LDK i kërkon llogari Thaçit për dialogun me Serbinë

LDK i kërkon llogari Thaçit për dialogun me Serbinë

Aktuale mars 02, 2018 - 13:31

Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur konferencën e përjavshme për media, ku ka folur kryesisht në politikën e jashtme.

Vjosa Osmani deputete e LDK-së ka thënë se presidenti Thaçi duhet të jap llogari në Parlamentin e Kosovës për dialogun me Serbinë.

Sipas saj, presidenti nuk është i mandatuar ta udhëheq dialogun. “Sa i përket dialogut me Serbinë, Thaçi negocion pa qenë i mandatuar për ta udhëhequr këtë proces. S’ka vendim për ta përcaktuar ose vendosur se presidenti do ta bartë aspektin politik të këtij procesi. Presidenti nuk ka mekanizma implementues për të zbatuar këto marrëveshje, dhe nuk ka mekanizma kushtetues për ta mbikëqyrur punën e presidentit. Ai i ka mbajtur të fshehta diskutimet dhe marrëveshjet e arritura me Vuçiqin në Bruksel dhe vendet e tjera”, ka thënë Vjosa Osmani.

“I bëjmë thirrje presidentit që urgjentisht t’i adresohet Kuvendit që të përcaktojë një ditë kur në Kuvend flet për këto takime. Përndryshe natyrisht që edhe ne si opozitë kemi shumë arsye që të dyshojmë në lidhje me takimet që ai i ka me Vuqiqin. Siç është edhe tema për ndarjen e Kosovës”, thotë Osmani.

Ajo tutje ka thënë se edhe qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë strategji për dialogun me Serbinë.

“Qeveria se ka idenë se cila duhet të jetë qasja e saj në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. 

Kuvendi duhet të ketë rezolutë që përcakton vijat e kuqe për dialogun me Serbinë”, ka thënë Vjosa Osmani.

Ajo në fund ka theksuar se qeveria Haradinaj është qeveri e izolimit dhe e izoluar.