Rritja e pagave, mbi supet e taksapaguesve të varfër

Aktuale June 13, 2018 - 15:12
Lexo detajet

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, nga përfaqësues të punëtorëve dhe ligjërues të politikave sociale, po cilësohet diskriminues, skandaloz dhe abuzim me paranë publike.

Sipas tyre, kjo rritje krijon diferencë të madhe të pagave, jo vetëm në raport ndaj sektorit privat, por edhe përbrenda vet sektorit publik.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është shprehur kundër vendimit për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, duke rikujtuar Qeverinë se po krijon ndasi të mëdha në paga mes punonjësve.

Avni Ajdini, kryetar i kësaj sindikate tha për Radion Evropa e Lirë, se pagat duhet të rriten si për punonjësit e sektorit publik ashtu edhe atë privat. Ai tha se është shqetësuese diferenca e krijuar mes pagave dhe në këtë mënyrë, punëtorët e sektorëve të tjerë ndihen të diskriminuar.

“Nëse bëhet një seleksionim, atëherë është një degradim dhe nënçmim i pjesës tjetër të punëtorëve, të cilin vendim ne nuk mund ta pranojnë. Por, në tërësi duhet të tërhiqet një paralele e përbashkët dhe pagat të rriten për të gjithë pa e diskriminuar askënd”, thotë Ajdini.

Në anën tjetër, Artan Mustafa kërkues dhe ligjërues i politikave sociale, thotë se këto pagesa dhe privilegjet e zyrtarëve të lartë shtetërorë, po financohen nga buxheti i përgjithshëm.

Kurse rreth 85 për qind e buxhetit të Kosovës, thotë ai, përbëhet prej taksave të konsumit, që i bie se të varfrit kontribuojnë më shumë në buxhetin kombëtar sesa njerëzit që janë në pozitë më të favorshme ekonomike.

Mustafa thotë se në bazë të pasurisë së deklaruar në vitin 2017, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pranon të ardhura mujore rreth 114 herë më të larta sesa vlera e ndihmës sociale. Kurse vetëm paga e kryeministrit është 28 herë më e lartë sesa vlera e asistencës sociale.

“Nëse llogarisim pagën e kryeministrit të Kosovës, do të jetë gjashtë herë më e madhe sesa të ardhurat mesatare mujore të një familjeje në Kosovë. Pra, ky vendim do të rrisë varfërinë dhe pabarazinë në Kosovë nga këndvështrimi relativ”, thotë Mustafa.

Sipas vendimit të marrë në muajin dhjetor, i cili është shfuqizuar të martën, pasi që Gjykata Kushtetuese nuk e cilësoi atë në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të rritet në 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, tani do të jetë 2,000 euro. Kurse, mbi 70 zëvendësministra, të emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore prej 1,150 euro.

Po ashtu, vendimi është i favorshëm edhe për 600 gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët do të përfitojnë pagën mbi 3000 euro, nga rreth 1500 euro sa e kanë aktualisht.

Në anën tjetër, paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave zyrtare është 525 euro, 371 euro në sektorin privat kurse paga minimale vazhdon të mbetet nga 130 deri 170 euro në muaj.

Mësimdhënësit në universitet marrin pagë mbi 1000 euro në muaj, profesionistet shëndetësore të të gjitha lëmive paguhen me rreth 600 euro në muaj, kurse mësimdhënësit në arsimin fillor dhe të mesëm nga 400 deri në 450 euro.

Pensionistët kontributpagues marrin nga 158 deri 240 euro, asistencat sociale kapin shumën prej 50 deri 150 euro varësisht nga numri i anëtarëve të familjes, kurse pensionet e moshës janë 80 euro në muaj.

Rritja e pagave mujore për zyrtarët shtetërorë, sipas Artan Mustafës, në mënyrë zinxhirore do të diktojë edhe përfitime tjera.

“Kjo rritje i kontribuon vazhdimësisë së privilegjeve, në kuptimin se ata automatikisht marrin më shumë nga kursimet pensionale, garanci përmes sigurimit shëndetësor dhe përfitojnë më shumë nga skema e pushimit të lehonisë. Do të thotë, secili vendim në mënyrë zinxhirore po u shkon këtyre dallimeve burokratike”, thotë Mustafa.

Kosova llogaritet vendi më i varfër në Evropë. Shkalla e papunësisë është 30.5 për qind, kurse rreth 17.6 për qind të popullatës jeton në varfëri të plotë me vetëm 1.82 euro në ditë për një person të rritur, ndërsa 5.2 për qind e popullatës jeton në varfëri ekstreme me 1.30 euro në ditë. /Rel/