Arifi: S’kemi tokë për askënd, duhet njohje reciproke

Aktuale May 16, 2018 - 11:07
Lexo detajet

Avni Arifi, shef i delegacionit kosovar në bisedimet Kosovë - Serbi, është shprehur optimist se faza finale e dialogut do të përfundojë shpejt, shkruan "Zëri.info". 

Sipas tij, ky proces duhet të finalizohet me njohje reciproke e assesi me ndonjë kompromis mes dy palëve.

Në anën tjetër kryetari i Partisë Liberale Demokratike në Serbi, Çedomir Jovanoviq, para pak ditësh deklaroi në Prishtinë se Serbia e do veriun e Kosovës në këmbim të njohjes së Republikës së Kosovës si shtet, porse Arifi tha se Kosova nuk ka tokë për të falur.

“Ne u kemi dhënë të drejta minoriteteve, çka asnjë vend i Evropës nuk u ka dhënë. Është Pakoja e Ahtisaarit, komunat serbe, krejt çka kemi pasur t’u japim u kemi dhënë. Nuk kemi tokë për askënd. Kosova çka ka pasur të japë ka dhënë dhe ka mbetur njohja reciproke”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

I pyetur se kur do të zhvillohet takimi i radhës në Bruksel mes të dyja palëve, Arifi ka thënë se ende nuk ka diçka të paralajmëruar në këtë drejtim.