MPJ tejkalon për 14 mijë e 700 euro pagesën e qirave për misionet diplomatike

Aktuale July 02, 2018 - 20:49
Detajet

Për pagesën e qirave të misioneve diplomatike të Kosovës në Londër, Tokio, Romë e Milano, Ministria e Jashtme ka tejkaluara shpenzimet për 14 mijë e 700 euro.

Tejkalimi i shpenzimeve shkon nga 50 euro deri në 1 mijë e 600, raporton lajmi.net.

Këto të paktën janë shifrat e gjetura nga Auditori në raportin për vitin 2017.

“MPJ, paguan qiratë për personelin në misionet diplomatike dhe konsullore në bazë të Udhëzimit Administrativ 03/2012. Në katër misione (Londër, Tokio, Romë dhe Milano) kemi gjetur se ka tejkalim të shpenzimeve të lejuara të qirasë mujore nga 50€ deri në 1,600€. Këto tejkalime kryesisht kanë të bëjnë me qiratë e Ambasadorëve dhe stafit konsullor në misionet e lartëcekura. Nga mostrat e testuara vlera e tejkalimeve ishte rreth 14,700€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Mbulimi i pozitave me ushtrues detyre

Rregullorja nr.06/2010 për procedurat e emërimit në shërbimin civil përcakton se asnjë pozitë e lartë drejtuese nuk mund të mbahet me ushtrues detyre më tepër se tre muaj. Në MPJ deri në fund të vitit 2017, tri pozita udhëheqëse mbaheshin me ushtrues detyre duke tejkaluar limitin e lejuar ligjor për mbajtjen e pozitës në këtë formë. Një nga ta është caktuar UD në vitin 2016 dhe dy të tjerët në muajt prill dhe maj 2017. Të njëtjit vazhdojnë ti mbajnë pozitat si UD deri në fund të auditimit për vitin 2017 (prill 2018).

Dobësi në arsyetimin e projekteve të subvencionuara

MPJ kishte bashkëfinancuar organizimin e panairit “Ditët e Prodhimeve të Kosovës” në Kroaci, në vlerë 3,850€. Sipas marrëveshjes, përfituesi i subvencionit ishte i obliguar që pas përfundimit të aktiviteteve, të përgatis raport pune për Ministrinë, të shoqëruar me dëshmitë financiare përkatësisht me faturat për shpenzimet e bëra. Përfituesi kishte sjellë një raport pune, dhe kishte lëshuar një faturë, mirëpo nuk janë bashkangjitur faturat origjinale për shpenzimet e udhëtimit dhe shpenzimet tjera që janë mbuluar nga MPJ.

Mangësi në vlerësimin e tenderit

Në procedurën e prokurimit “Mirëmbajtja e sistemit të vizave” (vlera e kontratës 191,160€), në kuadër të kërkesave për kapacitetin teknik dhe profesional në dosje të tenderit, ishte kërkuar që stafi i përfshirë në projekt (Udhëheqësi i Projektit dhe Ekspertët) të dëshmojnë përvojën e punës me referenca nga klienti në së paku dy projekte. OE fitues kishte siguruar vetëm listën e projekteve të realizuara nga stafi i tij, por jo referencat nga klientët siç ishte kërkuar në dosje të tenderit.

Nënvlerësim i gjendjes së pasurisë

MPJ nuk kishte arritur akoma të siguroj regjistrim të plotë dhe prezantim të saktë të gjendjes së pasurisë kapitale dhe inventarit në regjistra dhe në PFV. Kjo pasi ne kemi identifikuar pasuri të paregjistruara dhe gabime në regjistrimin e pasurive:  Pasuria e paprekshme (softuer) në vlerë prej 128,532€ të projektit “Krijimi· dhe vendosja e sistemit të vizave” e cila është marrë si donacion, në mungesë të dokumentacionit të pranimit, ende nuk ishte regjistruar në SIMFK. Për ketë çështje ne kemi rekomanduar edhe në vitet paraprake por nuk është adresuar;  57 kompjuterë dhe tetë makina fotokopjuese të blera në vitin 2017 në vlerë prej 78,502€, ishin regjistruar në Regjistrin kontabël – SIMFK me çmimin e blerjes pa TVSH. Si rrjedhojë vlera e tyre ishte nënvlerësuar për 7,083€;  Sipas UA 06/2012 për regjistrimin e pasurisë në Misione Diplomatike Konsullore, pasuria e blerë në MDK duhet të raportohet nga Zyrtari i pasurisë së MDK-së tek Zyrtari i Pasurisë në MPJ. Ne kemi vërejtur se pesë MDK3 nuk i kishin raportuar fare pasuritë për vitin 2017. Si rrjedhojë informatat e prezantuara rreth pasurisë së përgjithshme të Ministrisë nuk prezantojnë gjendjen reale.