“Ushtria”, pa helikopterë

Aktuale May 03, 2018 - 10:57
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila po pretendon të transformohet në ushtri, nuk ka asnjë helikopter, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila po pretendon të transformohet në ushtri të Kosovës, ka mungesë të armatimit të rëndë.

Pjesëtarët e FSK-së janë të pajisur me armatim të lehtë, sipas standardeve ndërkombëtare, mirëpo institucioni ka mungesë të helikopterëve.

Buxheti i ndarë për këtë vit për FSK-në, ku parashihen pagat dhe blerja e armatimit, arrin në rreth 54 milionë euro.

Afro 54 milionë euro për FSK-në

Sipas raportit mbi ndarjen dhe shpenzimin e parasë publike: “Si i shpenzon shteti paratë tona”, që e ka publikuar instituti për studime të avancuara GAP, prej buxhetit të ndarë 22 milionë FSK-ja i ka për paga dhe mëditje dhe rreth 11 milionë euro për mallra dhe shërbime, shkruan më tutje "Zëri".

LEXO EDHE: Ushtria, tërhiqet Qeveria

Për autoblinda Ministria e Forcës dhe Sigurisë do t’i shpenzojë 3 milionë e 250 mijë euro, për automjete teknike 2 milionë e 200 mijë euro, për armatim të lehtë do të shkojnë 1 milion e 400 euro.

Për vitin tjetër buxheti i këtij institucioni parashihet të rritet për dy milionë euro, ndërsa në vitin 2020 buxheti do të jetë më i lartë për 4 milionë euro.

Mungesa e armatimit

Drejtori i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala, ka thënë për “Zërin” se pjesëtarët e FSK-së janë të pajisur me armë individuale sipas standardeve të NATO-s.

“Të gjithë pjesëtarët e FSK-së janë të pajisur me armë individuale. Lloji i armëve që janë të pajisur pjesëtarët e FSK-së janë armë individuale sipas standardeve të NATO-s, për çka ne si MFSK dhe FSK kemi qenë transparentë, prokurimet tona kanë qenë publike. FSK-ja është e themeluar dhe e ngritur me standarde të NATO-s. Armatimet dhe teknikat që posedon FSK-ja i ka sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë ai.

Sipas tij, ndonëse pjesëtarët janë të pajisur me armë FSK-së i mungojnë helikopterët.

“Aktualisht FSK-ja nuk posedon helikopter. Sipas rekomandimeve të dala pas rishikimit të Strategjisë së Sektorit të Sigurisë së Kosovës (RSSS), njësiti i helikopterëve është rekomanduar të jetë aset qeveritar, pra helikopterët të jenë aset i përbashkët i disa ministrive (MFSK-së, MPB-së/ Policisë së Kosovës, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Ministrisë së Shëndetësisë, etj.”, ka theksuar ai.

Shala: S’ka pengesa që FSK-ja ta rrisë kapacitetin e armatimit

Eksperti i sigurisë Drizan Shala ka thënë për “Zërin” se nuk ka pengesa që FSK-ja ta ngrejë kapacitetin për armatim.

“Arsimi dhe pajisja e FSK-së me armatim rregullohet si në çdo vend. FSK-së i lejohet të marrë arsimim jashtë Kosovës kur miratohet nga ministri i FSK-së, por njëherësh të pajiset konform legjislacionit në fuqi edhe me armatim. E nga kjo shihet se nuk ka pengesë që FSK-ja të ngrejë kapacitetet e saja në aspektin e armatimit të kalibrit të lehtë, ashtu siç është e përcaktuar në misionin aktual të FSK-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, vetëm një ndryshim në ligj mund të jetë i nevojshëm që FSK-ja t’i rrisë kapacitetet e saja “ushtarake”, të cilat tani i mungojnë.

 Në anën tjetër, eksperti i çështjeve të sigurisë Ramadan Qehaja ka thënë se FSK-ja është e pajisur me armatim të lehtë dhe i mungojnë armët më të avancuara.

“Ne kemi një armatim të lehtë, nuk kemi artileri të rënda. Nuk kemi armë të tjera më të avancuara, sepse kjo na është pamundësuar. Në FSK nuk kemi asnjë helikopter për bartjen e forcave. Ne kemi armë të lehta, që tani për tani do të shërbejnë për një vetëmbrojtje eventuale të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

“Nëse neve do të na jepen kompetencat me ligj duhet ta përgatisim FSK-në, e cila do të ketë atribute edhe të detyrave ushtarake. Neve na duhen 7 vjet të bëjmë një aftësim të forcave, të cilat janë paraparë të formohen në kuadër të forcave të armatosura të Kosovës. Është proces shumë i vështirë, por nuk është i pamundur, aq më parë që ne kemi një bazë të mirëfilltë në FSK. Kemi kuadro të shkolluara edhe jashtë dhe ne mundemi t’i qasemi kësaj çështjeje ashtu siç duhet”, ka theksuar ai.