Demarkacioni, dështimi trevjeçar i Kosovës

Aktuale March 02, 2018 - 08:18

Po bëhen tre vjet prejse Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit. Megjithatë, pavarësisht se kjo marrëveshje tashmë është ratifikuar nga Parlamenti i Malit të Zi, në Kosovë ende vazhdon të mbetet çështje e hapur, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Marrëveshja e 26 gushtit 2015 e nënshkruar në Vjenë u bë pikë konfrontimi mes pozitës e opozitës së atëhershme.

Përderisa PDK-ja e LDK-ja, dy partitë që ishin në qeverisje, kërkonin miratimin e saj, lëvizja “Vetëvendosje”, AAK-ja e Nisma kundërshtonin fuqishëm një gjë të tillë. Por, gjithçka ndryshoi kur dy partitë e fundit erdhën në pushtet.

AAK-ja e Nisma tash po kërkojnë të miratohet kjo marrëveshje, mirëpo lëvizja “Vetëvendosje” dhe Lista Serbe nuk po e mbështesin marrëveshjen në fjalë.

Si rrjedhojë, koalicioni PAN dështoi tri herë ta ratifikojë këtë marrëveshje brenda një jave të vetme. Njëjtë kishte dështuar edhe Qeveria e kaluar, e cila drejtohej nga ish-kryeministri Isa Mustafa.

LEXO EDHE: Ndërlikimet e Demarkacionit

Qeveria Mustafa para dy vjetësh e kishte tërhequr nga rendi i ditës Marrëveshjen pasi që nuk i kishte numrat për ta votuar.

Megjithatë, pak para se Demarkacioni të bëhej shkas për rrëzimin e Qeverisë Isa Mustafa kishte provuar ta dërgonte sërish për votim këtë marrëveshje, por kishte dështuar, pasi atë kohë ministrat nga PDK-ja nuk patën marrë fare pjesë në mbledhjen e Qeverisë.

1 shtatori, përpjekja e Mustafës për ta miratuar Demarkacionin

Pak muaj pasi ishte nënshkruar në Vjenë kjo marrëveshje opozita e atëhershme ishte mobilizuar për ta kundërshtuar me të gjitha metodat e mundshme, qoftë demokratike apo edhe jodemokratike.

Seancat vazhdimisht përshkoheshin me gaz lotsjellës, ndërkohë salla ku diskutonin deputetët tashmë ishte kthyer në arenë “dyluftimi” mes dy taborëve, pozitës e opozitës.

Pavarësisht këtyre, Qeveria kishte vendosur të mos tërhiqej. Ish-kryeministri Isa Mustafa pati vendosur që Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit ta procedonte për votim në seancën e 1 shtatorit 2016. Në të njëjtën kohë opozita kishte thirrur protestë po atë ditë për ta parandaluar miratimin e Demarkacionit.

Përderisa brenda sallës së Kuvendit debatohej, hidheshin akuza e kundërakuza mes deputetëve, jashtë objektit protestuesit kërkonin rrëzimin e Qeverisë.

Kjo pasi opozita e përbërë nga LVV-ja, AAK-ja e Nisma ishte e bindur që Kosova humbte territor nga Marrëveshja e 2015-ës. Ata me ngulm kërkonin që kjo marrëveshje të rinegociohej me palën malazeze.

Pas tërë këtij presioni, duke përfshirë këtu mungesën e votave, qeveria “Mustafa” ishte detyruar ta tërhiqte nga rendi i ditës këtë marrëveshje. “Si kryeministër konsideroj se nuk janë rrethanat dhe nuk është situata që sot ta votojmë dhe ta ratifikojmë Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi”, pati thënë Mustafa.

Demarkacioni, katër herë në seancë

Meqë në seancën e 1 shtatorit Qeveria tërhoqi nga rendi i ditës Projektligjin për Ratifikimin e Demarkacionit, Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa kishte thirrur mbledhjen e Qeverisë tek pas 8 muajsh (8 maj 2017) për ta proceduar sërish këtë marrëveshje për në Kuvend. Por, kishte dështuar qysh në nisje.

Në mbledhjen e 8 majit, që pritej të mbahej në mëngjes, nuk kishte ardhur asnjë ministër i PDK-së, partnerit tjetër të koalicionit. E pos tyre, as vetë kryeministri nuk ishte prezent në sallën ku pritej të mbahej mbledhja.

Atëkohë PDK-ja e LDK-ja po zhvillonin takime me intensitet të shtuar si takime brendapartiake, ashtu edhe ndërpartiake. Kështu, qeveria “Mustafa” kishte dështuar për të dytën herë që ta zgjidhte çështjen e demarkacionit, megjithëse herën e dytë duke mos arritur ta dërgojë fare për votim.

Ndërkohë, edhe tash pas gati një viti Qeveria e re e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj provoi ta ratifikojë Marrëveshjen e Demarkacionit, mirëpo në mungesë të numrave dështoi tri herë radhazi.

Seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e Demarkacionit nisi të enjten e kaluar (22 shkurt) dhe vazhdoi të premten (23 shkurt). Por, pa rezultat. Njëjtë shkoi edhe para dy ditësh (28 shkurt), ku në mungesë të votave sërish dështoi të hidhej në votim kjo marrëveshje.

Deputetët e pozitës kundër Demarkacionit

Pos që Demarkacioni kundërshtohej nga opozita e atëhershme (LVV-ja, AAK-ja e Nisma), koalicioni qeverisës PDK-LDK atëkohë nuk i kishte të sigurta as disa vota të deputetëve të tyre.

Nait Hasani e Ganimete Musliu ishin dy deputetë nga PDK-ja të cilët ishin deklaruar kundër Marrëveshjes. Pos këtyre, edhe deputetët Shpejtim Bulliqi, Anton Quni, Adem Salihaj e Vjosa Osmani nga LDK-ja ishin pozicionuar kundër Demarkacionit. Koalicioni PDK-LDK pos që nuk i kishte votat e opozitës nuk kishte as mbështetjen e plotë të pozitës.

Ndërkohë, tash kur po tentohet të ratifikohet kjo marrëveshje nga qeveria “Haradinaj”, koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma), për dallim nga Qeveria e kaluar, gëzon votën e një partie opozitare, LDK-së. Mirëpo jo edhe të të gjithë deputetëve të koalicionit.

Nait Hasani (PDK) e Teuta Haxhiu (AAK) janë deklaruar se nuk do ta mbështesin këtë marrëveshje. Qëndrim të qartë nuk ka dhënë as deputeti tjetër i AAK-së, Rasim Selmanaj.

Mirëpo, problemi kyç që koalicioni ka aktualisht është se si të bindet Lista Serbe, pjesë e Qeverisë, që ta votojë këtë marrëveshje, meqë LVV-ja ka deklaruar se nuk ka votë për Demarkacionin.