Shteti merr nën kontrollë 10 prona shoqërore në Mitrovicën veriore

Aktuale March 02, 2018 - 18:10

Agjencia Kosovare e Privatizimit  ka marrë  nën administrim  dhjetë prona shoqërore në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ato kanë qenë nën menaxhimin e  uzurpuesve apo shfrytëzues të tyre pa kontrata të qirasë.

Kjo sipas AKP-së, shënon një progres të madh në administrimin e të gjitha aseteve në pronësi shoqërore,  ashtu siç parashihet me mandatin ligjor të dhënë me Ligjin e AKP-së.

Fillimisht Agjencia, me asistencën e Policisë së Kosovës, ka liruar një pronë të ndërmarrjes shoqërore “Lux”, ndërkaq pas intervenimit dhe lirimit të këtij lokali, në nëntë raste të tjera shfrytëzuesit e pronave kanë shprehur gatishmërinë për të njohur autoritetin administrativ të AKP-së dhe kanë nënshkruar kontrata të qirasë. Të dhjetë lokalet që administrohen tani nga AKP janë asete të ndërmarrjes shoqërore “Lux”.

Trajtimi i këtyre rasteve të uzurpimeve apo shfrytëzuesve të paligjshëm ishte objektiv i Agjencisë, me qëllim të ofrimit të sigurisë për investitorët e interesuar për pjesëmarrje në procesin e privatizimit./GazetaBlic