Shpend Ahmeti për herë të parë e hapë mundësinë e largimit nga Vetëvendosje

Aktuale March 02, 2018 - 21:40

Shpend Ahmeti ka refuzuar të tregojë nëse do të jetë kryetar i Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje deri në fund të mandatit të tij në komunë, teksa ka thënë se do të vazhdojë të jetë në pozitën e kryetarit të kryeqytetit. Ai kësaj radhe ka hapë mundësinë e largimit nga Vetëvendosje.
 

“Nuk mund të gënjej dhe të them se gjërat janë mirë apo kanë qenë mirë. Por mendoj se kjo gjë do ta marrë epilogun e fundit pasi të gjithë të përcaktohen për të ardhmen e tyre”, ka thënë Ahmeti në emisionin “038” të KTV’së.

Ai refuzoi të fliste më hollësisht për problemet në nivelin qendror dhe shtoi që është plotësisht i fokusuar për të përmbushur të gjitha premtimet e dhëna në fushatë zgjedhore, duke thënë që për të prioritet është Prishtina.

I pyetur nëse do të jetë kryetar i Prishtinës nga Vetëvendosja deri në fund të mandatit, ai u përgjigj duke thënë që nuk është i sigurt nëse do të jetë kështu.

“Jo, nuk thashë asgjë për siguri, as jam e as sjam”, tha Ahmeti.

Disa herë është raportuar se Ahmeti do t’i bashkohet grupit të të pakënaqurve me në krye Visar Ymerin dhe Dardan Molliqajn të cilët janë dorëhequr nga partia që së fundi zgjodhi kryetar Albin Kurtin.

Nga fillimi i dhjetorit të kaluar kur edhe u bë publik mesazhi ofendues që deputetja Aida Dërguti ia dedikonte Albin Kurtit, në kohën kur ai po arrestohej nga policia, kanë plasur tensione brenda partisë, që kanë rezultuar me dorëheqje e fyerje të shumta. 

Kjo rezultoi me dorëheqjen e ish-kryetarit Visar Ymeri, ish-Sekretarit të Përgjithshëm Dardan Molliqajt, Dardan Sejdiut e shumë të tjerëve.