Serbët ankohen se shumë tema të Marrëveshjes së Brukselit nuk janë trajtuar

Aktuale March 02, 2018 - 08:32

Përfaqësues të shoqërisë civile në veri të Mitrovicës kanë vlerësuar në një debat, që është organizuar me temën “Marrëveshja e Brukselit dhe zbatimi i saj”, se Marrëveshja e Brukselit është jotransparente dhe se disa tema të rëndësishme nuk janë trajtuar, ndërkohë që marrëdhëniet ekonomike të serbëve dhe të shqiptarëve nuk janë hiç më të mira se ato politike,shkruan sot Gazeta "Zëri".

Përfaqësues të organizatave joqeveritare, në një debat të organizuar në veri të Mitrovicës me temën “Marrëveshja e Brukselit dhe zbatimi i saj”, kanë vlerësuar se Marrëveshja e Brukselit është jotransparente dhe se disa tema të rëndësishme nuk janë trajtuar, ndërsa marrëdhëniet ekonomike të serbëve dhe të shqiptarëve nuk janë hiç më të mira se ato politike.

Ata gjithashtu kanë sqaruar se askush nuk e di saktësisht se si do të funksionojë Bashkësia e Komunave Serbe dhe çfarë kompetencash do të ketë, shkruan sot "Zëri". 

LEXO EDHE: Ndërlikimet e Demarkacionit

Ata kanë potencuar edhe problemin me kompanitë për distribuimin e energjisë elektrike “Elektro Server” dhe “EPS Elektro – Tergovina”, të cilat ende nuk janë formuar. Megjithatë, ata kanë vlerësuar se dialogu në Bruksel ka ndikuar në normalizimin e raporteve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Bojan Teofiloviq, nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Graçanicë, tha se janë marrë me temat të cilat janë të rëndësishme për serbët në Kosovë dhe në këtë drejtim ka konstatuar se një numër i madh i serbëve punojnë në institucionet shëndetësore, të cilat janë nën kompetencë të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Shëndetësisë të Serbisë.

“Çfarëdo të bëhet më vonë në kuadër të BKS-së dhe si do të funksionojnë këto institucione askujt nuk i është bërë e qartë. Kjo gjithsesi është temë e cila tërheq vëmendjen dhe e cila duhet të trajtohet në kuadër të dialogut në Bruksel”, ka thënë Teofiloviq, duke shtuar se ka shumë paqartësi lidhur me atë se si do të shfrytëzohen sigurimet shëndetësore, të cilat serbët aktualisht i kanë e të cilat janë direkt të lidhura me Fondin Republikan për Sigurime Shëndetësore në Beograd.

Ai tha se serbët në një moment mund të mbesin pa shfrytëzimin e këtyre sigurimeve, duke sqaruar se sistemi i sigurimeve shëndetësore në Kosovë dhe sistemi i sigurimeve shëndetësore të Serbisë dallojnë krejtësisht.

“Në studimet e politikave praktike janë dhënë rekomandime lidhur me këtë temë për t’i shfrytëzuar ekipi negociator në Bruksel. Është koha e fundit që këto tema të gjenden në agjendën e ekipeve për dialog në Bruksel”, ka thënë ai.

Ndërkaq Jovana Jakovleviq, nga Instituti për Zhvillim Ekonomik Rajonal – InTER, ka thënë se afaristët në veri të Kosovës me vite veprojnë në rrethana jostabile politike, që karakterizojnë kufizimin e tregut dhe lirinë e lëvizjes.

“Kur këtë e lidhim me Marrëveshjen e Brukselit, situata pas Marrëveshjes edhe më shumë është komplikuar, sepse është aplikuar sistem i ri juridik, gjegjësisht sistemi juridik në komunat në veri të Kosovës, ku afaristët përballem me probleme të mëdha dhe ku edhe më tutje përpiqen t’u adaptohen rrethanave të reja. Pas Marrëveshjes së Brukselit ka ardhur deri tek bashkëpunimi në mes Odes Ekonomike të Kosovës dhe asaj të Serbisë, por ndonëse kemi pritur shumë më shumë nga ky bashkëpunim, disa afaristë të veriut nuk janë përfshirë në proces”, ka thënë Jakovleviq.

Drejtori i Qendrës për Përfaqësim të Kulturës Demokratike, Dushan Radakoviq, mendon se në gjykata nuk janë angazhuar përkthyes të mjaftueshëm për të dy gjuhët, shqip e serbisht.

Gjykata Multietnike, e cila përfshin rajonin prej 7 komunave, gjykata e cila ka Apelin, që përfshin 10 komuna me shumicë serbe, t’i ketë vetëm 5 përkthyes, kjo është thjeshtë katastrofale”, vlerëson ai.

Në anën tjetër Sanja Soverliq, nga OJQ “Radio Mir” nga Leposaviqi, pohoi se Marrëveshja për Telekomunikacionin ka goditur të gjithë qytetarët në Kosovë.

“Ajo çka është çështje kryesore, të cilën e theksojmë, është se “çfarë do të ndodhë pas dy vjetësh kur operatorit MTS i kalon leja për punë. Qytetarët e veriut të Kosovës dhe ata të jugut, të cilët kanë të afërm në Serbi, a do ta paguajnë çmimin ‘roming’ sikurse për jashtë kur do t’i thërrasin të afërmit e tyre në Serbinë Qendrore. Kjo është çështje e hapur”, ka thënë Soverliq, e cila ka shtuar se edhe dy kompanitë për distribuimin e energjisë elektrike, të parapara me Marrëveshjen e Brukselit, në veri të Kosovës ende nuk janë formuar.