Finalja e Demarkacionit

Aktuale March 03, 2018 - 07:49

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli, ka konfirmuar se Lista Serbe përfundimisht do ta votojë Demarkacionin pas datës 5 mars. Po ashtu edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, beson se java e ardhshme do të jetë finale për Demarkacionin, derisa deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” në mënyrë unike po vazhdojnë ta kundërshtojë Marrëveshjen aktuale, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Java e ardhshme pritet t’i japë epilog çështjes së demarkacionit, e cila diskutohet tash e tre vjet. Ndonëse kjo marrëveshje u soll në Kuvend dhe dështoi dy herë gjatë javës së kaluar (nga mungesa e Listës Serbe në Kuvend dhe nga kundërshtimi i lëvizjes “Vetëvendosje” për ta pranuar këtë marrëveshje) është bërë e ditur se gjatë javës së ardhshme, kur edhe do të mbahet seanca për Demarkacionin, Lista Serbe do të jetë në Kuvend dhe do të votojë pro kësaj marrëveshjeje. Kështu ka bërë të ditur një burim i gazetës “Zëri” brenda Qeverisë, i cili tha se “po kjo marrëveshje kalon javën e ardhshme me Listën Serbe”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Përveç kësaj, një gjë të tillë e ka pohuar gjatë ditës së djeshme edhe zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli, i cili tha se Lista Serbe do të votojë pro Demarkacionit pas 5 marsit. Në anën tjetër deputetë të lëvizjes “Vetëvendosje” kanë deklaruar se kjo marrëveshje mund të kalojë vetëm me “pazaret e liga”, siç i kanë quajtur ata, me Listën Serbe.

Ndërkohë, njohës të çështjeve politike thonë se vendimi i Listës Serbe lidhet pikërisht me zgjedhjet lokale në Serbi, që pritet të mbahen këtë të diel.

Pacolli: Lista Serbe e voton Demarkacionin pas 5 marsit

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli, gjatë ditës së djeshme ka reaguar rreth pohimeve se ai ka ndërmjetësuar me autoritetet e Serbisë që të bllokohet Demarkacioni derisa të përfundojnë zgjedhjet për kryetar të Beogradit. Ai gjatë ditës së djeshme këto informacione i ka quajtur gënjeshtra. “Është gënjeshtër apo konspiracion i ulët. S’ka pasur marrëveshje, por kam pasur informatën se Lista Serbe të mërkurën nuk do ta votojë Demarkacionin”, ka thënë Pacolli.

Ai ka shtuar se Lista Serbe pritet që ta votojë Demarkacionin javën e ardhshme, për kur edhe u vendos që të jetë sërish në rend dite kjo marrëveshje në Kuvendin e Kosovës. “Lista Serbe votimin e Demarkacionit do ta bëjë pas datës 5 mars”, ka thënë Pacolli. Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, beson që java e ardhshme do t’i japë zgjidhje Marrëveshjes së Demarkacionit. “Ne presim që Kryesia e Kuvendit shumë shpejt ta caktojë kohën e vazhdimit të seancës dhe besojmë se herën e ardhshme do të ketë votim të suksesshëm”, ka thënë ai për “Zërin”. Kurse i pyetur se a është biseduar me Listën Serbe apo me deputetë të LVV-së për t’i bindur në votimin pro Demarkacionit, Krasniqi nuk ka dashur të komentojë më shumë rreth kësaj çështjeje. “Nuk mund të komentoj më shumë, më vjen keq”, ka thënë shkurt Krasniqi.  

Ndërsa deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, nuk ka pranuar të japë detaje rreth përpjekjeve të koalicionit qeverisës për t’i siguruar 80 votat e nevojshme për Demarkacionin. Ai është përgjigjur shkurt, duke deklaruar se presin që javën e ardhshme Demarkacioni të kalojë. “Ne presim që Demarkacioni të kalojë. Nuk kam asnjë koment tjetër përveçse presim të kalojë”, ka thënë Hoti.

Lajqi: S’ka gjasa të bindet asnjë deputet i LVV-së  

Në anën tjetër Ali Lajqi, deputet i lëvizjes “Vetëvendosje”, i cili në mënyrë unike po vazhdon ta kundërshtojë Marrëveshjen aktuale për Demarkacion me Malin e Zi, ka thënë se do të shohin se a po arrin koalicioni qeverisës javën e ardhshme t’i sigurojë votat. Ndërsa ka deklaruar edhe një herë se nuk ka gjasa që deputetët e “Vetëvendosjes” të binden për votë pro kësaj marrëveshjeje. “Ata po thonë që i kanë votat, por të shohim. Ne jemi unikë dhe nuk ka gjasa njëherë përnjëherë asgjë të ndodhë”, ka thënë ai.

Lajqi tha se votat mund të sigurohen nëse bëjnë pazare me Listën Serbe, por kjo vetëm e keqëson gjendjen politike në vend. “Në qoftë se ata bëjnë pazare të liga me Listën Serbe dhe u japin shanse atyre gjendja veç keqësohet dhe nuk është mirë politikisht. Nuk e di se çka do të jetë pazari i tyre.

Baraliu: Lista Serbe, e ndikuar nga zgjedhjet në Serbi

Ndërkohë, njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu ka thënë se fati i Demarkacionit është i lidhur kyç me Listën Serbe. “Shpresa e fundit për ta arritur numrin e duhur te votave është Lista Serbe fatkeqësisht. Ky koalicion qeveritar ka ardhur në situatë jo vetëm për këtë çështje, por edhe për të gjitha çështjet e tjera ka lidhur fatin me Listën Serbe”, ka thënë ai.

Baraliu po ashtu ka thënë se kthimi i Listës Serbe në Kuvend gjatë seancës së kaluar dhe ardhja e këtij subjekti politik në Kuvend javën e ardhshme lidhet me zgjedhjet lokale në Serbi. “Ardhja e Listës Serbe në Kuvend lidhet pikërisht me zgjedhjet në Serbi, pasi Vuçiq po kalkulon me opozitën e tij, që është shumë e zhurmshme për veprimet e tij ndaj Kosovës”, ka thënë Baraliu.