Radiot në Kosovë problem me financimin

Radiot në Kosovë problem me financimin

Aktuale shkurt 13, 2015 - 15:47

Sot festojnë radiot nga të rinjtë për të rinjtë, parrezikshmëri dhe të sigurt.

Dita Botërore e Radios i gjen radiot në Kosovë me problemin e financimit, por kjo nuk ka bërë që të mos rriten çdo vit e më shumë dhe të pasurohen programet e tyre në harmonime kërkesat dhe nevojat e qytetarëve për informim dhe edukim të publikut.

Është Radio Gjakova njëra prej radiove të para në Kosovë, e cila këtë vit shënon 36 vjetorin e themelimit të saj.

Skënder Gola thotë se përkundër sfidave vazhdojnë të transmetojnë program 24 orë për të gjitha grup moshat dhe për shqiptarë anë e mbanë globit.

“Jo vetëm ne, por të gjitha radiot nuk janë në nivelin e dëshiruar sa i përket gjendjes financiare duke pas parasysh se jemi me vetëfinancim dhe të vetmin produkt me të cilin ka të hyra radio është marketingu. Me një ambient ku nuk ka zhvillim ekonomik kjo pa dashje po reflektohet edhe tek ne”, deklaron Gola.

Njëra prej radiove më të dëgjuara në vend ka marrë mijëra mesazhe nga qindra mijëra dëgjues për t’i uruar këtë ditë.

Ermal Panduri nga Radio Dukagjini thotë se çdo ditë e më shumë po kuptohet se radio vazhdon të mbetet si një mundësi e jashtëzakonshme e informimit të shpejtë dhe mirëfilltë të qytetarëve.

Përveç informimit, radio sipas Pandurit shërben edhe si mjet edukimi duke bërë që qytetarët të jenë të informuar dhe të edukuar në të njëjtën kohë.

“Fryma kolektive e bënë Radio Dukagjinin si radion më të dëgjuar në vend dhe ky është çelësi i suksesit. Sfidë më e madhe mbetet arsyeja financiare. Është shumë e vështirë të bindësh klientët që radio është mjeti më i shpejtë që mund të informosh, por derisa vazhdojmë të funksionojmë nuk bënë të ankohemi”, vlerëson ai.

Dita Botërore e Radios është festë për të treguar pse e duam radion dhe pse na duhet radio sot më shumë se kurrë. /KP/