‘Për gjithçka po debatoni’, ‘A pom len me fol tash?‘ – Përplasja e Albulena Haxhiut me Xhavit Halitin

Aktuale June 14, 2018 - 11:11
Lexo tjera detaje

Kryesuesi i seancës së Kuvendit, Xhavit Haliti është përplasur me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, gjatë seancës së sotme të Kuvendit.

Ishte deputetja e LVV’së e cila po insistonte që t’i lexonte rekomandimet që kishin dalë nga interpelanca e kryeministrit Haradinaj për krimin e organizuar dhe korrupsionin, pas ankesave të shefave të Grupit Parlamentar se nuk janë të njoftuar me atë rezolutë.

Ajo u nervozua kur fjalën ia ndërpreu kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, i cili i tha Haxhiut që ato rekomandime është dashur t’u dorëzohen me shkrim deputetëve.

E ndërhyri menjëherë deputetja e VV’së.

Ajo i tha Halitit se i është bërë praktikë që secilën herë të ndërhyjë në fjalën e deputetëve.

“Ki të drejtë sa herë të dush me fol. Mos më ndërprej tash. Nuk mundesh me ndëpre fjalën e secilit deputet”, i tha Haxhiu Halitit.

E ky i fundit reagoi sërish.

“Është bërë praktikë që të debatoni për çdo gjë. Nuk jemi duke debatuar këtu. Jemi duke votuar për një rezolutë”, tha Haliti.

“A pom len me fol. Këto rekomandime nuk janë lexuar asnjëherë. Andaj më lejoni që t’i lexoj rekomandimet”, reagoi Haxhiu, e cila vazhdoi të lexojë rezolutën.