Veseli fton në takim kryetarët e grupeve parlamentare

Aktuale March 13, 2018 - 11:09

Kuvendi i Kosovës i cili është duke vazhduar sot seancën plenare, ku do të debatohet për pikat e seancave të 8 dhe 9 shkurtit dhe 1 marsit është shtyrë për më vonë.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thirrur në takim, kryetarët e grupeve parlamentare, për të diskutuar se çfarë të bëhet më tutje, për shkak të mungesës së kuorumit.

Veseli ka thënë se “ftoj menjëherë kryetarët e grupeve parlamentare për një konsult ku do të kemi një pauzë pastaj të shohim mundësin e vazhdimit apo shtyrjes së seancës, takohemi pra me kryetarët në zyrën time”, raporton Insajderi.

Sipas rendit të ditës  këto janë pikat për të cilat do të diskutohet sot në Kuvend:

Votimi i rekomandimeve të Interpelancës lidhur me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.04/20 të datës 20.12.2017 për rritjen e pagave të anëtarëve të Kabinetit qeveritar, Vendimin nr. 05/24 i datës 12 janar 2018, për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës, si dhe Vendimi nr. 15/24 i datës 12 janar 2018 për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale,

Debat parlamentar, sipas kërkesës së nënkryetarit të Kuvendit, z. Kujtim Shala dhe gjashtë (6) deputetëve nënshkrues lidhur me Raportin e 100 ditëve të punës të Qeverisë së Republikës të Kosovës,

Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë për ratifikimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Akreditimit,

Votimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2016.