Serbët e duan Asociacionin me kompetenca ekzekutive

Aktuale April 17, 2018 - 08:24
Flet, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka siguruar se Serbia dhe serbët e veriut nuk do të pranojnë asgjë më pak se një asociacion me kompetenca ekzekutive, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Tani kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë kur serbët do ta formojnë në mënyrë të njëanshme Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, apo “Zajednicën” siç e quajnë ata, nëse eventualisht Prishtina deri më 20 prill 2018 nuk e formon AKS-në, shtohet rreziku që gjysma e minierave të “Trepçës”, si dhe komplet hidrosistemi “Ibër – Lepenci” të mbesin nën kontrollin direkt të Serbisë.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke e interpretuar Marrëveshjen e Brukselit për formimin e “Zajednicës” ka kërkuar që ajo të ketë kompetenca ekzekutive, shkruan më tutje "Zëri".

Ai ka thënë gjithashtu se Serbia nuk do të pranojë një asociacion që i ngjason një OJQ-je e as diçka të ngjashme siç është Asociacioni i Komunave të Kosovës.

LEXO EDHE: Tri ditë nga formimi i njëanshëm i Asociacionit

Gjuriq, i cili nuk heziton ta thotë hapur se “Zajednica” do të ketë kompetenca sikurse një republikë, ka thënë dy ditë më parë se vendimi i BE-së për t’i dhënë kohë Prishtinës 4 muaj për formimin e “Zajednicës” nuk do të pranohet nga Beogradi.

LEXO EDHE: Borissov: Kosova e Serbia pa marrëveshje nuk hyjnë në BE

E ndërkaq kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili nuk përfill asnjë vendim të Prishtinës, pa u konsultuar paraprakisht me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka siguruar se Serbia dhe serbët e veriut nuk do të pranojnë asgjë më pak se një asociacion me kompetenca ekzekutive.

Rreziku më i madh nga “Zajednica” është që “Trepça” do të ndahet përfundimisht në dy pjesë: pjesën veriore, respektivisht tri minierat e “Trepçës” në atë pjesë: Cernac, Belloberdo dhe Metalurgjia e Plumbit në Zveçan.

Mu për këtë shkak serbët nuk kanë konkurruar fare në konkursin për Bordin e “Trepçës”, ndonëse u takojnë 3 anëtarë të Bordit.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në takimin e parë që ka pasur me 6 anëtarët shqiptarë të Bordit të “Trepçës” ka thënë se “Trepça” duhet të ringjallet, duke siguruar se viti 2018 do të jetë vit i “Trepçës”.

Ky Bord, i cili do ta zgjedhë Bordin Menaxhues të “Trepçës” në të cilin do të jetë një serb, ka pranuar se nuk mund të bëjë asgjë në “Trepçën” në veri, ashtu siç ka thënë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka. 

Ligji për “Trepçën” është miratuar në dhjetorin e vitit 2016, por përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës nuk e kanë pranuar duke vlerësuar se ligji është miratuar në mënyrë jokushtetuese, pa pjesëmarrjen e tyre dhe se janë anashkaluar interesat e bashkësisë serbe dhe në këtë mënyrë patën ngrirë pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës.

Ishin organizuar pastaj një varg protestash të menaxhmentit dhe të punëtorëve të “Trepçës” në veri, si dhe ishte organizuar një mbledhje e kryetarëve dhe e asamblistëve të komunave veriore. Ata kishin dërguar në Kushtetuese Ligjin për “Trepçën”, duke kërkuar interpretim kushtetues të ligjit, por Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë kërkesën e tyre.

Në anën tjetër, gjendja e minierave të “Trepçës” vlerësohet të jetë e keqe dhe e pashfrytëzueshme. “Trepça” brenda Kosovës përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në Parkun Industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve. 17 objekte afariste gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, 11 objekte të këtij gjiganti gjenden në Serbi, 3 në Bosnjë e Hercegovinë dhe 3 në Kroaci.