Boiken Abazi sulmon ashpër grupin e të dorëhequrve nga Vetëvendosje

Aktuale March 13, 2018 - 23:27

Anëtari nga Shqipëria i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi, ka sulmuar përsëri deputetët e partisë dhe anëtarët e tjerë të cilët kanë dhënë dorëheqje nga partia.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Abazi i ka quajtur hajna të gjithë ata të cilët sipas tij mbajnë padrejtësisht mandatet e fituara nga VV, për cilët aktivistët e VV-së kanë sakrifikuar.

Abazi ka sulmuar edhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili javën e kaluar njoftoi për largimin e tij nga VV-ja.

“Të gjithë ata që mbajnë padrejtësisht mandatet e fituara nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, aktivistët e së cilës kanë derdhur djersë e kanë sakrifikuar, ndërkohë që Lëvizja ka investuar para për fushatat e tyre, pra të gjithë këta që hoqën dorë nga detyrimet pas zgjedhjeve për të ruajtur vetëm privilegjet, mund të konsiderohen pa asnjë drojë si persona që kanë kryer një hajni të kulluar politike – se ç’kontribut kanë dhënë për shoqërinë përpara se ta kryenin këtë hajni politike nuk ua justifikon hajninë!”, ka shkruar Abazi.

“Të gjithë ata që e quajnë këtë etiketë të tepruar, le të shkojnë e t’ia shpjegojnë aktivistëve dhe votueseve të Lëvizjes pse u desh të derdhin gjithë atë mund për këtë lloj hajnie politike. Sigurisht që do të mbetem përherë kundër ofendimeve dhe etiketimeve bosh, por do të mbetem edhe më i përkushtuar për t’i vënë sjelljeve të ulta politike emrin e saktë identifikues të tyre!”, është shprehur ai në postimin e tij në Facebook.