Jeremiq: Problemi i Kosovës, Vuçiqit do t’i shpërthejë në fytyrë

Aktuale April 17, 2018 - 18:27
Lajmet

Kryetari i Partisë Popullore të Serbisë, Vuk Jeremiq, tha sot se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po e udhëheq politikën e jashtme në atë mënyrë që të gjithë atyre që do të mund ta dëmtojnë po u jep gjithçka që i kërkojnë, “por kërkesa e amerikanëve që ta dorëzojë Kosovën do t’i shpërthejë në fytyrë, sepse nuk po di si ta zgjidh këtë problem”.

Jeremiq tha se presidenti Vuçiq ua ka premtuar amerikanëve Kosovën në OKB, por problemi i tij është se si ta bëjë këtë.

Në një tribunë në Novi Sad, siç raporton “Beta”, Jeremiq tha se Vuçiqit nuk po i konvenon vetëm kërkesa e amerikanëve për t’ia dorëzuar Kosovës karrigen në OKB.

“Amerikanët kërkojnë nga Vuçiqi për ta anëtarësuar Kosovën në OKB dhe i bëjnë presion që, duke nënshkruar të ashtuquajturën marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Prishtinën, nga Rusia të kërkojë të mos e bllokojë këtë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, tha Jeremiq.

Jeremiq pohon se Vuçiq u përpoq të ofronte një shkëmbim territoreve, por u kundërshtua. “U kundërshtua për shkak se tashmë kishte premtuar anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe për këtë premtim atij iu lejua të instalonte pushtet terrorizues dhe t’i ngulfat mediat”, tha Jeremiq.

Jeremiq, i cili është ish-ministër i Jashtëm i Serbisë dhe ish-kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, tha se amerikanët janë mjaft seriozë kur kërkojnë diçka dhe janë edhe më seriozë kur iu premtohet diçka dhe vijnë pas asaj që u është premtuar prej kohësh.

“Atëherë ata [amerikanët] dinë të jenë shumë të papërshtatshëm. Vuçiç e di mirë këtë, sepse ishte në pushtetin i cili çoi në bombardimet e NATO-s. Problemi i Kosovës, Vuçiqit do t’i shpërthejë në fytyrë, sepse nuk ka zgjidhje të mirë – nëse e dorëzon Kosovën, ai do të hapë kutinë e Pandorës për veten e tij në Serbi, e nëse refuzon të përmbushë premtimin për ta dorëzuar, ai do të humbë përkrahjen e Perëndimit”, tha Jeremiq./Telegrafi