Meta dhe presidenti i Bundestagut flasin për përfundimin e dialogut Kosovë-Serbi

Aktuale June 15, 2018 - 18:10

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, u prit sot nga Presidenti i Bundestagut të Gjermanisë, Wolfgang Schäuble.

Meta,shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen e gjithanshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, 30 vite bashkëpunim diplomatik dypalësh.

Në këtë takim u fol edhe për zhvillimet në rajon, duke përfshirë edhe rëndësinë e përfundimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në mënyrë të veçantë, Meta vlerësoi rolin dhe angazhimin e Gjermanisë në drejtim të integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Duke iu referuar progresit të bërë në përmbushjen e prioriteteve kyçe, ai theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që do të kishte një vendim pozitiv i Bundestagu gjerman në favor të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

“Çelja e negociatave vetëm do të na ndihmonte më shumë për të adresuar më mire të gjitha prioritetet dhe përmbushur standardet dhe kriteret e nevojshme, si dhe do të jepte një sinjal shumë pozitiv për të gjitha forcat në rajon”, tha Meta, thuhet ne komunikatën e Presidencës.

Gjatë takimit u vlerësua premtuese dhe inkurajuese marrëveshja mes qeverisë greke dhe asaj maqedonase për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë shqetësimin për çështjet e sigurisë që kërcënojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe theksuan nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë në këtë drejtim, si në nivel dypalësh ashtu edhe në atë rajonal e evropian.