SHBA-ja s’ka plan të ri për Kosovën

Aktuale March 13, 2018 - 07:50
Përgjigja e ndihmëssekretarit amerikan për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell për Serbinë

Ndihmëssekretari amerikan Wess Mitchell nuk ka sjellë në Prishtinë ndonjë “plan të ri” për Kosovën, por ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së. Vizita e Mitchell vlerësohet si shtytje për proceset si demarkacioni, dialogu dhe formimi i ushtrisë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Vizita e ndihmëssekretarit amerikan për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell, në Kosovë vlerësohet si rikonfirmim i mbështetjes së SHBA-së për Kosovën në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se kjo vizitë është shtytje për proceset sfiduese për Kosovën si ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe formimi i ushtrisë së Kosovës.

Sipas tyre, administrata e Doland Trumpit nuk ka ndërruar qëndrim sa i përket Kosovës dhe se SHBA-ja nuk ka ndonjë plan tjetër përveç mbështetjes së pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa vetë ndihmëssekretari Wess Mitchell, duke komentuar spekulimet për një “plan të ri amerikan” për përfundimin e dialogut me Serbinë, ka thënë se në Ballkan po vjen për ta shtyrë përpara dialogun dhe jo të paraqesë plane.

“Nuk kam ardhur këtu që ta shpalos ndonjë plan specifik, por kam ardhur të bisedojmë për të ardhmen e Kosovës dhe të Serbisë, për të folur për dialogun e për rrugëtimin evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ndër të tjera Mitchell në një konferencë për medie në Prishtinë.

Kelmendi: Qëndrimi i SHBA-së për Kosovën nuk ka ndryshuar

Analisti Adriatik Kelmendi ka thënë për gazetën “Zëri” se një vizitë e nivelit të tillë sjell porositë e qarta të SHBA-së për vendet që i viziton, por edhe për marrëdhëniet ndërmjet tyre.

Kelmendi ka thënë se as administrata “Trump” nuk ka treguar asnjë shenjë të ndryshimit të politikave ndaj Ballkanit dhe beson që kjo do të ritheksohet me rastin e kësaj vizite.

“Në Serbi është duke u pritur me bujë të madhe kjo vizitë, meqë në medie kanë qarkulluar disa vizione për të ashtuquajturin planin katërpikësh amerikan për marrëdhëniet Serbi –Kosovë. Por deri më tani nuk ka pasur ndonjë konfirmim nga SHBA-ja për këtë. Mbetet të shihet se si do të shkojë edhe vizita në Serbi, por gjithsesi që është një rikonfirmim i interesimit të administratës ‘Tump’ lidhur me Ballkanin”, ka deklaruar Kelmendi.

Më tej, ai ka thënë se temë e vizitës së Mitchell pa dyshim që është dialogu me Serbinë, por edhe çështje të tjera si demarkacioni me Malin e Zi, për të cilin SHBA-ja në vazhdimësi ka kërkuar të përmbyllet.

“Besoj se konfirmohet që dialogu me Serbinë ka vëmendjen amerikane siç ka kërkuar edhe Qeveria e Kosovës... Ne e dimë se cili është qëndrimi i administratës amerikane, pra që Kosova është e pavarur dhe sovrane dhe këtë e ka bërë të qartë vazhdimisht edhe Qeverisë në Beograd”, ka shtuar Kelmendi.

Hoti: Vizita e Mitchell, dëshmi e përkushtimit amerikan për Kosovën

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se vizita e ndihmëssekretarit amerikan dëshmon përkushtimin e SHBA-së për Kosovën.

“Mendoj se vizita e këtij autoriteti amerikan pa asnjë dilemë dëshmon përkushtimin amerikan për Kosovën sikur edhe në të kaluarën, një vëmendje e shtuar dhe e vazhdueshme e SHBA-së për zhvillimet në Kosovë. Është e rëndësisë së dorës së parë dhe bëhet edhe më e veçantë për faktin se pritet të ketë zhvillime të rëndësishme në muajt në vijim dhe në vitin e ardhshëm”, ka vlerësuar Hoti në një prononcim për “Zërin”.

Sipas Hotit, vizita e Mitchell është mbështetje për përfundimin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Nuk mund të spekulohet se cilat do të jenë saktësisht mesazhet, por duke e pasur parasysh se po ofrohemi kah një zgjidhje që do të duhej të ishte obligative, pra nënshkrimi i një traktati ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, atëherë mendoj se SHBA-ja sikur edhe në të kaluar që kanë luajtur rol kyç, edhe vizita e tij tani është dhënie e mbështetjes për përmbylljen e dialogut”, ka shtuar Hoti.

Abazi: SHBA-ja nuk ka plan tjetër veç mbështetjes së pavarësisë së Kosovës

Analisti Haki Abazi ka thënë se gazetën “Zëri” se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndrim të qartë sa i përket pavarësisë së Kosovës dhe nuk kanë ndonjë plan të ri, siç është paraqitur në mediet serbe.

“SHBA-ja nuk ka plan tjetër përveç mbështetjes së pavarësisë së Kosovës si shtet i ligjit dhe së drejtës me proces të qartë në integrimet euroatlantike. Ky është qëndrimi i politikës së jashtme të SHBA-së dhe nuk pres ndryshim të qëndrimit”, është shprehur Abazi.

Më tej ai ka thënë se vizita e ndihmëssekretarit amerikan lidhet edhe me ngritjen e tensioneve në rajon dhe me tentimin e Rusisë për të ndikuar në këtë zonë.

“Vizita e Mitchell është shumë e rëndësishme për SHBA-në dhe rajonin. Intensifikimi i aktiviteteve të Rusisë në rajon e sidomos në Republikën Serbe, që po sfidon funksionalitetin e shtetit unitar në Bosnjë e sidomos ushtrinë dhe gjithashtu paraqitja e njësiteve paramilitare në Banjallukë. Por gjithashtu edhe veprimet ruse në jugun e Serbisë rreth Luginës së Preshevës dhe kërcënimet që kjo situatë mund të ketë në sigurinë dhe me paqen në rajon”, ka deklaruar Abazi, duke shtuar se kjo paraqet brengosje edhe për SHBA-në dhe do të duhej të ishte brengosëse për BE-në.

Fetoshi: Vizita e Mitchell, shtytje për proceset më sfiduese

Edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme vizitën e Wess Mitchell.

Ai ka thënë për “Zërin” se vizita e zyrtarëve të lartë perëndimorë, në veçanti nga SHBA-ja, ka gjithnjë rëndësi të posaçme për proceset e konsolidimit të brendshëm dhe të jashtëm të shtetit tonë.

Sipas Fetoshit, kjo vizitë është shtytje për procese të rëndësishme si demarkacioni me Malin e Zi dhe dialogu me Serbinë.

“Përtej deklaratave protokollare, vizita e ndihmëssekretarit Mitchel s’do mend që është shtytje për proceset më sfiduese si demarkacioni dhe dialogu me Serbinë. Në fakt, Demarkacioni i Kufirit me Malin e Zi i ka lidhur nyje të gjitha proceset në Kosovë, ka marrë gjithë energjinë politike dhe për pasojë ngecjet në ekonomi dhe në reformat e domosdoshme kanë shkaktuar nivel shqetësues të zhgënjimit dhe të dëshpërimit qytetar”, ka vlerësuar Fetoshi.

Madje ai ka thënë se kjo vizitë konfirmon vëmendjen parësore të Uashingtonit në kohën kur flitej për një zvogëlim të saj si pasojë e krizave në botë (Siria, Koreja Veriore).

Fetoshi ka thënë se nuk beson që ka ndonjë “plan të ri” amerikan për Kosovën.

“Të paktën tani për tani jo, pavarësisht se një gjë e tillë mund t’u interesojë grupeve apo qarqeve të caktuara. Proceset e ardhshme si dialogu me Serbinë deri te marrëveshja e detyrueshme ligjërisht, liberalizimi i vizave dhe fillimi i Gjykatës Speciale janë në pritje të Demarkacionit, prandaj edhe vizitën e Mitchel jam i prirë ta shikoj në këtë kontekst”, ka shtuar ai, duke thënë se për shkak të lojërave të politikanëve tanë Kosova është në “minutat e fundit” për t’i zënë oraret e BE-së lidhur me liberalizimin e vizave.