Reduktime të rrymës në QKUK

Aktuale May 17, 2018 - 08:57
Lexoni më shumë detaje

Kompania kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) nuk e ka kursyer nga reduktimet e energjisë elektrike as qendrën më të madhe spitalore në Kosovë – QKUK-në, shkruan sot Gazeta "Zëri".
 

Prej orës 00:00 deri në orën 00:15 të mërkurën (dje) KEDS-i e ka lënë në terr Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, në të cilën trajtohen rastet kirurgjike nga më të ndryshmet. Gjatë kohës sa nuk kishte rrymë elektrike QKUK-ja ka aktivizuar gjeneratorët.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka konfirmuar për “Zërin” se dje në mesnatë ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në QKUK, por një gjë e tillë ka ndodhur me kërkesë të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe të Tregut (KOSTT-it). “Ka qenë ndërprerje e planifikuar me kërkesë të KOSTT-it nga ora 00:00 deri në orën 00:15. Për këtë ndërprerje ishin lajmëruar të gjithë paraprakisht përmes medieve”, ka thënë ai.

Megjithatë, ndërprerja e energjisë elektrike nuk i ka gjetur të përgatitur mjekët nëpër klinikat e QKUK-së, të cilët i kanë trajtuar pacientët.

Zyrtarë për medie në zyrën e drejtorit të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK-së) kanë deklaruar se kanë qenë të informuar me kohë për ndërprerjet e energjisë.

“KEDS-i, KESKO-ja kanë paralajmëruar me kohë QKUK-në se për shkak të ndërhyrjeve teknike në rrjet të martën në mesnatë do të ketë ndërprerje gjysmë ore të energjisë elektrike”, thuhet në përgjigjet e tyre dhënë “Zërit”.

Sipas tyre, sektori teknik ka ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe ka njoftuar klinikat për këtë ndërprerje dhe se nuk ka pasur ndonjë problem. “Gjeneratorët janë aktivizuar dhe nuk ka pasur probleme”, kanë thënë ata.
Në anën tjetër anëtarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Time Kadriaj, duke e komentuar këtë ndërprerje elektrike ka thënë se në raste të tilla spitalet janë të përgatitura dhe mjekët vazhdojnë punën e tyre pa ndërprerje. “Klinikat me automatizëm janë të pajisura me gjeneratorë që nëse ndalet energjia elektrike me automatizëm duhet të aktivizohen dhe të vazhdojë puna pa ndërprerje. Unë mendoj që secili institucion shëndetësor sidomos spitalet, por edhe qendrat e mjekësisë familjare

posedojnë gjeneratorë, të cilat me automatizëm aktivizohen posa të ndalet energjia”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nuk duhet të ketë defekte të gjeneratorëve sepse kjo do të rrezikonte jetën e pacientëve.

Kjo nuk ishte hera e parë kur është ndalur energjia elektrike në spitalet kosovare. Viteve të kaluara ka pasur raste kur pacienti është futur në sallë të operacionit dhe nuk është operuar për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.