Dështimi i tretë me Demarkacionin

Aktuale March 01, 2018 - 08:04

Për të tretën herë brenda një jave ka dështuar ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Seanca e jashtëzakonshme e së enjtes, e vazhduar të premten, nuk ka përfunduar me sukses as dje. “Vetëvendosja” vazhdon ta kundërshtojë marrëveshjen, ndërkohë Lista Serbe nuk po merr pjesë fare në seancë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Koalicioni qeverisës ka dështuar për të tretën herë me radhë që t’i japë epilog Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Në seancën e djeshme, e cila filloi me një orë vonesë, të pranishëm ishin vetëm 67 deputetë.

Deputetët e Listës Serbe nuk ishin fare të pranishëm, ndërsa disa deputetë tjerë nuk ndodheshin fare në Kosovë, ani pse kryekuvendari Kadri Veseli ua kishte tërhequr vërejtjen qysh një javë më parë që të mos udhëtonin jashtë vendit, shkruan tutje "Zëri".

Ndërkohë, pak minuta pasi nisi seanca Kuvendi shkoi në pauzë ngase Komisioni për Punë të Jashtme do ta shqyrtonte sërish Projektligjin pas ndryshimeve të fundit, ku u vendos që raporti i Komisionit për Shënimin e Kufirit të mbetej vetëm “për orientim”gjatë korrigjimit që do t’i bëhet Marrëveshjes për Shënjimin e Kufirit.

LEXO EDHE: Juncker: Demarkacioni, i pashmangshëm për vizat

Por, edhe pasi Komisioni e votoi ndryshimin e Projektligjit, seanca nuk vazhdoi dje.

Meqë koalicioni PAN dhe LDK, të cilët janë pro marrëveshjes, nuk i kanë votat e mjaftueshme liderët e koalicionit pritet të lobojnë edhe këtë javë për votat e Listës Serbe, në mënyrë që seanca e jashtëzakonshme të vazhdohet javën që vjen dhe përfundimisht Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi të marrë fund, të ratifikohet.

Shmangen afatet procedurale, kundërshton “Vetëvendosja” 

Menjëherë pas fillimit të seancës së djeshme Kuvendi i Kosovës vendosi që shqyrtimi i Projektligjit për Demarkacionin të bëhet duke shmangur afatet procedurale të parapara me Rregulloren e Kuvendit.

Një gjë të tillë nuk e mbështeti vetëm lëvizja “Vetëvendosje”, megjithatë për shmangie votuan gjithsej 62 deputetë.

Shefi i Grupit Parlamentar të lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, duke arsyetuar qëndrimin kundër të LVV-së tha se versioni aktual i Demarkacionit nuk duhet të miratohet.

“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ është kundër shmangies për procedurat e përshpejtuara lidhur me trajtimin e kësaj marrëveshjeje, për shkak se ne mendojmë që një version i tillë i Demarkacionit duhet të tërhiqet krejt nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Këtu kemi të bëjmë me një demarkacion për të cilin Komisioni Shtetëror ka ardhur deri te gjetjet shumë problematike sa i përket kufirit”, deklaroi Konjufca.

Ai më tej vlerësoi se kryeministri Haradinaj do të duhej që ta tërhiqte përfundimisht këtë marrëveshje dhe ta kthente krejtësisht mbrapsht.

“Hedhja në votim dhe ardhja në shqyrtim e kësaj marrëveshjeje është paradoks në vetvete, për shkak se ju e keni marrëveshjen dhe në të njëjtën kohë raportin që thotë nëse votohet kjo marrëveshje deputetët marrin mbi supet e tyre një barrë shumë të rëndë, sa i përket edhe aspektit penal. Kështu që ne për këtë arsye jemi kundër shmangies nga rendi i ditës sepse mendojmë që një pikë e tillë nuk do të duhej të vinte fare”, theksoi Konjufca. 

Hoti sqaron përmbajtjen e Projektligjit  

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, para deputetëve sqaroi përmbajtjen e Projektligjit për ratifikimin e Demarkacionit pas ndryshimeve të fundit, të ardhura nga konsensusi i arritur mes koalicionit PAN dhe LDK-së.

“Neni 3 i Projektligjit përbëhet kështu: Pjesë përbërëse të kësaj marrëveshjeje janë Marrëveshja për Kufirin Shtetëror në mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015, deklarata e përbashkët e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi Filip Vujanoviç, të datës 16. 02. 2018, dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për Orientim”, nënvizoi Hoti. 

Me këtë rast i pari i Kuvendit Kadri Veseli kërkoi nga Komisioni për Punë të Jashtme që të mblidhet dhe pas shqyrtimit ta sjellë tekstin e Projektligjit para deputetëve, në mënyrë që të procedohej për votim.

Komisioni voton dy herë

Pas kësaj Komisioni për Punë të Jashtme e votoi dy herë Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Në mbledhjen e parë të pranishëm ishin dhjetë deputetë, prej tyre gjashtë votuan për, ndërsa katër tjerë, Aida Dërguti, Visar Ymeri, Dukagjin Gorani e Zafir Berisha, nuk votuar fare.

Por kryetarja e Komisionit Vjosa Osmani ka numëruar gabimisht votat dhe tha se pesë anëtarë të Komisionit votuan për e pesë të tjerë nuk votuan. Prandaj tha se duhet të pritet sqarimi i Zyrës Ligjore për të parë nëse ky votim vlen.

Më pas, me rekomandim të Zyrës Ligjore Komisioni për Punë të Jashtme u mblodh sërish. Këtë herë në mbledhje ishin të pranishëm shtatë deputetë. Të gjithë votuan për, ndërsa munguan të dorëhequrit e “Vetëvendosjes” Aida Dërguti, Visar Ymeri e Dukagjin Gorani.

Në këtë mbledhje morën pjesë si mysafirë tre deputetë të “Vetëvendosjes”: Ali Lajçi, Sami Kurteshi dhe Fitore Pacolli. Deputetët e “Vetëvendosjes” thanë se përmbajtja e ligjit është kontradiktore, pasi ai përmban raportin e komisionit “Meha” që thotë se Marrëveshja e Vjenës është mirë, si edhe atë të komisionit “Bulliqi” që thotë se Marrëveshja e Vjenës ka gabime.

Haradinaj nuk garanton për votat

Pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas ndërprerjes së seancës nuk garantoi që koalicioni i ka votat për miratimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.

Megjithatë, ai tha se përfaqësuesit e koalicionit janë duke punuar drejt sigurimit të votave.

“Nuk e di a janë edhe dy apo më shumë deputetë, jemi në seancë, seanca do ta vërtetojë. Jemi në punë e sipër që të jemi unikë, që t’i kemi votat për ta votuar”, u shpreh ai.

E pavarësisht se deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tashmë ka pohuar se nuk do ta votojë këtë marrëveshje, si dhe deputeti tjetër Rasim Selmanaj ka lënë të paqartë qëndrimin e tij karshi kësaj marrëveshjeje, i pari i ekzekutivit është shprehur i vendosur se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është unike sa i përket Demarkacionit.

“Raporti i Komisionit Shtetëror, i kryesuar nga Bulliqi, është në Nenin 3 të ligjit, në pikën 1.2. Pra mbetet raporti, AAK-ja është unike, por kemi deputetë të koalicionit që janë në Podgoricë dhe po i presim të kthehen”, theksoi Haradinaj. 

Ndërkohë, ndonëse ende nuk dihej nëse seanca do të vazhdonte apo ajo kryeministri gjatë ditës së djeshme nuk përjashtoi mundësinë e shtyrjes së saj nën pretekstin që disa deputetë, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Administratës Publike, ishin ende në Mal të Zi.

“Mund të ndodhë që të kalkulohet në aspektin kohor, pasi disa deputetë shqiptarë nga koalicioni, siç e thashë, janë në Podgoricë”, shtoi ai.

Haradinaj gjatë deklaratës për medie nuk garantoi as për votën e Listës Serbe, parti kjo e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.

Megjithatë, pranoi se koalicioni është në bisedime me përfaqësuesit e këtij subjekti.

“Jemi në diskutime edhe me ta. Nuk e kanë definitiv qëndrimin se si do të veprojnë. Me sa e di unë janë në Prishtinë, janë në objekt të Kuvendit, mirëpo në moment të caktuar do të vendoset se si të veprohet”, theksoi kreu i Qeverisë së Kosovës.

Pacolli: Demarkacioni do të kalojë

Ndërkaq zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, u shpreh i vendosur se Demarkacioni do të kalojë. Megjithatë, ai nuk saktësoi se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

“Unë e di që sot apo pak më vonë Demarkacioni do të kalojë dhe nëse kalon ajo këto ditë ne kemi fituar të drejtën që diku nga vjeshta e këtij viti edhe kosovarët të udhëtojnë pa viza”, tha Pacolli.

Ai po ashtu deklaroi se koalicioni qeverisës i ka votat e mjaftueshme për ta finalizuar këtë marrëveshje.

“Unë nuk kisha thënë se nuk janë votat, do ta votojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës. Do të gjenden votat sigurisht, jam i bindur. Është një nismë e mirë, pozitive, ekziston disponimi dhe kjo punë do të kryhet me sukses”, potencoi numri dy i Qeverisë.

Haxhiu: Demarkacioni duhet të shqyrtohet nga themeli

Pas dështimit të tretë për ta miratuar Marrëveshjen e Demarkacionit pati reagime nga përfaqësues të lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët vazhdojnë të ngulin këmbë kundër kësaj marrëveshjeje.

Deputetja e këtij subjekti Albulena Haxhiu konsideroi se marrëveshja në fjalë duhet të rishqyrtohet qysh nga fillimi.

“Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi duhet të shqyrtohet në themel, në mënyrë që ajo të jetë në përputhje me Rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare Publike dhe me Parimin e Integritetit Territorial të Republikës së Kosovës. Në vend se të humbim kohë me përpjekje për t’i bërë votat për një marrëveshje që falë territor do të duhej t’i përvjelim mëngët për marrëveshje të re që mbron territorin real të Republikës së Kosovës”, deklaroi ajo.

Në të njëjtën kohë, sipas Haxhiut, duhet të punohet me theks të veçantë drejt luftimit të krimit dhe të korrupsionit.

“Paralelisht me këtë duhet të ndërmerren veprime të menjëhershme për luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Ne kemi gatishmëri që të punojmë për këto dy kushte. I mbetet Qeverisë të dëshmojë vullnet e gatishmëri”, shtoi deputetja e LVV-së në reagimin e saj.

LDK-ja fton LVV-në ta mbështesë marrëveshjen

Megjithëkëtë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i bëri ftesë lëvizjes “Vetëvendosje” që ta mbështesë Marrëveshjen e Demarkacionit.

“Lidhja Demokratike është e kënaqur që kemi arritur marrëveshje për përmbajtjen e Ligjit për ratifikimin e Demarkacionit. E patë që në seancë e prezantuam marrëveshjen të cilën e kemi arritur me partitë e koalicionit, duke përfshirë edhe minoritetet joserbe. Unë ftoj tash që edhe ‘Vetëvendosja’ të bashkohet në këtë kauzë, ta përmbyllim këtë çështje shumë të rëndësishme, t’i liberalizojmë vizat dhe pastaj të kthehemi në agjendë normale që duhet të ketë shteti i Kosovës për t’i përmbushur obligimet ndërkombëtare”, theksoi Hoti.  

E pavarësisht se seanca e jashtëzakonshme gjatë së mërkurës u shty për të tretën herë radhazi, nuk është bërë e ditur se kur do të jetë vazhdimi i saj.

Kuvendi i Kosovës vetëm ka dhënë njoftimin që udhëheqësit e grupeve parlamentare të partive kanë rënë në ujdi që seanca të mos vazhdohej dje.

“Me pajtim të kryetarëve të grupeve parlamentare seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës shtyhet për një ditë tjetër. Për vazhdimin e saj do të vendosë Kryesia e Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.