë të fazës finale”, ka deklaruar Krasniqi.

Ajo më tej ka thënë se disa prej marrëveshjeve të arritura nuk janë publikuar në faqen e Qeverisë.

Ndërsa ka thënë se KDI-së i është refuzuar kërkesa për qasje në dokumentet zyrtare.

“KDI-ja ka kërkuar qasje në dokumente, konkretisht sa i përket planit të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësinë, por nuk është pranuar kjo kërkesë”, ka potencuar Krasniqi.

Ajo po ashtu ka thënë se Kuvendi i Kosovës ka qenë shumë i anashkaluar në këtë proces dhe se deputetët nuk ka qenë të informuar.

“Si KDI kemi kërkuar që të mbahet një seancë në fund të muajit të kaluar për çështjen e zbatimit të marrëveshjeve... Kurse sa i përket asaj që presidentit ka thënë se po pret ftesë nga Kryesia e Kuvendit për të raportuar në Kuvend e vërteta është se presidenti nuk ka nevojë që të presë ftesë, pasi ai mund t’ia kërkojë Kryesisë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme”, ka shtuar Krasniqi.  

Në fund Krasniqi duhet të sqarohet se cilat janë pritshmëritë kush do të jetë i përfshirë në këto bisedime, çka nënkupton marrëveshja ligjërisht e obligueshme dhe kush do të ofrojë garanci nga partnerët ndërkombëtarë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Ajo po ashtu ka thënë se presidenti Hasim Thaçi duhet ta sqarojë deklaratën e tij se nuk ka vija të kuqe në dialog dhe se ka theksuar se cilat duhet të jenë vijat e kuqe të Kosovës.

“Kurse vijat e kuqe të Kosovës janë sovraniteti dhe integriteti territorial, ruajtja e unitaritetit shtetëror, si dhe paraqitja si shtete të barabarta në organizmat ndërkombëtarë”, ka potencuar Krasniqi.