Kryeministri kritikohet për dyfishimin e pagave

Aktuale March 02, 2018 - 08:22

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është përballur me kritika të ashpra të opozitës në Kuvend për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Interpelanca e thirrur sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe atij të lëvizjes “Vetëvendosje” është ndërprerë për shkak të mosvotimit të rekomandimeve të opozitës.

“Vetëvendosja” dhe LDK-ja kanë lëshuar seancën pas refuzimit të partive të koalicionit qeverisës për të marrë pjesë në votimin e rekomandimeve të interpelancës.

Në anën tjetër kryeministri Ramush Haradinaj insistoi që kryeministri, kryeprokurori e gjyqtarët duhet të kenë paga të dinjitetshme, shkruan tutje "Zëri".

LEXO EDHE: Demarkacioni, dështimi trevjeçar i Kosovës

LDK-ja e LVV-ja kërkojnë shfuqizimin e vendimit për rritjen e pagave

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se vendimi për rritjen e pagave të kryeministrit, të kabinetit të tij, rritja për 4% e pagave në sektorin publik dhe rritja e skemës sociale për 20% është konflikt i hapur interesi.

“Grupi Parlamentar i LDK-së ka thirrur interpelancë për rritjen e pagës së kryeministrit sepse kjo është në kundërshtim me ligjet në Kosovë. Ky është konflikt i hapur interesi. Vendimi është i pamatur. Meqenëse paga e kryeministrit është dyfishuar kjo dërgon një buxhet 20 milionë euro që s’është paraparë për këtë vit, vendim i kundërligjshëm i kabinetit qeveritar”, tha Hoti.

Kurse kreu i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, tha se qeveria “Haradinaj” edhe ashtu me numër shumë të madh të ministrive, me 21 ministra, 5 zëvendëskryeministra dhe 70 zëvendësministra, është duke e dëmtuar buxhetin. Ai tha po ashtu se t’ia rrisësh pagën vetes është hajni.

“T’ia rrisësh pagën vetes është hajni, është vjedhje sepse vjedhja nuk është vjedhje sepse bëhet tinëz, por për shkak se është vjedhje. Ka vjedhje açik, për shembull kjo rritje e pagave. Kjo është veçse pasojë e fundme e një fenomeni të hershëm”, tha Kurti.

Haradinaj: Kryeministri s’mund të jetë në vendin e 69-të në listën e pagave

Atyre u është përgjigjur kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili tha se nuk mund të jetë në rregull që kryeministri e kryeprokurori të radhiten në numrin 69 në listën e pagave më të larta. Ai thotë se zyrtarët e lartë shtetërorë duhet të kenë paga të dinjitetshme.

“Rritja e pagave të kabinetit qeveritar ka ndodhur me një vendim të Qeverisë dhe si i tillë ka mundësuar nivelizimin e pagave. Në numrin 69 është kryeministri juaj në bazë të pagës që merr. Nëse është në rregull kështu pajtohem, por në bazë të barrës që mban kryeministri s’mund të jetë në numrin 69. Ky vendim i rritjes së pagave, unë e kam parë vlerësimin e AKK-së dhe pres sido që të vendosë gjykata. Po e lëmë kryeministrin e ministrat, por kryeprokurorin ta lëmë në numrin 69? Ndërsa sa i përket skemës sociale i kemi obligim, s’jemi lavdëruar asnjëherë me to”, ka thënë ai.

Vendimin për rritjen e pagave e ka arsyetuar ministri i Financave Bedri Hamza, i cili tha se ky vendim nuk ka prodhuar efekt financiar dhe se sektori i pagave rregullohet përmes reformës së Administratës Publike. Ai tha gjithashtu se deputetët e kanë pagën dyfish më të madhe sesa ministrat.

“Ky është vendim që nuk ka prodhuar efekt financiar, nuk ka funksionuar dhe duam ta qartësojmë, vendimi është i pezulluar dhe varësisht prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të jenë veprimet vijuese. Kushdo që e ka parë këtë është dashur të hyjë e të hulumtojë pak, sektori i pagave duhet të rregullohet me ligj”, tha Hamza.

Ndërsa ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar tha se pagat në Kosovë janë të lidhura me shumë ligje, por ende nuk po ekziston një ligj bazik që i rregullon.

Sipas tij, ky ligj do të hartohet në muajin qershor.

Vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave për qeveritarët është pezulluar, ndërsa Gjykata Kushtetuese është duke e vlerësuar këtë vendim dhe pritet që në ditët apo në javët në vijim të dalë me një vlerësim.