Hepatitin e ‘fitojnë’ 100 punëtore të higjienës në ambulancat në veri

Aktuale June 03, 2018 - 16:29
Lexoni më shumë detaje

Sipas prof. dr. Aleksander Çorac, profesor në Fakultetin e Mjekësisë në veri të Mitrovicës, rreth 100 punëtore që mbajnë higjienën në institucionet shëndetësore në veri janë sëmurë nga hepatiti që është transmetuar nëpërmes të shiringave dhe gjilpërave të përdorura, të hedhura në kontejnerë bërlloku, shkruan "Zëri". 

Sistem i menaxhimit me mbetjet industriale në veri të Kosovës nuk ekziston, që do të thotë se mbetjet medicinale zakonisht përfundojnë në kontejnerë bërlloku dhe kjo paraqet rrezik për qytetarët, por më së shumti për vetë stafin medicinal në institucionet shëndetësore në veri.

Rreth 100 punëtore që mbajnë higjienën në institucionet shëndetësore në veri të Mitrovicës dhe në komunat tjera veriore kanë “fituar” sëmundjen e hepatit, pasi që janë therë në gjilpëra e përdorura që nuk janë larguar nga shiringat dhe janë hedhur në kontejnerë.

Mënyra e vetme për ta zgjidhur këtë problem është implementimi kualitativ i sistemit të menaxhimit me mbetjet medicinale, është konstatuar në një diskutim në temën “Menaxhimi me mbetjet medicinale në veri të Kosovës”, në kuadër të programit “Vendi i përgjegjësisë”, të cilin e përcjellin mediat lokale serbe në veri të Mitrovicës, shkruan më tutje "Zëri". 

Prof.dr. Aleksander Çorac, profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin serb të Prishtinës në Mitrovicë, ka vlerësuar se përgjithësisht sistemi i menaxhimit me mbetjet medicinal është i keq në gjithë Kosovën, por gjendja më e keqe është në mjediset serbe.

 

“Duhet gjithsesi që të ketë një menaxhim me mbetjet medicinale, por fatkeqësisht nuk ka. Përgjithësisht në gjithë Kosovën gjendja është e keqe, në mjediset shqiptare menaxhimi me mbetjet medicinal është shumë pak i zhvilluar, ndërsa ne që 10 vjet  insistojmë që të fillohet me implemenimin e sistemit të menaxhimit me mbetjet medicinale në mjediset serbe në Kosovë, jo vetëm në veri. Mbetjet medicinale zakonisht hidhen në kontejner bërlloku dhe ky është rreziku më i madh. Rrezikun nga mbetjet medicinale e kanë përjetuar personeli dhe stafi tjetër në institucone shëndetësore dhe se numri më i madh i transmetimit të  sëmundjes së hepatit nga mbetjet industriale ka ndodhur tek stafi i punëtorëve shëndetësor, sidomos në tek punëtoret e higjienës”, ka thënë Çorac, raporton "Zeri.info".

Sipas tij, shiringat hidhen pa i larguar gjilpërat dhe në këtë mënyrë punëtoret e higjienës therrën në gjilpëra dhe në këtë mënyrë kanë fituar sëmundjen e hepatitit.

“Për shembull janë sëmurë 100 punëtore që mbajnë higjienën, ndërsa ka mundur të sëmurën vetëm dy, sikur të kishte sistem të menaxhimit me mbetjet medicinale. Ato janë there në ato gjilpëra dhe në këtë mënyrë kanë fituar sëmundjen e hepatitit. Rreziku është i madh edhe për qytetarët, sepse edhe tek ata mund të transmetohen sëmundjet,  ashtu siç ka ndodhur me punëtoret e higjienës në institucionet shëndetësore. Nëse është në pyetje një gjilpërë e shfrytëzuar për gjak ose çfarëdo tjetër nga pacienti që ta zëmë ka pasur sëmundjen e hepatitit, atëherë edhe personi që theret me këtë gjilpërë do ta fitojë këtë sëmundje. Zgjidhja e vetme është që ta vendosim një sistem të menaxhimit të mbetjeve medicinale”, ka sqaruar Çorac.

Ai thotë se sa u përket mbetjeve medicinale gjendja kaotike është në gjithë Kosovës, duke shtuar se nuk ka as përgjegjës për këtë gjendje.

“Nuk mund ta drejtosh gishtin nga dikush dhe të thuash ky është fajtori. Nuk mund t’i thuash askujt se për ç’arsye nuk ka sistem të menaxhimit të mbetjeve medicinale. Tani është paralajmëruar të hapet deponia në ‘Savina Stena’. Është një projekt për çdo lëvdatë. Më përpara ka qenë deponia në ‘Ballaban’, e cila është mbyllur në vitin 2011, ndërsa tani është viti 2018 dhe që 7 vjet mbetjet medicinale dhe mbeturinat tjera i hedhin kudo, ku të mbërrijmë”, ka thënë ai, raproton "Zëri".

Për profesorin Çorac, zgjidhja e vetme është zbatimi i një projekti për menaxhimin e mbetjeve industrial.

“Duhet të ketë një sistem kualitativ dhe me përgjegjësi të menaxhimi me mbetjet medicinale. Vendoset sistemi i menaxhimit, definohet në secilin repart njerëzit e ngarkuar për menaxhim me mbetjet medicinale, tekniku dhe menaxheri i mbetjeve medicinale. Dhe këta dy persona pastaj e përcjellin zinxhirin deri te burimi dhe në këtë mënyrë në secilen ambulancë kemi dike të ngarkuar për mbetjet medicinale. Për ta realizuar këtë nuk duhet shumë para”, ka precizuar profesori Çorac.

Ndryshe, përfundimi i punëve në ndërtimin e deponisë rajonale në “Savina Stena” në veri të Mitrovicës, për të cilën BE-ja ka investuar 5 milionë euro pritet në muajin shtator, ndërkohë kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, ka paralajmëruar edhe një projekt për riciklimin e mbeturinave në këtë deponi, posaçërisht për trajtimin e mbetjeve medicinale. /ZËRI/