Tahiri: Pres vlerësim pozitiv nga BE-ja në luftimin e korrupsionit

Aktuale May 02, 2018 - 07:56
Lexo detajet

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka thënë se delegacioni teknik i Bashkimit Evropian, që viziton këtë javë Kosovën, do të japë vlerësim pozitiv për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili është kriteri i fundit për liberalizimin e vizave, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri është shprehur i sigurt se Kosova do të marrë vlerësim pozitiv nga delegacioni i Bashkimit Evropian për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është kriteri i fundit për liberalizimin e vizave.

Në një intervistë për gazetën “Zëri” ministri Tahiri ka thënë se delegacioni teknik i BE-së, që vjen këtë javë në Kosovë, do të japë vlerësim pozitiv, pasi sipas tij, institucionet e Kosovës janë duke bërë punë të mirë për zbatimin e rekomandimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

LEXO EDHE: Mbi 3 miliardë euro për autostrada

Tahiri ka thënë se pas kalimit të Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, kriter i fundit për vlerësim është “track record”-i në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Tahiri ka thënë se pas kalimit të Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, kriter i fundit për vlerësim është “track record”-i në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Prandaj ky ekip teknik nga Komisioni Evropian do ta vlerësojë progresin e bërë me qëllim që të vlerësohet Kosova se a i plotëson kriteret për marrjen e rekomandimit për liberalizimin e vizave. Duke qenë se është ekip teknik, vlerësimi i tyre, si dhe i Komisionit Evropian do të ketë qasje rekomanduese, pastaj u mbetet vendeve anëtare një nga një ta determinojnë dhënien apo mosdhënien e liberalizimit të vizave”, është shprehur Tahiri.

Më tej ai ka thënë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një sfidë dhe proces i përhershëm, që ka marrë një intensitet të shtuar dhe do të vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave. Tahiri është shprehur i bindur se Kosova do të marrë vlerësim pozitiv.

“Por nga puna e bërë deri më tani unë në kapacitetet e mia si ministër i Drejtësisë, ku kam përgjegjësi të lartë në këtë proces, vlerësoj se do të kemi një vlerësim pozitiv nga ana e Misionit Teknik të Komisionit Evropian. Këtë vlerësim e bazoj në dy procese koordinuese që institucionet qeveritare e kanë dhe janë duke e bërë për zbatimin e rekomandimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri: Kemi koordinim të mirë të institucioneve

Sipas tij, kohët e fundit ka pasur një koordinim të mirë të të gjitha institucioneve relevante (Kuvendi, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia, Dogana, etj.).

Tahiri po ashtu ka thënë se sa i përket sektorit të drejtësisë i rëndësishëm është komponenti i politikëbërjes, si dhe komponenti i zbatimit të ligjit, ku hyjnë organet e pavarura të zbatimit të ligjit, përkatësisht shtylla e tretë e pushtetit, gjykatat dhe prokuroritë.

Tahiri ka thënë se menjëherë pas ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me iniciativën e tij janë mbajtur takime të përbashkëta me krerët e institucioneve të pavarura të drejtësisë, siç janë: kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nehat Idrizi, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Blerim Isufaj, kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci, kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, koordinatori kombëtar për Luftimin e Korrupsionit Reshat Millaku, si dhe kryeprokurorët e prokurorive themelore.

Qëllimi i këtyre takimeve sipas Tahirit ishte vlerësimi i kapaciteteve të organeve të zbatimit të ligjit dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi për ta adresuar përmbushjen e kushtit të dytë për liberalizimin e vizave, përkatësisht rritjes së efikasitetit në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

“Për këtë çështje jemi koordinim në finalizimin e legjislacionit, i cili përfshin Pakon e ligjeve të gjyqësorit, Kodin Penal dhe të Procedurës Penale, Pakon e ligjeve kundër korrupsionit dhe trajtimin e rasteve të shenjestruara në ‘track record’. Dhe unë vlerësoj se këto masa nuk do të shërbejnë vetëm për përmbushjen e kriterit të fundit të liberalizmit të vizave, por të njëjtat do të jenë të orientuara drejtpërdrejt në funksion të rritjes së efikasitetit të sistemit të drejtësisë, parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, si dhe sigurimit të integritetit të institucioneve publike”, ka shtuar Tahiri.

Pakoja e ligjeve kundër korrupsionit miratohet deri në qershor

Ministri i Drejtësisë po ashtu ka përmendur disa nga të arriturat e Ministrisë që ai drejton. 

Tahiri ka thënë se është duke punuar vazhdimisht në avancimin e legjislacionit penal, kundër korrupsionit dhe atë të reformave gjyqësore, në kuadër të sfidave të dala nga Agjenda Evropiane e në veçanti gjatë procesit të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave.

“Nga rekomandimet themelore që lidhen ekskluzivisht edhe me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka qenë rishikimi i Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Mund të them se puna për hartimin e ndryshimeve në Kodin Penal ka qenë intensive, profesionale dhe gjithëpërfshirëse dhe ndryshimet e rekomanduara kanë qenë aq të thella saqë janë rishikuar dhe hartuar nëntëmbëdhjetë (19) nene për të mundësuar ndjekjen më efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, është shprehur Tahiri, duke thënë se këto ndryshime kanë prodhuar një strukturë pothuajse tërësisht të re të Kodit Penal, duke adresuar të gjitha obligimet që dalin nga kriteri i fundit.

Tahiri ka thënë se tashmë ky Kod është miratuar në Qeveri dhe është në procedurë të mëtejme për miratim në Kuvend dhe se ngjashëm me intensitet të lartë është duke u punuar edhe në hartimin e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, në të cilin do të reflektohen të gjitha masat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ku do të mundësohet fleksibilitet më i madh në punën e organeve të zbatimit të ligjit.

“Më qëllim të fuqizimit të sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit dhe me synim të adresimit të kritereve të Agjendës Evropiane në përgjithësi e kriterit të liberalizimit të vizave në veçanti, kemi identifikuar edhe masa të tjera legjislative që ndikojnë në këtë drejtim”, ka potencuar Tahiri.

Në fund ministri Tahiri ka thënë se vëmendje e veçantë u është kushtuar edhe projektligjeve për Agjencinë Kundër Korrupsionit, si dhe për deklarimin, origjinën dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve publikë, mbrojtjes së informatorëve dhe kompetencave të zgjeruara për konfiskimin e pasurisë.

Këto ligje që përbëjnë pakon e ligjeve kundër korrupsionit sipas Tahirit do të jenë të hartuara, harmonizuara dhe të miratuara në Qeveri deri në fund të muajit qershor.