Të përçarë për Thaçin kryenegociator

Aktuale June 02, 2018 - 07:52
Lajmet

Ndonëse të hënën pritet të shkojë në Kuvend platforma për dialogun me Serbinë, e miratuar tashmë nga Qeveria, po vazhdon të mos mbështetet nga disa prej subjekteve politike. Përpos që po konsiderohet e mangët, disa prej partive nuk po e pranojnë as faktin që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të jetë kryenegociator i dialogut nga pala kosovare, shkruan sot Gazeta Zeri.

Ani pse sipas platformës në fjalë Thaçi është ai i cili do ta drejtojë këtë proces, partitë të cilat po e kundërshtojnë një gjë të tillë po shpresojnë se kjo pikë mund të hiqet pas ndryshimeve që mund të bëhen në draftin aktual.
Pos Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) e Partisë Socialdemokrate (PSD), të cilat nga këndi opozitar nuk po e pranojnë faktin që kreu i shtetit të jetë kryenegociator, edhe Nisma Socialdemokrate nga pozita nuk po rresht së kundërshtuari një gjë të tillë.
Në anën tjetër, monitoruesit e punës së Kuvendit kanë konsideruar se miratimi i një platforme për fazën finale të dialogut është tejet e rëndësishme për Kosovën, porse versioni i tanishëm duhet të plotësohet nga deputetët pasi është mjaft i varfër.

Hoti: Nuk është i rëndësishëm emri i udhëheqësit të dialogut, por formati

Pavarësisht se LDK-ja vazhdimisht ka deklaruar se presidenti Hashim Thaçi nuk duhet në asnjë formë ta drejtojë procesin e dialogut, Hoti ka thënë se nuk është i rëndësishëm emri i udhëheqësit sa është i rëndësishëm formati e temat për të cilat do të diskutohet.

“Tema se kush duhet t’i udhëheqë bisedimet nuk është tema më e rëndësishme e këtij procesi. E rëndësishmja është të dakordohemi për formatin e këtij dialogu, për temat që do të diskutohen”, ka deklaruar ai, duke thënë se LDK-ja së shpejti do të dalë me qëndrim rreth platformës.

Ndërkaq kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka konsideruar se procesi i dialogut duhet të përfundojë sa më parë. “Na duhet konsensusi për çështjet e hapura, të cilat i kemi veçanërisht me Serbinë. Ne duhet ta përfundojmë përfundimisht çështjen e dialogut me Serbinë, s’ka alternativë tjetër: njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Serbia”, ka deklaruar ai.

Kurteshi: Jemi kundër Thaçit për kryenegociator

Në anën tjetër Ismajl Kurteshi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë të ditur se LVV-ja nuk e përkrah platformën për dialog në versionin si është tani, por vetëm nëse ai ndryshohet. “Vetëvendosja tanimë e ka publik qëndrimin e saj. Platforma që do të vijë ka nevojë për ndryshime jashtëzakonisht të mëdha. Ne do të diskutojmë rreth platformës, do t’i hedhim aty propozimet tona dhe nëse arrihet një marrëveshje për një platformë, që është e pranueshme për të gjitha grupet, edhe për LVV-në, natyrisht se do ta përkrahim. Kështu siç është nuk e përkrahim”, ka nënvizuar ai teksa ka folur për “Zërin”.

Kurteshi më tej ka thënë se LVV-ja nuk e përkrah as faktin që presidenti Hashim Thaçi ta drejtojë procesin e negociatave me Serbinë.

Lekaj: Do ta mbështesim platformën

Kurse Pal Lekaj, nënkryetar i AAK-së, ka bërë të ditur se kjo parti e mbështet plotësisht platformën e negociatave me Serbinë. “Dialogu me Serbinë ka pasur nevojë që të kornizohet dhe ajo që është prezantuar nga Qeveria e Kosovës, e cila duhet të marrë miratimin e Kuvendit të Kosovës dhe që do ta udhëheqë presidenti i vendit, besojmë se do ta nxjerrë epilogun final të këtij dialogu dhe do të kemi njohje reciproke të të dyja vendeve. Si Aleancë do ta mbështesim”, është shprehur Lekaj.

Tutje Lekaj është shprehur i bindur se këtë herë procesi i dialogut do të ketë një strukturë më të definuar dhe më të qartë.

Pavarësisht tij deputeti i Partisë Socialdemokrate, Salih Salihu, ka thënë se PSD-ja ende nuk ka marrë ndonjë vendim zyrtar nëse do ta mbështesë ose jo platformën e dialogut.

“S’kemi marrë ende ndonjë vendim. Besoj që përsëri takohemi nesër dhe marrim ndonjë vendim. Do të diskutojmë shumë shpejt dhe të hënën kur të diskutohet rreth kësaj çështjeje do të shihet qëndrimi ynë”, ka deklaruar Salihu për “Zërin”.

Ndërkohë sa i përket asaj nëse presidenti Hashim Thaçi duhet ta drejtojë ose jo këtë proces, deputeti i PSD-së ka thënë se partia e tij është kundër kësaj. “Nuk jemi dakord që t’ia lëmë presidentit në dorë këtë punë. Kuvendi është për ta mbikëqyrur e jo presidenti”, ka nënvizuar ai.

Edhe Vesel Makolli, sekretar i AKR-së, ka thënë se ende nuk është marrë ndonjë qëndrim zyrtar rreth platformës, porse ky subjekt do të veprojë gjithmonë për të mirën e vendit.

Zeka: Nisma s’e përkrah Thaçin për kryenegociator

Ndërkaq Milaim Zeka, deputet i Nismës Socialdemokrate, ka bërë të ditur se Nisma është pro miratimit të platformës së dialogut, porse është kundër asaj që Thaçi ta udhëheqë këtë proces. Megjithëkëtë, ai ka njoftuar se të hënën ky subjekt do ta ketë edhe një takim rreth kësaj çështjeje. “Ne platformën do ta mbështesim. Por sa i përket mbështetjes së Thaçit nuk kemi vendim. Vendimi ynë i deritanishëm është që Thaçi nuk duhet t’i udhëheqë bisedimet. Pas takimit që do ta kemi të hënën do të marrim vendim, deri më tani vendim nga ana e Nismës ka qenë të mos e mbështesim Thaçin si kryenegociator”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, pasi në versionin aktual të platformës është bërë e ditur se kryenegociator do të jetë kreu i shtetit, Zeka është shprehur optimist se mund të hiqet kjo pikë pas ndryshimeve që mund të ndodhin.

Krasniqi: Duhet të ketë një platformë, të caktohen prioritetet

Në anën tjetër Albert Krasniqi, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka konsideruar se platforma aktuale për dialogun me Serbinë është e mangët, andaj ajo duhet të plotësohet nga deputetët. “Kjo platformë, e cila është sjellë prej Qeverisë në Kuvend, do të duhej të diskutohej tani nga deputetët, pra që t’i japin versionet që ata mendojnë në mënyrë që ta pasuronin këtë platformë. Në versionin siç është aktualisht është mjaft e varfër dhe e mangët. Kështu që ka shumë punë që do të duhej t’i bënte Kuvendi që këtë platformë ta shndërronte në një dokument serioz”, ka thënë ai për gazetën.

E për t’u miratuar në Kuvend platforma në fjalë, siç Krasniqi ka bërë të ditur, nevojitet një shumicë e thjeshtë, të jenë prezentë 61 deputetë në sallë dhe shumica prej tyre të votojnë pro saj. Sipas tij, është tejet e rëndësishme krijimi i platformës për ta udhëhequr fazën finale të negociatave me Serbinë. “E mira do të ishte që tani të kishte një lloj të platformës, e cila do t’i vendoste kriteret kryesore që Kosova i pret prej këtij dialogu dhe të tregonte një strategji që Kosova do të mundë ta ndiqte në këtë proces dhe t’i caktonte vijat e kuqe për marrëveshjen finale që e presim prej dialogut. T’i caktojë edhe prioritetet”, ka nënvizuar ai.ZËRI