Kacafytjet dhe fyerjet mes deputetëve, dëmtojnë imazhin e Kuvendit

Kacafytjet dhe fyerjet mes deputetëve, dëmtojnë imazhin e Kuvendit

Aktuale maj 18, 2018 - 21:32

Degradimi i fjalorit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës po thyen të gjitha rregullat e paraqitjes publike, si dhe ligjet në fuqi, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Debati i ashpër, degradues e ofendues vazhdon të jetë prezent në pothuajse çdo seancë të Kuvendit të Kosovës.

Rasti i fundit ishte në seancë së enjtes, kur kryesuesi i seancës Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, ka zhvilluar një debat të ashpër e ofendues me deputetin Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi që këtij të fundit nuk iu dha e drejta e fjalës për një replikë dhe, po ashtu, ka përdorur fjalë fyese.

Pasi të enjten kanë shkëmbyer vetëm fjalë, të dy deputetët të premten janë shtyrë edhe fizikisht.

Deputeti Haliti në seancën e së premtes derisa po votonte për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, është afruar pranë deputetit Gashi dhe ka pasur shtyrje.

Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar nga deputetët që të mos bëjnë sjellje të padëshirueshme dhe pahijshme.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka shprehur shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me veprimet e fundit joparlamentare të shfaqura në Kuvendin e Kosovë, gjegjësisht konfrontimet verbale e madje edhe fizike ndërmjet deputetëve Xhavit Haliti dhe Arben Gashi.

“Është e papranueshme që deputetët e Kuvendit të fyejnë njëri-tjetrin dhe të përleshen fizikisht. Për më tepër, dhuna dhe konfrontimet fizike cenojnë rëndë vlerat, të cilat do të duhej t’i përfaqësonte organi më i lartë në vend", thuhet në reagimin e KDI-së.

Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo që monitoron punën e Kuvendit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vetë deputetët e pranojnë se Kuvendit i ka humbur imazhi që e ka pasur dhe i cili është ndërtuar për vite të tëra. Kjo, sipas Krasniqit, po ndodh edhe për faktin e degradimit të fjalorit të deputetëve. Ai pohon se gjuha degraduese tashmë është shndërruar në gjuhë normale në Kuvend.

"Kjo tregon edhe për mungesën e vetë integritetit të këtyre deputetëve, të cilët e kanë një fjalor të tillë dhe atë e përdorin në Kuvend, madje edhe në diskutimet e tyre të përditshme kjo është gjuha, me të cilën shumë prej tyre komunikojnë dhe është vështirë tash që ata të komunikojnë me një gjuhë tjetër atëherë kur e humbin durimin. Pra, i kthehen asaj çfarë dinë ta bëjnë më së miri dhe jo që me argumente të arrijnë ta kundërshtojnë njëri – tjetrin, pikëpamjet e tyre politike", vlerëson Krasniqi.

Krasniqi thotë se në bazë të rregullores së Kuvendit të Kosovës, kryesuesit e seancave parlamentare, për deputetët që përdorin gjuhë fyese, mund të marrin masa dhe t'i largojnë nga seanca, por kjo siç thotë ai, nuk po ndodh./REL