Salihu: Iniciativa e Vetëvendosjes për shkarkimin e Dërgutit, e pasinqertë

Aktuale May 03, 2018 - 10:10
Lexoni më shumë detaje

Aida Dërguti sot mund të shkarkohet nga pozita e nënkryetares së Kuvendit me iniciativë të ish-bashkëpartiakëve të saj, ndonëse para më pak se një viti ishte përzgjedhur në këtë pozitë të lartë në legjislativ pikërisht me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për të kaluar iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e Dërgutit duhet votuar nga 2/3 e deputetëve të Kuvendit, vota këto sipas drejtuesve të këtij subjekti politik opozitar i sigurojnë me lehtësi, ndonëse deri më tani nuk kanë arritur marrëveshje për përkrahje nga ndonjë subjekt tjetër politik parlamentar.

Ismajl Kurteshi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar për gazetënZërise presin që sot në Kuvend pa ndonjë problem të shkarkohet nënkryetarja Aida Dërguti, pasi Kushtetuta e Kosovës përcakton që këto pozita t’i takojnë tri partive më të mëdha.

Në anën tjetër Grupi i Deputetëve të Pavarur e konsideron të padrejtë kërkesën e Vetëvendosjes që Aida Dërguti ta lirojë pozitën e nënkryetares.

“Nuk duhet të shkarkohet Aida Dërguti. Kërkesa e Vetëvendosjes është e pasinqertë dhe LVV-ja nuk është dashur fare të merret me këtë çështje për shkak të kontributit që ka dhënë Dërguti në LVV dhe që t’i lihet hapësirë bashkëpunimit mes neve dhe LVV-së”, ka thënë Salil Salihu, deputet nga radhët e GDP-së.

Ai është shprehur i sigurt që deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do ta përkrahin këtë nismë të Vetëvendosjes.

“Nuk besoj që deputetët do ta përkrahin këtë nismë të LVV-së për shkarkimin e Aida Dërgutit”, ka thënë ai për “Zërin”.