Thaçi lavdëron fort prodhuesit vendorë, thotë se po përmbushin në përpikëri kriteret e MSA

Aktuale March 02, 2018 - 20:10

Zëvendësministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Faton Thaçi, sot në tryezën e organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në projektin Promovimi i standardeve për produkte vendore dhe implementimi i MSA-se, tha se Prodhuesit janë duke i plotësuar kriteret dhe standardet si ato ISO Standardet dhe HASAP të cilat iu ofrojnë dhe sigurojnë garanci edhe produkteve të tyre por edhe konsumatorëve të vendeve tek të cilat i eksportojnë produktet.

Për të përmirësuar pozitën e eksportit të ndërmarrjeve në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit, kompanitë duhet të inkurajohen për zbatimin e sistemeve të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit (HACCP). Për të mbështetur këtë proces duhet një platformë për mbështetjen e implementimit të sistemeve të cilësisë si, ISO 9001, ISO 22000 me parimet HACCP, GlobalGAP, IFC, BRC dhe të tjerët Standardet iu referohen procedurave të përcaktuara, metodave, dimensioneve, lejeve, tipareve, kapaciteteve, etj, të specifikacioneve të një produkti. Në këtë kontekst, “certifikimi” i referohet kërkesave të përshtatjes krahasuar me një standard të vendosur.

Një arritje e AKS-së, në tejkalimin e barrierave për furnizim me standarde, është nënshkrimi i Marrëveshjes me CEN dhe CENELEC me të cilën marrëveshje AKS-së i krijohet mundësi për furnizim me standardet e fundit nga Komiteti evropian i normave CEN. Duke qenë se vendi ka orientim politik përfshirjen në BE, standardet ekonomike janë njëri nga kushtet që duhet plotësuar për këtë aderim.

AKS-ja obligohet që ti adoptoj në shkallën 80 % standardet EN shifër të cilën tashmë e kemi realizuar mbi 50 %. Ndërkaq drejtori Agjecionit Kosovar të Standardizimit (AKS), Hafiz Gara, tha se roli dhe rëndësia e standardeve është në krijim e një infrastrukture të cilësisë së produkteve vendore, ku qëllimi i kësaj është mbrojtja e shëndetit publik dhe sigurisë dhe inkurajojë zhvillimin ekonomik i cili është në konkurrueshmëri me vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Në fund të takimit zëvendësministri Thaçi tha se kabineti i Ministrit Hasani si qasje të re dhe dinamike është duke i kushtuar rëndësi dhe prioritet të lartë zbatimit të ligjit në pikat me jetike të rregullimit të tregut sipas kërkesave ligjore që deri më tash nuk kanë gjetur zbatim e në veçanti, zbatimit të standardeve edhe në fushën e ndërtimit. “Për ne si kabinet është jetike dhe prioritet që shërbimet në të gjitha fushat nga bizneset të jenë cilësore dhe që kënaqin konsumatorin qe si qytetarë në fund të ditës të gjithë jemi në pozitën e konsumatorit”, ka thënë Thaçi.