Apostolova: Rezultatet e dobëta në arsim, rezultat i politikës

Aktuale March 13, 2018 - 08:13
''Nuk duhet të ketë ndërhyrje politike, mësimdhënësit duhet të jenë të kualifikuar''

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, ka shprehur zhgënjimin e saj në lidhje me ndërhyrjet politike në sistemin e arsimit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Sipas saj, këto ndërhyrje kanë bërë që Kosova të ketë rezultate të dobëta në këtë fushë.

“Nuk duhet të ketë ndërhyrje politike, mësimdhënësit duhet të jenë të kualifikuar. Në këtë formë nxënësit nuk mund të dinë të lexojnë dhe të shkruajnë ashtu sikurse ka dalë në testin PISA, e dhimbshme, por realitet i vërtetë”, ka thënë Apostolova në publikimin e raportit “Zbatimi i Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë”.

Ajo më tutje ka shtuar se ndihet e zhgënjyer me rezultatet e dobëta të arsimit në Kosovë, si dhe për këtë arsye Kosova ka dështuar disa herë t’i bindë zyrtarët e BE-së në lidhje me progresin në arsim.

“Jam e zhgënjyer nga prezantimi i mëparshëm në lidhje me moszbatimin e këtij plani. Kosova patjetër që do të jetë një ditë në Evropë, por Kosova ka dështuar disa herë ta dëshmojë këtë progres në aspektin e arsimit”, ka shtuar ajo.

LEXO EDHE: Mitchell: Demarkacioni, kusht për vizat

Në këtë tryezë Apostolova ka përmendur edhe grevat e arsimit, të cilat po mbahen në Kosovë dhe duhet reformë dhe kategorizim të pagave në mënyrë që të mos ndodhin gjëra të tilla.

“Duhet reformë në administratën publike dhe në kategorizimin e pagave, vetëm kështu mund të kemi progres e jo duke u çuar çdo organizatë të kërkojë paga, në çfarë kriteri e kërkojnë këtë. Reformat në arsim nuk janë të shpejta, ato japin rezultat vetëm pas kalimit të një gjenerate”, ka përfunduar ajo, shkruan tutje "Zëri".

Sipas ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyçi, në arsim ka ndërhyrje politike duke përmendur kështu edhe emërimin e tij si ministër.

“Vërejtjet se arsimi është i politizuar janë shumë me vend pasi që qysh në fillim sistemi i arsimit është formuar ashtu. Edhe unë vetë jam ministër i vendosur politikisht me ligj”, ka thënë Bytyçi.

Më tutje Bytyçi u ka bërë thirrje edhe organizatave të tjera joqeveritare që të bëjnë presion të vazhdueshëm në ngritjen e çështjeve të arsimit, pasi kësisoj edhe Ministria mund të bëjë presion tek Qeveria për përmbushjen e kërkesave.

“U bëj thirrje organizatave dhe të gjithëve që janë të interesuar që të kemi një arsim më të mirë, të na bëjnë presion dhe pastaj ministri të mundë të bëjë presion edhe te Qeveria. Do të jetë një angazhim i veçantë që këto të gjetura t’i shtyjmë që këto gjëra të ecin përpara. Mbetet sfidë arritja e parametrave evropiane që kërkohen deri në vitin 2020”, ka thënë Bytyçi.

Ndërsa prezantimi i raportit u bë nga Dukagjin Pupovci. Ai tha se një pjesë e madhe e buxhetit të Kosovës, 16%, shkon për sektorin e arsimit, që sipas tij është buxheti më i madh i ndarë për këtë sektor në krahasim me vendet e rajonit.

“Plani strategjik është bërë për periudhën 2017-2021, monitorimi ka të bëjë me 10 muajt e vitit 2017.  Mbi 21% e popullsisë jetojnë në varfëri, shkalla 58,7% e moshës së punës nuk punon dhe nuk kërkon punë. 27,8% e atyre që kërkojnë punë nuk gjejnë dhe kjo flet për shkallë të lartë të papunësisë. Buxheti, Kosova nuk shpenzon pak me buxhetin që ka në dispozicion, më 2016, 16% e buxhetit të Qeverisë shkon për arsim, nëse krahasohet me vendet e rajonit është shumë më mirë”, ka deklaruar ai.