Infektuar: 106914
Shëruar: 99628
Vdekur: 2225
Luftimi i korrupsionit, nën 'llupën' e BE-së
Foto: Driton Bublaku

Luftimi i korrupsionit, nën 'llupën' e BE-së

Aktuale May 02, 2018 - 07:32
Lexo detajet

Një delegacion i Komisionit Evropian nesër do të arrijë në Kosovë për të vlerësuar nëse është përmbushur kriteri i fundit për liberalizim të vizave, përkatësisht luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pas kësaj vizite, muajin tjetër pritet të hartohet një raport (rekomandim) për heqjen ose jo të vizave me Bashkimin Evropian, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Puna e bërë nga institucionet e Kosovës në drejtim të liberalizimit të vizave pritet të vlerësohet shumë shpejt nga mekanizmat e Bashkimit Evropian.

Kjo pasi që gjatë ditës së nesërme (3 maj) pritet që në Kosovë të vijë një delegacion i nivelit teknik i Komisionit Evropian, i cili do të pajiset me të dhëna mbi atë se sa është punuar në drejtim të përmbushjes së kriterit të fundit, luftës ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.

Si rrjedhojë e kësaj, gjatë muajit qershor pritet që të hartohet një raport (rekomandim) për heqjen ose jo të vizave për Kosovën.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri është shprehur i bindur se Kosova do ta marrë një vlerësim pozitiv sa i përket kësaj çështjeje, pasi sipas tij, është punuar dukshëm në këtë drejtim.

Njëjtë ka pohuar edhe ish-ministrja e Integrimit Evropian Mimoza Ahmetaj, e cila për “Zërin” ka vlerësuar se deri në fund të këtij viti qytetarët do të mundë të lëvizin lirshëm.

Por pavarësisht këtyre, njohësit e gjyqësorit kanë konsideruar se nuk është punuar sa duhet drejt luftës së krimit të organizuar e korrupsionit. Andaj sipas tyre, kjo e vë në rrezik edhe fatin e liberalizimit të vizave për Kosovën. 

Tahiri: Pres vlerësim pozitiv nga misioni i KE-së

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka njoftuar se vlerësimi i ekipit teknik të Komisionit Evropian, i cili do të vijë këtë javë në Kosovë, do të ketë qasje rekomanduese. Me këtë rast Tahiri është shprehur optimist se do të vlerësohet pozitivisht puna e bërë drejt përmbushjes së kriterit të fundit për liberalizim.

“Nga puna e bërë deri më tani unë në kapacitetet e mia si ministër i Drejtësisë, ku kam përgjegjësi të lartë në këtë proces, vlerësoj se do të kemi një vlerësim pozitiv nga ana e Misionit Teknik të Komisionit Evropian”, ka potencuar ai gjatë një interviste për “Zërin”.  

Megjithatë, i pari i MD-së ka konsideruar se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një sfidë dhe proces i përhershëm, i cili siç ai është shprehur, do të vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave.

Tahiri më tutje ka bërë të ditur se është duke u punuar që legjislacioni që përfshin pakon e ligjeve të gjyqësorit të përmbyllet shumë shpejt.

“Për këtë çështje jemi në koordinim në finalizimin e legjislacionit, i cili përfshin Pakon e ligjeve të gjyqësorit, Kodin Penal dhe të Procedurës Penale, Pakon e ligjeve kundër korrupsionit dhe trajtimin e rasteve të shënjestruara në ‘track record’”, është shprehur ai, duke thënë se fundi i qershorit do t’i gjejë të hartuara dhe të miratuara në Qeveri këto ligje.

Ahmetaj: Këtë vit përmbyllet liberalizimi

Ndërkohë, ish-ministrja e Integrimit Evropian Mimoza Ahmetaj është shprehur e bindur se vizita e delegacionit të BE-së do të pasohet me vlerësim pozitiv për vizat.

“Nga Komisioni Evropian pres vlerësim pozitiv sa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave. Institucionet e Kosovës janë munduar që rastet e shënjestruara të korrupsionit të trajtohen nga sistemi i drejtësisë. Tashmë dihet për numrin e rasteve me verdikt final të gjykatave. Prandaj duke qenë se ka pasur përkushtim të institucioneve pres edhe vendim pozitiv nga Komisioni Evropian”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Andaj sipas Ahmetajt, liberalizimi si proces do të finalizohet brenda këtij viti.

“Jam shumë optimiste që liberalizimi i vizave do të përmbyllet këtë vit”, ka potencuar ajo.

Pajaziti: Sundimi i ligjit, proces i pandalshëm

Edhe Zenun Pajaziti, anëtar i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, ka konsideruar se vizita e delegacionit të BE-së në Kosovë do të rezultojë me lajme pozitive për çështjen e liberalizimit të vizave.

“Është një pritje e jashtëzakonshme, sepse pas atij kriteri të famshëm që është pritur ta përmbushë Kosova, pra votimin e Demarkacionit, pothuajse janë përmbushur kriteret. Ajo që mbetet është sundimi i ligjit, i cili do të jetë një proces i pandalshëm. Ky mision pritet që t’i konfirmojë këto arritje, pritet t’i konfirmojë përpjekjet dhe punën e vazhdueshme të institucioneve që po bëhet në pjesët e mbetura dhe jemi gati të sigurt që do të ketë sinjale pozitive”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Me këtë rast Pajaziti është shprehur optimist se deri në fund të këtij viti qytetarët do të mundë të lëvizin pa viza.

“Unë mendoj që është një disponim i mirë që të jetë një sinjal pozitiv, në mënyrë që edhe institucionet e veçanta të Bashkimit Evropian ta bëjnë punën e tyre në favor të liberalizimit të vizave, që brenda këtij viti të mundë të udhëtohet lirshëm”, ka theksuar deputeti i PDK-së.  

Rashiti: Vendimi për vizat, në shtator

Kurse Naim Rashiti, nga Grupi për Hulumtim të Politikave Ballkanike, ka thënë se vendimi për heqjen e vizave për Kosovën do të merret në muajin shtator të këtij viti.

“Në fund të qershorit bëhet raporti, duhet pritur çka po thotë raporti. Besoj që në korrik miratohet dhe vendoset për vendim në Këshill të Ministrave diku në shtator. Por tash duhet pritur se çka po thotë raporti. Jam optimist se vendimi do të merret, është humbur njëfarë afati, por vendimi besoj që do të merret deri në shtator”, ka theksuar ai.

Megjithatë sa i përket përmbushjes së kriterit të fundit, luftës ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, sipas Rashitit, ka shumë pak raste të përfunduara. Andaj siç ai është shprehur, raporti që do të publikohet tash do të bëhet në raport me atë që ishte publikuar gjatë vitit 2016 (për përmbushjen e kushteve).

“Mbetet të shihet se si vlerësohet në raport me raportin e fundit. Ky vlerësim do të bëhet në raport me raportin e fundit që është bërë para dy vjetësh”, ka theksuar ai.  

Demhasaj: S’ka rezultate të dukshme në luftën ndaj korrupsionit

E gjersa ka folur për luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka vlerësuar se nuk është punuar sa duhet në këtë drejtim.

“Nuk është se kemi parë shumë lëvizje pozitive të dukshme që mund të ndikojnë që procesi të fillojë për vizat. Nuk është se nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, por prapë se prapë nuk ka diçka shumë të madhe dhe të matshme që të thuhet se Kosova ka shënuar progres”, ka theksuar Demhasaj.

Kjo pasi sipas tij, nuk ka pasur trajtim të lëndëve të profilit të lartë, ashtu siç është kërkuar.

“Nuk është se lëndë të tilla janë hetuar e gjykuar. Kështu që mundet të jetë edhe e rrezikshme kjo pikë në këtë moment, sepse mund të japë edhe sinjale negative sa i përket fillimit të procesit të liberalizimit të vizave”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, për të mos e lënë “trenin e fundit” që të ikën sa i përket liberalizimit, Demhasaj ka thënë se duhet punuar intensivisht drejt asaj që lëndët e shënjestruara të përfundohen në mënyrë të shpejtuar.