Kryeziu: Kuvendi, institucioni i vetëm që duhet të vendos për formatin e dialogut

Aktuale June 21, 2018 - 13:15
Lexo detajet

Të dielën pritet të fillojë faza e finale e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë që presidenti, Hashim Thaçi ka vendosur të fillojë këtë fazë pa arritjen e konsensusit të gjerë politik dhe pa miratimin e një platforme për dialogun, transmeton "Zëri.info". 

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka sqaruar se pse Kuvendi është institucioni i vetëm që duhet të vendos lidhur me formatin e dialogut me Serbinë.

Ky është shkrimi i plotë e Kryeziut:

Pse Kuvendi është institucioni i vetëm që duhet të vendos lidhur me formatin e dialogut me Serbinë?

Ndjekja e rrugëve kushtetuese nuk ka alternativë

Asnjë institucion i Kosovës, sipas definicionit, nuk ka mandat kushtetues apriori për të dialoguar çështjet që prekin rendin kushtetues të përcaktuar me Kushtetutë. Kjo mund të bëhet vetëm me një rimandatim të ri përmes organit kushtetues që ka mandat kushtetues për të folur në emër të popullit – Kuvendit të Kosovës.

Presidenti i Kosovës është përfaqësues i unitetit juridik-kushtetues të popullit.

Unitetin juridik-kushtetues, Presidenti i Kosovës e realizon përmes ushtrimit të kompetencave të saj/tij kushtetuese nga neni 84 i Kushtetutës së Kosovës.Në kuadër të kërtyre kompetencave nuk hyn dialogimi për çështjet që kanë të bëjnë me bazat e rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror e territorial. Asnjë kompetencë nga neni 84 i Kushtetutës së Kosovë nuk është autonome, përkatësisht secila nga kompetencat e Presidentit ushtrohet në bashkëveprim me organet tjera: nganjëherë presidenti udhëheq e nganjëherë vulosë për tjerët. Në dy rastet veprimi i presidentit nuk ka asnjë vlerë pa kundërveprimin e organit tjetër kushtetues.Me Kuvendin e Kosovës , presidenti ka marrëdhënie horizontale, pra jo si pjesë e një vendimmarrje zinxhirore kundërvepruese të cilën Presidenti e kryen në bashkëpunim me disa organe tjera (zakonisht me Qeverinë). Kjo nënkupton se presidenti asnjëherë nuk mund të uzurpoj kompetencat e Kuvendit, qoftë ato të ligjvëniespo të përfaqësimit të sovranit të Kosovës. Raportimin në Kuvend, të cilin e bën Presidenti, çdoherë ka të bëj me fushveprimtarinë e saj/tij, konform nenit 84.30 të Kushtetutës të Kosovës.

Në këtë kuadër hyn edhe politika e jashtme: kompetenca e Presidentit të Republikës për të udhëhequr politikën e jashtme nga neni 84.10 të Kushtetutës nuk përbën një kompetencë autonome dhe substanciale.Kjo kompetencë ka të bëjë vetëm me përcaktimin e vijave të trasha të drejtimit të politikës së jashtme dhe asnjëherë nuk përmban kompetenca ekzekutive për Presidentin. Ato përcaktime të vijave të trasha të politikës së jashtme ndihmohen dhe ndikohen nga Kuvendi i Kosovës në mënyrë të rregullt, kurse Qeveria përbën organin kompetent për vënien në jetë të politikës së jashtme të skicuar ne Presidenti por gjithnjë me miratimin e Kuvendit.

Në kompetencat e presidentit, por të asnjë organi tjetër kushtetues, nuk hyn dialogimi për çështjet që kanë të bëjnë me nenin 18.1 të Kushtetutës: këto çështje në tërësi janë prerogativë e Kuvendit të Kosovës. Presidenti ka prerogativë nga ky nen vetëm sa i përket paragrafit të tij të dytë dhe atë prapë duke e informuar Kuvendin e Kosovës. Për nga natyra e tyre juridike dhe efekti, çështjet që përshkruhen në nenin 18.1 të Kushtetutës nuk përbëjnë kompetenca por norma kushtetuese, cenimi i të cilave tërheq me vete sanksion kushtetues, politik dhe penal.

Se fjala është për kompetenca ekskluzive të Kuvendit, qartë shihet nga fakti se nuk figurojnë në nenin 65 të Kushtetutës: pika 4 e këtij neni flet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, kurse neni 18.1 e bën të qartë se çështjet që prekin rendin kushtetues dhe vullnetin e sovranit të Kosovës duhet të ratifikohen nga Kuvendi me një shumicë të kualifikuar prej dy të tretave. Thënë me fjalë tjera , Kuvendit Kushtetuta ia bën të qartë se ratifikimi nga neni 18.1 i Kushtetutës është ratifikim i atillë ku Kuvendi nuk vepron si ligjvënës por si përfaqësues i sovranit të Kosovës. Këtë të drejtë nuk e ka as Presidenti e as Qeveria: i pari përfaqëson unitetin juridik-kushtetues dhe institucional në kuadër të kompetencave të saj/atij, kurse i dyti ekzekuton politikat e organeve tjera kushtetuese.

Derisa uniteti juridik – kushtetues dhe garantimi i stabilitetit institucional që kryen Presidenti zhvillohet në mënyrë abstrakte, përfaqësimi i sovranit nga ana e Kuvendit kryhet në mënyrë konkrete dhe është pjesë e pandarë e natyrës së secilit organ përfaqësues. Ky standard ekziston në të gjitha kushtetutat e vendeve demokratike në Evropë dhe andej Atlantikut: për çështjet që kanë të bëjnë me rendin kushtetues dhe territorin shtetëror çdoherë kërkohet bekimi dhe involvimi i organit përfaqësues të popullit, parlamentit. Ky involvim bëhet jo me rezolutë të organit përfaqësues të popullit , parlamentit, që nuk ka forcë juridike të detyrueshme, por me një vendim të veçantë në të cilin përcaktohen mandate si dhe kushtet e pikat e qarta të referimit.

Një vendim i tillë kërkohet çdoherë kur bëhet fjalë për çështjetnga neni 18.1 i Kushtetutës: askush nuk mund të marrë detyrim ndërkombëtar në emër të Kosovës për çështjet nga ky nen pa pasur autorizim shprehimor nga ana e organit përfaqësues. Kjo ka rëndësi të ceket këtu sepse dialogu me Serbinë është dialog që prek rendin ksuhtetues dhe çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës.

Ka edhe një arsye tjetër që ka natyrë ndërkombëtare dhe që ka rëndësi të theksohet këtu më këtë rast. Ajo ka të bëj me ndërvarshmërinë e çështjeve nga neni 18.1 i Kushtetutës me ato nga standardet respective ndërkombëtare : askush nuk ka të drejtë të dialogojë në mënyrë autonome për cështjet që kanë të bëjnë me territorin, paqen, aleancat ushtarake dhe politike, futjen e shtetit në borgj dhe kështu me radhë sepse neni 7 lidhur me nenin 31 të Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve (1969), por edhe vetë e drejta ndërkombëtare zakonore , në mënyrë autonatike mbajnë përgjegjës ndërkombëtarisht shtetin në rastet kur detyrimet si më sipër janë kontraktuar përmes organeve kushtetuese që cilat nuk kanë nevojë për mandat shprehimor për një gjë të tillë (shefi i shtetit, kryetari i qeverisë dhe ministri i jashtëm).

Kjo përbën arsye shtesë pse as Qeveria e as Presidenti nuk mund të jenë iniciues apo ekzekutues të një platforme për dialogim për çështjet që prekin temat nga neni 18.1: kontraktimi i detyrimeve të tilla për dhe në emër të Kosovës duhet të bëhet vetëm me mandat të ri dhe jo përmes futjes së Kosovës në detyrime ndërkombëtare sipas automatizmit. Kjo , në fakt, është arsyeja pse cdo kushtetutë përmbanë dispzoita kushtetuese që kufizojnë veprimet e shefit të shtetit dhe të ekzekutivit për të kontraktuar në mënyrë autonome detyrime ndërkombëtare që kanë të bëjnë me territorin, sovranitetin territorial, borgjin e jashtëm, financat dhe bugjetin në mënyrë autonome Një gjë e tillë nuk hyn në kompetencat e tyre kushtetuese.

Çështja e marrëdhënieve tona me Serbinë nuk është çështje e politikës së jashtme por një çështje që ka të bëjë me marrëdhëniet tona me një vend që konteston qenien tonë si shtet sovran dhe i pavarur: udhëheqja me politikën e jashtme nga ana e Presidentit ka të bëj me kahet e politikës së jashtme institucionale brenda kornizës së paracaktuar kushtetuese dhe ligjore për secilin vit, veç e veç, jo me adresimin e marrëdhënieve të Kosovës me një shtet që permanent konteston qenien shtet dhe sovranitetin e Kosovës.

E njejta vlenë edhe për Qeverinë: ky organ nuk ka mandat kushtetues për të propozuar platforma për dialogim për çështjet që kanë të bëjnë me nenin 18.1 të Kushtetutës, sepse këto çështje fare nuk implikojnë kompetencat kushtetuese të Qeverisë. Platforma e Qeverisë e ditëve më parë, e shikuar në këtë aspekt, qartë shihet se ka tejkaluar kompetencat e saj: këtu nuk bëhet fjalë për ekzekutim të politikave ekzistuese të jashtme nga ana e Qeverisë, të përcaktuara nga organet tjera kushtetuese, por për ndërtim të një politike të re rreth çështjeve nga neni 18.1 i Kushtetutës. Në këtë kuptim, në Kushtetutën e Kosovës nuk mund të gjendet asnjë bazë për dialogim autonom për çështjet nga neni18.1 i Kushtetutës : një gjë e tillë duhet të bëhet ekskluzivisht përmes aktivizimit të Kuvendit, jo si ligjvënës, por si përfaqësues i popullit të Kosovës dhe i vullnetit të tij sovran. Kjo është kështu gjithnjë sepse, si e tillë, çështja në fjalë nënkupton dhe involvon ruajtjen e rendit kushtetues dhe sovran të Kosovës të përcaktuar me Kushtetutën e vitit 2008

Propozimi në dritën e nenit 18.1 të Kushteutës

Në dialogim me Serbinë, i cili synon të përfundoj me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për palët, duhet të bëhet dallim i qartë në mes të punës së përditshme të organeve kushtetuese (Presidenti, Qeveria dhe Kuvendi) në vijim të ushtrimit të kompetencave të tyre kushtetues, në njërën anë, dhe përpjekjeve të Kosovës për konsolidim të shtetësisë së saj ndërkombëtare, në anën tjetër. Këto dy gjëra duhet rreptësishtë të ndahen : çdo përpjekje e Kosovës për konsolidim të shtetësisë së saj domosdo dhe pashmangësisht prek çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës. Këto çështje në asnjë mënyrë nuk janë prerogativë e organeve kushtetuese që kanë mandat për të qeverisur Kosovën (Qeveria) , përkatësisht për të garantuar unitetin juridik-kushtetues të popullit dhe stabilitetin institucional (Presidenti).

Çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës janë çështje të ushtrimit të vullnetit sovran të popullit të Kosovës dhe manifestim i identitetit të tij kushtetues. Në fund të dialogut, këto çështje potencialisht çojnë në ndryshime kushtetuese, gjë që nënkupton se vetëm Kuvendi si përfaqësues i sovranit ka autorizim pafund për të skicuar dhe modeluar çdo format dialogimi që prek çështjet që i takojnë atioj dhe vetëm atij e që kanë të bëjnë me nenin 18.1 të Kushtetutës. Meqenëse preken çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës dhe potencialisht çojnë në ndryshime kushtetuese, pashmangësisht del se çdo vendim në Kuvend për këtë qëllim duhet të miratohet me votat e dy të tretave të të gjithë anëtarëve të tij.

Një vendim i tillë i Kuvendit, i miratuar sipas dispozitave të nenit 18.1 i Kushtetutës , asnjëherë nuk mund të ketë formën e rezolutës apo të një vendimi tjetër që nuk ka fuqi juridikisht të detyrueshme: nuk ka asnjë logjikë juridiko-kushtetuese, politike dhe morale që Kuvendi të legjitimoj një dialog që prek çështjet e tij nga neni 18.1 dhe që mëton të mbyllet me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me një dokument që vetë nuk ka fuqi juridikisht të detyrueshme (sic!). Kjo nënkupton se Kuvendi duhet ët shërbej si forum për farkëtim të kohezionit shoqëror dhe politik në Kosovë për të adresuar çështjet që burojnë nga neni 18.1 i Kushtetutës sepse këto çështje prekin aspektet e sovranitetit popullor, përfaqësues i të cilit është vetëm Kuvendi dhe askush tjetër. Ushtrimi nga ana e Qeverisë apo Presidentit i një roli prijës për çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës përbën uzurpim të pushtetit shtetëror të ndarë sipas Kushtetutës dhe shkelje të rëndë kushtetues për shkak se një gjë e tillë nuk hyn në kuadër të kompetencave kushtetuese të këtyre dy organeve, ashtu siç u përshkruan më sipër. Kompetencat nga neni 18.1 i Kushtetutës i takojnë vetëm përfaqësuesit të sovranit të Kosovës, asnjëherë përfaqësuesit të unitetit juridik-kushtetues të popullit të Kosovës dhe garantuesit të stabilitetit institucional - Presidentit. Këto kompetenca edhe më pak i takojnë ekzekutivit kosovar, i cili asnjëherë dhe në asnjë vend, pa marrë parasysh sistemin e qeverisjes, nuk ka kompetenca për të vendosur për paqen , territorin, aleancat politike, futjen e shtetit borxh me jashtë dhe kështu me radhë.

Nga kjo që u tha rrjedh se vetëm Kuvendit të Kosovës, dhe askujt tjetër , i takon që, në cilësinë e përfaqësuesit të sovranit, pra jo si ligjvënës, të bjen vendim lidhur me formatin e dialogut me Serbinë përmes një vendimi të detyrueshëm që themelon një trupë ad hoc për dialogim me Serbinë me qëllim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve substanciale me këtë shtet dhe që kanë të bëjnë me çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës së Kosovës. Kjo trupë ad hoc e themeluar nga Kuvendi duhet të përfaqësoj të gjithë akterët institucional, shkencor-hulumtues, etnik, fetar, social, kulturor dhe tjetër të Kosovës. Ky vendim i Kuvendit duhet të qartësoj mirë kushtet e dialogut dhe pikat kyçe të referimit , përfshirë ne vecanti mandatin kohor dhe substancial të trupave dialogues me Serbinë.