Mbi 900 pasaporta diplomatike në Kosovë

Aktuale March 03, 2018 - 07:55

Mbi 900 pasaporta diplomatike pritet që këtë vit të jenë aktive në Kosovë, pas vendimit të marrë nga Qeveria e Kosovës për t’i pajisur me pasaporta edhe familjarët e krerëve të shtetit. Teksa familjarët e liderëve shtetërorë kanë përfituar pasaporta diplomatike, qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen të Evropës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se 871 pasaporta diplomatike për momentin janë aktive në Kosovë. Në këtë shifër nuk hyjnë edhe mbi 30 pasaporta diplomatike që Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’ua japë anëtarëve të familjes së tre zyrtarëve të lartë të shtetit.

Qeveria e Kosovës më 20 shkurt ka marrë vendim që familja e kryeministrit Ramush Haradinaj, ajo e kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe e presidentit Hashim Thaçi të pajisen me pasaporta diplomatike. Kësaj liste, me plotësimin e vendimit ditë më parë, u janë shtuar edhe mbi 20 persona nga kabineti i kryeministrit. Vendimin për lëshimin e pasaportave edhe për familjarët e krerëve të shtetit nuk e kanë pritur mirë analistët e vendit. Analistë të çështjeve ndërkombëtare dhe politike konsiderojnë që nuk është dashur të merret një vendim i tillë. Sipas tyre, Qeveria ka vendosur si prioritete interesat e saj dhe jo ato të qytetarëve. Ndërsa njohës të çështjeve kushtetuese thonë se prioritet duhet të jenë kategoritë e rrezikuara sociale.

MPJ: Mbi 800 pasaporta diplomatike aktive në Kosovë

Zyrtarë për Informim në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) kanë thënë për “Zërin” se 871 pasaporta diplomatike janë aktive në Kosovë. Sipas tyre, ky numër nuk përfshin edhe pasaportat diplomatike që janë dhënë nga Qeveria ditëve të fundit, ndonëse siç thuhet edhe me këto pasaporta prapë nuk mund të udhëtohet pa viza. “Ky numër nuk e përfshin vendimin e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Qeveria merr vendim dhe Ministria e Punëve të Jashtme vetëm e zbaton. Edhe pse je i pajisur me pasaportë diplomatike duhet prapë të merret viza. Nuk mundesh vetëm pse e ke pasaportën diplomatike të udhëtosh pa vizë. Duhet të ketë marrëveshje mes dy vendeve për t’i hequr vizat për ata që kanë pasaporta diplomatike”, thuhet nga Zyra për Informim në këtë ministri. Në anën tjetër, zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë për “Zërin” se kjo ministri është kompetente vetëm për prodhimin e pasaportave. “Lëshimi i pasaportave diplomatike dhe zyrtare është kompetencë e MPJ-së. MPB-ja vetëm bën prodhimin e këtyre pasaportave pas aplikimeve të pranuara nga MPJ-ja”, thuhet në përgjigje.

 Qeveria jep pasaporta diplomatike për familjarët e Haradinajt, Thaçit e të Veselit

Qeveria e Kosovës më 20 shkurt ka marrë vendim që familjet e kryeministrit Ramush Haradinaj, kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe e presidentit Hashim Thaçi të pajisen me pasaporta diplomatike. Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është marrë vendim që edhe fëmijët dhe bashkëshortet e ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe e ministrit të Punëve të Jashtme të përfitojnë pasaporta diplomatike. “Presidenti i Republikës së Kosovës, të cilit i ka përfunduar mandati, bashkëshorti/ja i/e saj/tij vazhdon ta përdorë pasaportën diplomatike të Republikës së Kosovës gjatë tërë jetës. Fëmijët e tij/saj kanë të drejtë ta përdorin pasaportën diplomatike deri në moshën 18-vjeçare”, thuhet në vendimin e Qeverisë. Po ashtu është marrë vendim që deputetët ta gëzojnë të drejtën e përdorimit të pasaportës diplomatike vetëm një vit pas përfundimit të mandatit. Në anën tjetër, Qeveria ditë më parë ka plotësuar vendimin e saj dhe në listën e personave që do të marrin pasaporta diplomatike janë shtuar edhe 24 persona nga kabineti i kryeministrit. “Gani Demaj, Arbër Vllahiu, Meliza Haradinaj-Stublla, Alban Dermaku, Diellza Hoti, Nima Himaduna, Gazmend Syla, Gazmend Abrashi, Halil Matoshi, Valon Tolaj, Erolld Belegu, Fitim Krasniqi, Valdete Bajrami, Endrit Shala, Igor Savic, Uros Staletovic, Valon Berisha, Bashmir Xhemaj, Jahja Lluka, Burim Krasniqi, Selim Selimi, Hysen Gashi, Nora Cukaj, Luan Jaha”, këta zyrtarë i shtohen listës së vendimit zyrtar.

Në Zyrën e Kryeministrit kanë thënë për “Zërin” se këta zyrtarë nuk kanë marrë pasaportë diplomatike pasi nuk kanë aplikuar ende, ndërsa siç thuhet më tej kjo është çështje individuale e secilit. Teksa familjarët e liderëve shtetërorë kanë përfituar pasaporta diplomatike, qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen të Evropës.

 Rexhaj: Fyerje për të gjithë

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i pajisur me pasaporta diplomatike familjarët e presidentit, të kryeparlamentarit, kryeministrit, ministrit të Jashtëm dhe të atij të Punëve të Brendshme, ka reaguar deputeti i “Vetëvendosjes”, Arbër Rexhaj, Ai përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se kjo është tallje dhe fyerje për qytetarët. “Nga luksi i tepruar kësaj qeverie vetëm pasaportat diplomatike për familjarë u kanë munguar. Pas vendimit për t'ia rritur rrogën vetes, të shkosh në pushime në Saint Morris sigurisht që duhen edhe pasaporta diplomatike. 800 pasaporta diplomatike me afat deri në fund të jetës janë në Kosovë. E këta po duan të na bindin se e kanë për liberalizim vizash. Kjo është tallje me krejt qytetarët! Është fyerje për të gjithë”, ka shkruar Rexhaj në “Facebook”.

Mushkolaj: Dhënia e pasaportave diplomatike, e panevojshme

Analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë për “Zërin” se nuk është dashur të merret një vendim i tillë. “Kur flasim për qeverisje të mirë të qytetarëve në fakt të gjitha tingëllojnë vetëm fjalë të thata, sepse veprimet e tregojnë të kundërtën. E njëra prej veprimeve që nuk është dashur të merret është pikërisht ky i pasaportave diplomatike edhe familjarëve të njerëzve të caktuar në qeverisje”, ka thënë ai.

Sipas Mushkolaj, qeveritarët po kujdesen për interesat personale dhe familjare në radhë të parë. “Është vendim totalisht i panevojshëm për shkak se jemi republikë parlamentare, nuk jemi njëfarë monarkie që të ua sigurojnë pasaportat diplomatike edhe familjarëve. Është një vendim që kanë mundur ta marrin dhe e kanë marrë, por nuk ishte dashur të merret një vendim i tillë. Këta njerëz që janë në pushtet duhet të kujdesen për qytetarët, ata interesat personale dhe familjare i kanë në radhë të parë. Dhe kjo është shumë problematike në këtë mënyrë të qeverisjes”, ka theksuar ai.

 Ismajli: Qeveria ka vendosur prioritet interesat e saj

Dashnim Ismajli, profesor i politikave ndërkombëtare, ka thënë për “Zërin” se me këtë vendim Qeveria ka vendosur si prioritet interesin e saj dhe jo interesin e qytetarëve.

“Mendoj se qasja e tyre për t’i veshur me privilegje familjet e funksionarëve të lartë politikë ngjason me regjimet autokratike, ku një elitë e vogël politike përvetëson të mirat materiale, të ardhurat jolegjitime dhe vishet me privilegjet e larta për veten dhe rrethin e saj. Kjo nuk mund të interpretohet ndryshe, pos si një qeveri klientele që prioritetet e saja i ka vendosur në shërbim të interesave të ngushta dhe në asnjë mënyrë nuk përkushtohet për interesin e qytetarit”, ka thënë ai. Sipas tij, nëse qeveritarët do të përkushtoheshin në zhvillimin e vendit nuk do të bënin privilegje për familjarët e tyre. “Sikur ta kishim një qeveri që të gjithë potencialin dhe përkushtimin e saj do ta përqendronte në ndërtimin e një jete të dinjitetshme, duke zhvilluar shtetin ekonomikisht, duke rritur mirëqenien e qytetarit dhe duke bërë Kosovën vend atraktiv për të jetuar, kjo Qeveri do të solidarizohej me qytetarët e vet, duke mos atribuuar privilegje shtesë për familjet dhe për rrethin e tyre të ngushtë”, ka deklaruar ai.

Ismajli ka thënë se mundësitë për një të ardhme më të mirë janë të vogla. Mendoj se me një elitë politike sikur kjo Kosova nuk mund të shpresojë shumë dhe në rast se shoqëria kosovare dëshiron ta ketë një elitë që udhëhiqet përmes një qarku vicioz, atëherë duhet edhe pritshmëritë e saja për një të ardhme më të mirë t’i minimizojë”, ka thënë ai.

Baraliu: Prioritet kategoritë e rrezikuara sociale

Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese, ka thënë se këto vendime do të duhej të ishin në përputhje me ligjin dhe se duhet që ekzekutivi t’i mbrojë dhe t’u japë përparësi kategorive të rrezikuara sociale. “Do të duhej që thjesht të ketë vendime më racionale, të cilat në përputhje me ligjin t’i trajtojnë të gjithë qytetarët barabartë. Njëra prej dispozitave të Kushtetutës është barazia e qytetarëve para ligjit. Neni 12 dhe 24 i Kushtetutës flasin për këtë detyrë të institucioneve, sidomos ekzekutivi, që do të duhej të kishte kujdes t’i mbrojë kategoritë më të dëmtuara dhe më të rrezikuara sociale dhe të atyre që janë prioritet dhe jo beneficioneve të veta”, ka theksuar ai për “Zërin”.

Baraliu ka deklaruar se ky vendim është në vazhdën e shumë vendimeve të tjera të radhës, të cilat konkretisht janë vendime që, siç thotë ai, “do të donin një përkushtim dhe një angazhim tjetër dhe jo në mënyrë të privilegjeve dhe të beneficioneve për bartësit e pushtetit dhe familjarët e tyre”.