Dyzet deputetë, “adios” izolim!

Aktuale July 04, 2018 - 07:41
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Parlamentarët kosovarë po vazhdojnë të pajisen me pasaporta të Shqipërisë, ndonëse është çështje ditësh kur Komisioni Evropian pritet ta publikojë raportin për liberalizim të vizave. Vlerësohet se rreth 40 deputetë janë të liberalizuar, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Derisa qytetarët vazhdojnë të mos e gëzojnë lirinë e lëvizjes drejt Bashkimit Evropian (BE), deputetët dhe qeveritarët kosovarë po sigurojnë rrugë alternative për të udhëtuar pa viza.

Kjo gjë po u mundësohet këtyre të fundit nëpërmjet Shqipërisë, përkatësisht përmes dekretit për dhënie të shtetësisë shqiptare nga presidenti Ilir Meta.

Ky i fundit po vazhdon t’i pajisë me shtetësi shqiptare politikanët kosovarë, shkruan më tutje "Zëri". 

Vlerësohet se rreth dyzet deputetë të Parlamentit të Kosovës lëvizin pa viza drejt BE-së qoftë me pasaporta të Shqipërisë, të Serbisë (kryesisht deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës), si dhe me pasaporta të shteteve të ndryshme perëndimore.

Në anën tjetër, Kosova është në pritje të raportit nga Komisioni Evropian (KE), me të cilin do të vlerësohet nëse vendi e ka plotësuar kushtin e fundit për liberalizim të vizave, atë të luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Nëse rekomandimi i KE-së është pozitiv, atëherë vendimi për liberalizim duhet të kalojë edhe në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave të BE-së.

Zyrtarët qeveritarë shprehen optimistë se edhe qytetarët e Kosovës në fund të këtij viti do të mundë të udhëtojnë pa viza drejt BE-së, por njohësit e fushës së integrimeve evropiane thonë se një mundësi e tillë nuk do të ndodhë para gjysmës së dytë të vitit të ardhshëm, përkatësisht para 1 korrikut 2019.

Politikanët e liberalizuar

Një javë më parë me dekret të presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, katër deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë fituar shtetësinë shqiptare. Donika Kadaj-Bujupi, Ahmet Isufi, Gani Dreshaj dhe Daut Haradinaj kanë marrë së fundi shtetësinë e Shqipërisë.

Pos tyre, edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi (bashkë me familje), është pajisur me shtetësi nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Me këtë rast zyrtarët në fjalë mund të lëvizin lirshëm jashtë vendit pa pasur nevojë të presin për viza. Të pajisur me pasaportën e Shqipërisë janë edhe deputetët e LVV-së: Albin Kurti, Glauk Konjufca e Liburn Aliu, ata të PSD-së: Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, si dhe lideri i partisë, Shpend Ahmeti.

Në këtë listë hyjnë edhe deputetët e LDK-së, Arben Gashi e Mimoza Kusari-Lila.

Pos deputetëve, pasaportë të tillë kanë edhe zyrtarët e Qeverisë: kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, si dhe zëvendëskryeministri tjetër Behgjet Pacolli. Ky i fundit ka edhe shtetësi zvicerane.

Ndërkaq ka edhe deputetë të tjerë të cilët posedojnë pasaporta të vendeve të tjera tash e sa vite. Përderisa deputeti i Nismës Milaim Zeka ka pasaportën e Suedisë, ai i PSD-së Fisnik Ismaili është i pajisur me pasaportën e Britanisë së Madhe, kurse Faton Topalli (PSD) me atë të Zvicrës. Ndërkohë, edhe deputetët e Listës Serbe posedojnë pasaportat e Serbisë.

Familjarisht të pajisur me pasaportë të Shqipërisë

Më 25 qershor të këtij viti presidenti i Shqipërisë Ilir Meta nxori dekretin për dhënien e shtetësisë ndaj katër deputetëve kosovarë, si dhe ndaj kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi. Ky i fundit mori shtetësinë e Shqipërisë bashkë me bashkëshorten Sevdije Shala-Krasniqi dhe fëmijët: Çlirimtare, Gresa e Altin Krasniqi.

I kontaktuar nga “Zëri”, deputeti i AAK-së Ahmet Isufi, i cili sipas dekretit të fundit të presidentit Ilir Meta ka marrë shtetësinë e Shqipërisë bashkë me tre bashkëpartiakë të tij, duke mos dhënë detaje ka thënë se do ta njoftojë publikun kur ta marrë pasaportën.

“Kur të ma sjellin pasaportën ju tregoj”, ka thënë shkurt Isufi.

Mirëpo ka edhe të atillë deputetë të cilët nuk e kanë praktikuar këtë rrugë dytësore për të udhëtuar jashtë shtetit, porse detyrohet të pajisen me vizë për ta bërë një gjë të tillë.

Kurteshi: Zyrtarët duhet ta ndajnë fatin e njëjtë me qytetarët

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë se ai personalisht ka vetëm një shtetësi, ndonëse ka të atillë deputetë që kanë nga dy pasaporta.

“Evidenca nuk kam se kush çka ka, mund të them për veten time se e kam vetëm një shtetësi, e kam atë të Kosovës. Ka ndodhur që kam kërkuar vizë dhe më është refuzuar. Por natyrisht sa kam dëgjuar ka një numër deputetësh dhe zyrtarë të tjerë të lartë që kanë edhe dy shtetësi, që kanë edhe pasaporta të Shqipërisë ose të vendeve të tjera”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Por sipas tij zyrtarët shtetërorë duhet ta ndajnë fatin e njëjtë me qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Së pari, është krejt e padrejtë që Kosova ka mbetur i vetmi vend i izoluar. Por mendoj që të gjithë zyrtarët duhet ta ndajnë fatin e njëjtë me qytetarët për të bërë përpjekje për ta plotësuar edhe kushtin e fundit që është shumë serioz, për ta luftuar korrupsionin që është në mesin e zyrtarëve të lartë. Ata që duhet të dënohen kanë mundësi të udhëtojnë pa probleme, kurse qytetarët po e vuajnë dënimin”, ka shtuar ai.  

Reçica: Pa viza të udhëtojnë edhe qytetarët, jo vetëm deputetët

Duke folur rreth kësaj praktike, deputeti i PDK-së Elmi Reçica ka vlerësuar se deputetët e Kuvendit nuk duhet të pajisen me pasaporta të vendeve të tjera vetëm sa për t’ia mundësuar vetes që të lëvizin lirshëm jashtë vendit.

“Së pari, unë kam vetëm një shtetësi dhe një pasaportë, të Kosovës. Së dyti, jam kundër asaj që të marrim shtetësi për shkak të vizave. Po ka raste specifike që mund të kenë jetuar në një shtet dhe e kanë nënshtetësinë. Por ne duhet të koncentrohemi që ta fuqizojmë këtë shtet, ta marrim liberalizimin e vizave dhe të udhëtojnë jo vetëm deputetët, por të gjithë qytetarët pa viza”, ka deklaruar Reçica.

I pyetur nëse ka deputetë të PDK-së që kanë dy pasaporta, ai ka thënë se nuk ka informacion rreth kësaj çështjeje.

“Nuk di, nuk kam informacion se kush ka shtetësi të Shqipërisë ose të vendeve të tjera”, ka shtuar ai.

Zeka: BE-ja t’ua ndalojë lëvizjen zyrtarëve që janë në listën për korrupsion

Kurse deputeti i Nismës Socialdemokrate Milaim Zeka, i cili ka nënshtetësi suedeze tash e një kohë, ka thënë se deputetët që po pajisen me nënshtetësi të Shqipërisë nuk mund të rangohen në një listë me të. 

“E kam nënshtetësinë suedeze prej vitit 1987-’88. E dyta, unë e kam edhe nënshtetësinë e Kosovës, por nuk kam pasaportë të Kosovës. Ata që kanë marrë nënshtetësi të Shqipërisë, të Serbisë për të lëvizur, ata nuk hyjnë në kategorinë time, që e kam nënshtetësinë suedeze”, është shprehur ai.

Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet t’ua pamundësojë zyrtarëve shtetërorë, të cilat janë në listat e korrupsionit, që të lëvizin jashtë vendit.   

“Në qoftë se BE-ja do që ta luftojë korrupsionin dhe krimin në Kosovë duhet t’ua ndalojë ministrave dhe zëvendësministrave, deputetëve e politikanëve, të cilët janë në listë të korrupsionit, që të mos udhëtojnë nëpër Evropë”, ka shtuar ai.

Abazi: S’ka liberalizim, prandaj deputetët po pajisen me pasaporta dytësore

Teksa e ka komentuar praktikën e pajisjes me pasaportë të Shqipërisë, njohësi i çështjeve politike Haki Abazi ka vlerësuar se deputetët e Kosovës po e bëjnë një gjë të tillë për shkak se po e dinë që liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë edhe një kohë.

“Ata nuk po humbin kohë, po besojnë se kjo është e pamundur të ndodhë, andaj po shkojnë ta marrin nënshtetësinë në vendet e tjera. Do të thotë po përfitojnë, pasi po e dinë mirë që ne nuk i kemi plotësuar kushtet për liberalizim e as nuk jemi për së afërmi që t’i plotësojmë”, ka deklaruar ai.

Sipas Abazit, deputetët e kanë një të drejtë të tillë në aspektin ligjor, por jo edhe në aspektin moral.

“Është e lejueshme dhe e kanë atë të drejtë, por në aspektin moral dhe parimor natyrisht se nuk e kanë, pasi që ata janë njerëzit e parë që e kanë për detyrë ta mbajnë në llogaridhënie ekzekutivin”, ka potencuar ai.