Shqipëria feston Ditën e Verës

Aktuale March 14, 2018 - 09:01

14 Marsi shënon festën e Ditës së Verës.

Kjo është një festë e lashtë pagane, ku qyteti i cili e ka traditë më shumë është Elbasani, por vitet e fundit dhe në Tiranë ka filluar të festohet shumë.

Gatimi tradicional i kësaj feste janë ballokumet, ndërsa në disa zona ndizen edhe zjarre, ndërsa shumë aktivitete janë organizuar në Tiranë dhe Elbasan, shkruan gazeta Shekulli.

Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi.

Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan po edhe në Dibër, Strugë e Prespë.

Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi.

Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”).

Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.