'Republika e Maqedonisë së Veriut', e pranueshme për shqiptarët

Aktuale June 14, 2018 - 07:52
Mësoni më shumë shumë detaje

Përfaqësuesit politikë dhe analistët shqiptarë në Maqedoni e kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur me Greqinë për emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”, e cila, siç thonë ata, ia hap rrugën vendit për integrim në NATO dhe në Bashkim Evropian (BE), shkruan Gazeta "Zëri".

Muhamed Zekiri, deputet shqiptar i partisë së kryeministrit Zoran Zaev, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se thonë se një marrëveshje e tillë për emrin mund t’i pengojë vetëm opozitës maqedonase dhe presidentit George Ivanov. “Duhet uruar kryeministrin e vendit Zoran Zaev për lidershipin e treguar në zgjidhjen e këtij kontesti 27-vjeçar me fqinjin tonë jugor. Gjithsesi merita dhe përgëzimet shkojnë edhe për kolegun e tij grek, Tsipras. Në Maqedoni reagimet janë të ndryshme për këtë marrëveshje, por e mira është se dominojnë ato pozitive, që përshëndesin arritjen e marrëveshjes. Zgjidhja u pengon vetëm forcave destruktive në vend dhe qarqeve nacionaliste në bllokun politik maqedonas, posaçërisht opozitës VMRO-DPMNE dhe presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov”, ka thënë ai.

Zekiri ka shtuar se shqiptarët në Maqedoni e kanë mirëpritur një marrëveshje të tillë. “Sa u përket shqiptarëve në Maqedoni, ata e kanë mirëpritur dhe e kanë përshëndetur pa mëdyshje arritjen e marrëveshjes. Është e rëndësishme se bashkëqytetarët tanë maqedonas arritën ta ruajnë identitetin e tyre dhe gjuhën, që kontestoheshin nga Greqia”, tha më tutje Zekiri.

Ai theksoi se shqiptarët në Maqedoni gjithmonë kanë pasur mirëkuptim për çështjen e emrit, pasi që, sipas tij, shqiptarët dhe shumica e qytetarëve të Maqedonisë synim kryesor e kanë pasur anëtarësimin në NATO dhe në BE, porse, siç tha ai, ky kontest ka qenë pengesa e fundit për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane.

Hajdari: Shqiptarët s’kishin alternativë

Fejzi Hajdari, analist shqiptar në Maqedoni, ka thënë për “Zërin” se shqiptarët pa pasur një alternativë tjetër kanë vendosur ta mirëpresin një marrëveshje të tillë, në mënyrë që vendit t’i hapen dyert për në NATO dhe në BE. Ai ka kritikuar politikanët shqiptarë në Maqedoni për mospërfaqësim të denjë të popullatës shqiptare.

“Popullata shqiptare nuk kishte alternativë tjetër, përpos ta mirëpresë marrëveshjen, sepse faktori politik shqiptar në Qeveri, sidomos Ali Ahmeti me partinë e tij, që është tanimë 16 vjet në pushtet, nuk ka asnjë ndikim në vendimmarrje në ekzekutiv. BDI-ja ka qenë në “out” gjatë gjithë kohës, derisa është negociuar marrëveshja për emrin”, ka thënë ai.  

Sipas tij, nëse ratifikohet kjo marrëveshje do të hapet edhe perspektiva për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, sidomos për rininë shqiptare, e cila, siç ka thënë ai, çdo ditë në mënyrë masive po ikën pikërisht për shkak të dështimit të politikës shqiptare në Qeveri dhe mungesës së perspektivës.

“Shqiptarët e Maqedonisë në këtë aspekt ‘të papërfaqësuar’ kanë qenë edhe deri tani. Shqiptarët s'kanë çfarë humbin me këtë. Janë pikërisht maqedonasit që do të ndryshojnë identitetin dhe do të kenë edhe probleme të tjera të po kësaj natyre. Reagimet e para të disa opozitarëve maqedonas dhe të qarqeve nacionaliste tanimë dëshmojnë se një pjesë e tyre nuk janë të kënaqur me këtë”, theksoi më tutje ai. 

Ndërkohë, sipas tij, ata maqedonas që e kundërshtojnë këtë marrëveshje janë ata që deri dje e mbështesnin Rusinë dhe Serbinë.

Mehmeti: Integrimi në BE e në NATO, arsye që shqiptarët i thanë “Po” kësaj marrëveshjeje

Ndërkaq Ibrahim Mehmeti, analist shqiptar nga Maqedonia, tha se fillimi i zgjidhjes së çështjes së emrit të Maqedonisë ka ardhur si lehtësim i madh për të gjithë ata që dëshirojnë ta shohin Maqedoninë në shoqërinë e shteteve anëtare të NATO-s dhe të BE-së. “Kjo është pritur me padurim nga shqiptarët në Maqedoni, të cilët në përgjithësi janë përkrahës të mëdhenj të integrimeve euroatlantike. Sa i përket vetë emrit të ri të propozuar, ai është ndoshta varianti më neutral nga ato që janë propozuar gjatë negociatave të udhëhequra nga OKB-ja”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ai tha se edhe gjatë arritjes së kësaj marrëveshjeje më shumë është llogaritur interesi i popullatës maqedonase dhe krejt kjo, sipas tij, nga pasiviteti i politikanëve që përfaqësojnë interesat e shqiptarëve në Maqedoni.

“Është fakt se gjatë formulacionit të zgjidhjeve të mundshme është mbajtur llogari për komunitetin maqedonas dhe jo aq shumë për shqiptarët, por kjo është rezultat edhe i pasivitetit të politikanëve, por edhe i shkencëtarëve dhe intelektualëve shqiptarë”, tha ai.

Megjithatë, ai tha se është vështirë të jepet vlerësim i plotë për marrëveshjen përderisa nuk është e njohur përmbajtja e marrëveshjes, e cila, siç tregoi ai, pritet të publikohet pas nënshkrimit të saj nga të dyja palët, gjë që pritet të ndodhë deri të hënën e ardhshme.

Ndërkohë, arritjen e kësaj marrëveshjeje e ka mirëpritur edhe partia e Ziadin Seles, Aleanca për Shqiptarët. “Ky propozim është një emërtim i pranueshëm për të gjithë dhe nuk e dëmton realitetin multietnik të Maqedonisë, për dallim nga propozimi paraprak i Qeverisë, madje i promovuar nga BDI-ja, që shteti të mbajë një emër me karakter historik dhe fetar. Aleanca për Shqiptarët në parim e përkrah këtë emër dhe shpreh gatishmëri për ta ratifikuar në Kuvendin e RM-së, si dhe për t’i thënë ‘Po’ referendumit, përmes të cilit qytetarët do ta japin fjalën e fundit”, ka thënë ai./ZËRI