Sot publikohet Raporti për Kosovën

Aktuale April 17, 2018 - 08:00
Lexoni më shumë detaje

Sot Komisioni Evropian do të publikojë raportin për shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në Raportin për Kosovën theksohet ngecja e reformave, konstituimi i vonshëm i Kuvendit dhe i Qeverisë. Po ashtu jepen kritika të ashpra për tentimin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Ndërkohë, në raport përshëndetet ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe angazhimi më i madh në luftimin e korrupsionit e të krimit të organizuar. Megjithatë, Komisioni Evropian u bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të punojnë më shumë në luftimin e krimit dhe të korrupsionit.

Në raportin e KE-së përmendet fakti që mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e më pas edhe e zgjedhjeve lokale ka ndikuar që Kosova të ngecë në  kryerjen e reformave. Ndërsa kërkohet përshpejtim i reformave.

LEXO EDHE: Raporti i ri, ngecjet e vjetra

“Kosova ka mbajtur zgjedhje të parakohshme në qershor të vitin 2017. Kuvendi dhe Qeveria e re u formuan në shtator. Gjatë periudhës zgjedhore puna e Parlamentit u shty dhe reformat e Kosovës ngecën... Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, i shoqëruar me reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian, duhet të përshpejtohen”, thuhet ndër të tjera në Raport.

Komisioni Evropian po ashtu vlerëson se në Kosovë akterët politikë duhet të ndërtojnë një konsensus për temat e rëndësishme. Kurse përpjekja për zhbërjen e Gjykatës Speciale është shqetësuese për KE-në.

“Përpjekja e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës në dhjetor të vitit 2017 për ta shfuqizuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka ngritur shqetësime serioze. Do të jetë esenciale për Kosovën zbatimi i obligimeve ndërkombëtare lidhur me Gjykatës Speciale, që u formua për t’i adresuar, për t’i gjykuar krimet ndërkombëtare në luftën e Kosovës”, thuhet më tej në raport, shkruan më tutje "Zëri".

Vlerësime pozitive në këtë raport jepen për ratifikimin (megjithëse të vonshëm) të Demarkacionit me Malin e Zi, së bashku me përmirësimin e luftës kundër korrupsionit e të krimit të organizuar.

“Ratifikimi tejet i vonshëm i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, si kusht i rëndësishëm i liberalizimit të vizave, së bashku me përmirësimin në luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar janë zhvillime pozitive”, thuhet më tej.

Gjithashtu theksohet progresi në ekonomi, pjesërisht në zhvillimin e mjedisit biznesor, por thuhet se duhet të merren masa në luftimin e ekonomisë ilegale dhe të papunësisë së lartë.

Më tej Komisioni Evropian kërkon nga Kosova që t’i përmbushë marrëveshjet e nënshkruara në dialogun me Serbinë në Bruksel, me prioritet Asociacionin e Komunave Serbe. /ZËRI/