Metodologjia që 'Vetëvendosje' do ta përdorë për ta bllokuar Kuvendin

Aktuale March 13, 2018 - 11:12

Vetëvendosje zotohet se do ta përdorë metodologjinë e njëjtë kundër pushtetit

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë lëshuar seancën e Kuvendit në shenjë pakënaqësie me trajtimin e tyre si grup parlamentar.

Shefi i këtij grupi, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj Kadri Veselit, për mënyrën e interpretimit të rregullores së punës së Kuvendit.

“Dua të flas për moskorrektësinë tuaj profesionale se si e interpretoni rregulloren e Kuvendit. Duhet t’ua jepni fjalën me radhë dhe kjo shkon sipas madhësisë. Kjo nuk është hera e parë dhe nuk është mirë”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se metodologjia e shumicës ndaj pakicës është se kur u duhen atyre ata të votojnë, kurse nuk votojnë kur pakica propozon diçka.

“Sa i përket metodologjisë së pushtetit dhe të mazhorancës këtu po udhëqihet përmes një principi – ju duhet të jeni të dëgjueshëm si opozitë për gjithçka që ne kërkojmë të na e votoni, por ne nuk votojmë asgjë që ju propozoni. Por jo që nuk votojmë kundër, por nuk votojmë fare, duke e pamundësuar vazhdimin e seancës”, ka shtuar ai.

“Atëherë nuk kemi rrugëzgjidhje tjetër përpos që t’ua kthejmë me monedhën e njëjtë, me metodën e njëjtë, ama veç mos e harroni një gjë – nëse hyn Kuvendi në këtë cikël që ne t’ua kthejmë në të njëjtën mënyrë, mos harroni se asnjë ligj nuk mund ta kaloni dhe pamundësohet funksionimi i Kuvendit. Atëherë nëse po e kërkoni patjetër këtë gjë, atëherë kjo do të ndodh”, ka thënë tutje deputeti Konjufca./Insajderi.com