18 vjet nga themelimi i AAK-së, Haradinaj më i fuqishëm se strukturat

Aktuale May 02, 2018 - 15:22
Detajet

Janë bërë 18-vjet nga themelimi i partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së për “Zërin” kanë thënë se për dallim prej partive të tjera që ballafaqohen me probleme brenda partisë këta nuk kanë pasur ende diçka të tillë, ndërsa dita-ditës thonë se AAK po rritet.

Ata madje thonë se lideri i AAK-së, është më i fuqishëm se strukturat e kësaj partie.

Time Kadrijaj deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e AAK-së ka thënë se asnjë parti në Kosovë nuk do të kishte arrite të mbijetojë nëse do iu kishte munguar lideri i tyre për aq kohë sa ka munguar Haradinaj si pasojë e aktakuzave të Tribunalit të Hagës prej ku edhe dy herë është shpallur i pafajshëm.

“Janë plotë 18-vite prej kur kemi nis, kur është themeluar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, jemi ballafaquar me sfida me problem të mëdha. Shumicën e kohës AAK ka rrugëtuar pa liderin e saj, sepse është ngritë një aktakuzë nga Tribunal i Hagës, nga pozita e kryeministrit është dorëhequr dhe i është përgjigjur gjykatës ndërkombëtare dhe më pas është shpallur i pafajshëm. Kemi rrugëtuar me shumë sfida dhe çka është përparësi është se parti jonë ka mbijetua, cila do parti në Kosovë nëse do të kish munguar për kaq kohë të gjatë lideri i saj nuk kish arrit me sfidua kohën. AAK po rritet çdo ditë dhe për momentin jemi një parti për dallim nga partitë e tjera ku e shohim që i kanë ato dallimet e problemet brenda partive, AAK nuk i ka këto problem, ne do të funksionojmë dhe do të vazhdojmë vizionin tonë”, ka deklaruar Kadrijaj për “Zëri.info”.

Edhe deputeti Rasim Selmanaj ka thënë se sfidë e madhe në AAK ka qenë koha që Haradinaj ka qenë në Hagë, por që me gjithë vështirësitë e kanë kaluar këtë sfidë dhe tani janë ndër partitë më të mëdha në Kosovë.

Selmanaj po ashtu ka thënë se Haradinaj ka nevojë për ndryshim në ekipin që ka afër vetës dhe ka thënë se lideri i AAK-së është më i fuqishëm se struktura e kësaj partie.

“AAK si subjekt politik për dallim nga partitë tjera ka pasur sfida të rënda, për faktin se gjatë këtyre viteve lideri Ramush Haradinaj ka qenë në burgje të Tribunalit të Hagës, kjo ka qenë një vështirësi e madhe. AAK për dallim nga partitë e tjera e ka liderin më karizmatik e them në kuptimin e autoritetit por që Ramushi ka nevojë që brenda subjektit të vetë të ketë ekipin e përafërt me autoritetin dhe zotësinë e tij. Lideri është shumë më i fuqishëm se struktura e partisë”, përfundoi Selmanaj. ZËRI