Koncert festiv në Drenas

Aktuale June 14, 2018 - 09:44

Komuna e Drenasit ka vendosur që me një sërë aktivitetesh ta shënojë me qytetarët 19 vjetorin e Ditës së Çlirimit të këtij qyteti nga okupatori serb.

Drenasi këtë ditë e nis fillimisht me homazhe në varrezat e dëshmorëve të kësaj komune, ku më pas është paraprë dhe Seancë Solemne e Kuvendit Komunal ku fjalim rasti pritet të mbajë Kryetari Ramiz Lladrovci.

Përveç kësaj komuna ka menduar që të argëtojë edhe fëmijët në këtë ditë të veçantë, pasi do të ketë edhe shfaqje teatrore për fëmijë në Sallën e Kulturës së Drenasit ”Rifat Kukaj”.

Po ashtu do të ketë dhe hapje të një Panairi të vogël të Librit në Sheshin ”Fehmi dhe Xhevë Lladrovci” si dhe do të përcillet me hapje të një ekspozite nga Shoqata e Piktorëve e kësaj komune.

Për të shënuar 19 vjetorin e Çlirimit të Drenasit, komuna ka vendosur të mbajë edhe një koncert festiv ku pritet të performojnë këngëtarë të shumtë kosovarë.