Pas disa viteve Kosova mund të mbetet pa mjek

Aktuale May 17, 2018 - 08:05
Lexoni më shumë detaje

Drejtori i Qendrës Emergjente në Prishtinë Bastri Lenjani thotë se shumë shpejt Kosova rrezikon të mbetet pa mjek dhe infermier për shkak të emigrimit kryesisht në Gjermani. Sipas një hulumtimi të mëhershëm të Federatës Sindikale të Shëndetësisë me studentë të mjekësisë, 73 për qind e të anketuarve kanë shprehur gatishmërinë për të ikur jashtë Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Drejtori i Qendrës më të madhe Emergjente në vend Basri Lenjani ka dhënë alarmin se shumë shpejt Kosova rrezikon të mbetet pa mjek.

Sipas tij, Kosova po i shkollon kuadrot shëndetësore, përkatësisht mjekët dhe infermierët dhe në fund po ia dorëzon Bashkimit Evropian, ku po emigrojnë për paga më të mira dhe trajtim më të mirë institucional, shkruan më tutje "Zëri".

Qindra mjekë dhe infermierë nga Kosova është raportuar se deri më tani janë punësuar kryesisht në Gjermani, ku po paguhen gati dhjetëfish më shumë se në vend.

LEXO EDHE: Qindra zyrtarë policorë mbajnë pozita në mospërputhje me gradat (DOKUMENT)

Paga e një mjeku specialist në Kosovë është rreth 600 euro, ndërsa specializantët e shëndetësisë marrin më pak se 500 euro e infermierët nuk i marrin as 400 euro.

Në Gjermani është raportuar se specializantët e shëndetësisë i marrin rreth 4000 euro në muaj, përderisa specialistët marrin edhe më shumë.

“Shumë shpejt do të vijë koha kur Kosova do të mbetet pa mjek dhe infermier. Shteti duhet të gjenerojë vende të reja të punës. Kosova po përgatit mjekë dhe infermierë të të gjitha profileve dhe po ia dorëzon Bashkimit Evropian”, ka thënë për “Zërin” Bastri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente në Prishtinë.

Lenjani sqaron se kushtet jo të mira ekonomike të mantelbardhëve mund të jenë arsye të emigrimit të tyre.

Spitalet kanë nevojë për staf, mjekët po ikin

Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, Skender Dreshaj, ka thënë për “Zërin” se ky spital ka nevojë urgjente për mjekë.

“Në kuadro kemi nevojë emergjente për mjekë specialistë të profileve të urgjencës. Kemi nevojë për mjekë specialistë të ortopedisë, infektologjisë. Kemi nevojë edhe për infermierë”, ka thënë ai.

Ndërsa edhe zyrtarë për Informim në Spitalin e Prizrenit kanë thënë se kanë mungesë të mjekëve specialistë dhe infermierë.

“Për momentin të gjitha shërbimet janë të mbuluara me numër të mjaftueshëm të mjekëve, me përjashtim të Emergjencës, ku numri i mjekëve specialistë nuk është i mjaftueshëm. Ndërsa sa u përket infermierëve kemi mungesë, por presim që së shpejti ky numër të plotësohet”, thuhet në një përgjigje dërguar “Zërit”.

Shefajet Berisha, shef i Komunikimit në Spitalin e Prizrenit, ka bërë të ditur se nga ky spital me vetëdëshirë është larguar nga puna një mjek specialist (kirurg i fëmijëve) dhe dy infermierë.

Rreth 73% e mjekëve të anketuar, të gatshëm të ikin nga Kosova

Sipas një hulumtimi të Federatës Sindikale të Shëndetësisë të realizuar në vitin 2013, ku thuhet të jenë përfshirë studentë të mjekësisë, ka rezultuar se 73 për qind e të anketuarve kanë shprehur gatishmërinë për të ikur jashtë Kosovës.

Sipas këtij hulumtimi, për ato tre vjet nga Kosova kanë ikur rreth 400 mjekë.

Shpend Fazliu, zyrtar për Informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë për “Zërin” se vetëm vitin e kaluar 26 mjekë janë larguar nga puna me vetëdëshirë. 

“Për vitin e kaluar 26 mjekë janë larguar nga puna me vetëdëshirë. Mendojmë se ka ende nevojë për staf, sidomos staf joshëndetësor (shërbime teknike, sektor të ushqimit, administratë etj.”, ka thënë ai.

Ndërsa sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, është në procedurë konkursi për punësimin e disa specialistëve.

Rrahmani: Pagat e ulëta, faktori kryesor i ikjen së mjekëve

Ish-ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani ka thënë se nuk duhet t’i akuzojmë ata mjekë që ikin për shkak të kushteve jo të mira ekonomike.

“Sipas mendimit tim, është njerëzore dhe e kuptueshme që edhe mjekët të kërkojnë kushte më të mira për të jetuar dhe për të vepruar. Fatkeqësisht rrethanat në Kosovë ende janë larg asaj çfarë ne dëshirojmë, edhe pse ka përparime shumë. Prandaj ne si shoqëri nuk kemi të drejtë t’i akuzojmë ata që po lëshojnë vendin për kushte më të mira”, ka thënë ai.

Rrahmani ka thënë se studimet në mjekësi kërkojnë angazhime edhe gjatë kohës së studimeve, edhe gjatë specializimit, edhe në vazhdimësi dhe si pasojë e kësaj, siç ka thënë ai, në të ardhmen ne do të kemi shumë më pak të rinj të interesuar për të studiuar në mjekësi.

Sipas tij, jo vetëm në Kosovë, por edhe në BE mjekët janë duke ikur nga vendet e tyre.

“Mendoj se niveli i pagesës nuk është faktori kryesor, sikur që nuk është as pritja për punësim faktor determinues i ikjes nga Kosova. Pastaj në BE janë krijuar rrethana të tjera që kanë shkaktuar efektin domino të ikjes së mjekëve. Mjekët nga BE-ja po shkojnë në Britani e Kanada, duke krijuar mungesë në vendet e origjinës. Ky trend ka krijuar mundësi deri tash të paqena për mjekët nga vendet e Evropës Lindore dhe nga Ballkani për të punuar në Gjermani e gjetiu në BE”, ka thënë ai.

Anëtarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Time Kadrijaj, ka thënë për “Zërin” se është e dhimbshme të shkollohen kuadro dhe në fund t’i dërgosh në vendet perëndimore.

Sipas saj, në mënyrë që specialistët të qëndrojnë në Kosovë duhet të hapen konkurse dhe që ata të punësohen në institucionet e Kosovës.

“Kjo ka qenë arsyeja që institucionet tona të hapin konkurse dhe të gjejnë forma që këta të punësohen në institucionet tona. Kemi bërë presion gjithmonë që specialistët të punësohen. Ka qenë një numër i madh i specialistëve të papunë në institucionet shëndetësore. Qoftë te ministri apo tek institucionet e tjera relevante është bërë kërkesë që asnjë specialist të mos mbetet i papunë. Arsyeja ka qenë që këta specialistë të qëndrojnë në Kosovë, ta japin kontributin”, ka thënë ajo.

Qeveria zotohet për përmirësimin e kushteve të punës për mjekët

Zyrtarë për Informim në Qeverinë e Kosovës kanë thënë për “Zërin” se po punohet që të ketë përmirësim të kushteve për mjekët.

“Kryeministri Haradinaj këto ditë në një vizitë pune në Ministrinë e Shëndetësisë është zotuar se do ta shqyrtojë mundësinë së bashku me Ministrinë e Financave për përmirësimin e kushteve të punës për mjekët kosovarë dhe në këtë aspekt po punohet që në afat optimal të ketë rritje të pagave të tyre”, kanë thënë ata.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj së bashku me ministrin e Shëndetësisë Uran Ismailin ditë më parë janë zotuar se do t’i mbështesin punëtorët shëndetësorë në ngritjen e pagave.

“U zotuam, ashtu siç është edhe zotimi ynë qeveritar, që do të bëjmë zgjidhje në sektorin e shëndetësisë. Do t’i mbështesim punëtorët shëndetësorë me ngritje të pagave, do t’i mbështesim me një sistem më të mirë të menaxhimit, do t’i mbështesim edhe kuadrot, ashtu siç kemi bërë ditë më parë me specializantët, që i kemi mbështetur financiarisht”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili.