Serbët e veriut kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës për Asociacionin

Aktuale May 17, 2018 - 08:23
Lexoni më shumë detaje

Pavarësisht paralajmërimit se do të hartohet një draft i ri për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Nga Qeveria e Kosovës kanë bërë të ditur për gazetën “Zëri” se ekipi menaxhues tashmë ka nisur ta bëjë draftin për Asociacionin, porse ai ende nuk ka përfunduar. Megjithatë, është thënë se një gjë e tillë do të finalizohet brenda katër muajve.

Nga ana tjetër ekipi menaxhues për themelimin e Asociacionit ka mbajtur gjatë ditës së djeshme një takim me dekanin e Fakultetit Juridik të UP-së në Mitrovicën e Veriut, Vlladan Mihajloviq. Me këtë rast, në njoftimin e lëshuar nga ky ekip thuhet se Mihajloviq ka konsideruar se Asociacioni nuk mund të bëhet pa ndryshime të Kushtetutës së Kosovës. Porse zyrtarë të Qeverisë kanë njoftuar se drafti, i cili do të hartohet për Asociacionin, do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që të përcaktohet nëse është në përputhje ose jo me Kushtetutën e Kosovës. Ndërkaq, përfaqësuesit e opozitës kanë vlerësuar se nuk duhet të bëhet asnjë kompromis sa i përket formimit të AKS-së.

Ekipi menaxhues për Asociacionin: Prishtina s’ka mandat ta kontrollojë punën tonë

Në anën tjetër, ekipi menaxhues për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe ka njoftuar gjatë ditës së djeshme se është takuar me Vlladan Mihajloviqin, dekan i Fakultetit Juridik të UP-së në Mitrovicën e Veriut. Përmes komunikatës thuhet se në këtë takim është diskutuar për strukturën dhe për përmbajtjen e projektstatutit të Asociacionit.

“Dekani Mihajloviq ka vlerësuar se pa ndryshim të Kushtetutës së Kosovës nuk mund të vendoset një bazë e vlefshme ligjore për funksionimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në përputhje me atë që ishte rënë dakord në Bruksel”, potencohet në komunikatë.

Më tej thuhet se as Prishtina e as kushdo tjetër nuk mund ta kontrollojë punën e ekipit në fjalë. “Është specifikuar se Prishtina, ose cilido tjetër, nuk ka mandat të kontrollojë ose të drejtojë punën e ekipit menaxhues, por vetëm me kërkesën e tij, me anë të vetëqeverisjeve lokale dhe të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal mund të ofrojë mbështetje në punën që ka qenë dhe kornizë për mbajtjen e takimit të sotëm”, vazhdon njoftimi i këtij ekipi.

Arifi: Drafti për Asociacionin, brenda katër muajve

Ndërkaq Avni Arifi, shef i stafit të kryeministrit Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ekipi drejtues ende nuk e ka përpiluar draftin për Asociacionin, ndonëse ka nisur ta bëjë një gjë të tillë. Sipas tij, në momentin që hartohet ky draft, atëherë në këtë proces do të mundë të inkuadrohen edhe pjesëmarrës tjerë. “Ekipi drejtues duhet ta bëjë draftin, ata kanë filluar ta bëjnë atë. Kur ta bëjë ekipi drejtues, atëherë shoqëria civile, mediet dhe Qeveria kyçen e japin qëndrim”, ka deklaruar ai.

Me këtë rast Arifi ka thënë se ky draft parashihet të hartohet brenda katër muajve, prej kohës kur ka nisur. Më tej, siç ai është shprehur, ky draft do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, në të cilën do të përcaktohet nëse është kushtetuese ose jo.

Hahn: BE-ja pret që Asociacioni të zbatohet pa vonesë

Kurse komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” se ajo çfarë BE-ja pret tani nga dialogu është që marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe të zbatohet plotësisht dhe pa vonesë. “Marrëveshja përcakton se projektstatuti i Asociacionit, respektivisht i Bashkësisë së Komunave Serbe të hartohet brenda katër muajve nga fillimi i punës për hartimin e draftit. Kryeministri i Kosovës ia dha mandatin ekipit menaxhues për të filluar punën në draft më 4 prill, që do të thotë se afati është 4 gushti”, tha komisionari për Zgjerim Johannes Hahn.

Ndërkaq deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli ka konsideruar se Kosova duhet ta kryejë obligimin që ka marrë sa i përket Asociacionit, por jo duke rënë ndesh me organizimin shtetëror. “Sigurisht Kosova ka marrë një obligim ndërkombëtar, por në të njëjtën kohë duhet të shikohet shumë qartë nga ekspertët juridikë çka bie ndesh me organizimin e brendshëm shtetëror të Kosovës dhe të mos krijohet një organizim shtetëror i tretë, i cili do ta komplikojë më shumë funksionimin edhe të Komunave Serbe”, ka deklaruar ai.

Në këtë aspekt sipas Avdylit, Kosova duhet të jetë e pakompromis.

Haxhiu: Do të vazhdojmë ta kundërshtojmë Asociacionin

Duke folur rreth Asociacionit, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu ka thënë se kjo marrëveshje paraqet projektin ndër më të dëmshmit të nënshkruar në procesin e dialogut. “Ne si subjekt kemi qëndrim të qartë sa i përket kësaj çështjeje dhe konsiderojmë se njëra prej projekteve më të dëmshme që është nënshkruar në dialogun e padrejtë të Brukselit është pikërisht Marrëveshja për ‘Zajednicën’, e cila rrezikon jashtëzakonisht shumë Republikën e Kosovës, sovranitetin dhe të ardhmen e Republikës dhe të qytetarëve të saj”, ka deklaruar ajo.

Për këtë arsye sipas Haxhiut, LVV-ja e ka kundërshtuar këtë marrëveshje. Sipas saj, qysh atëherë kur Kushtetuesja ka gjetur shkelje në këtë marrëveshje, ajo është dashur të tërhiqet.

Kurse Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike, ka vlerësuar se as vetë udhëheqësit politikë nuk janë duke e ditur se si janë duke vepruar me Asociacionin. Megjithatë, siç Baraliu është shprehur, diçka e pakëndshme është duke u zhvilluar në kurriz të Kosovës.

“Prandaj është e paqartë situata, por sigurisht se diçka e pakëndshme po zihet për Kosovën”, ka theksuar ai. Baraliu më tej ka thënë se në asnjë rrethanë Asociacioni s’duhet të ketë kompetenca ekzekutive.